Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Aliu, shqiptarët e Egjiptit dhe ambasadori ynë 

Mehmet Aliu, shqiptarët e Egjiptit dhe ambasadori ynë 

Qëndrova dy muaj në Kajro-Egjipt. Aty, pata fatin të njoh Ambasadorin e Shqipërisë, Eduard Sulo. Një personalitet sa diplomat, po aq edhe akademik. E theksoj që në hyrje, sa do ju njoh më poshtë: për Ambasadorin përdora fjalën Akademik. Sqaroj se para karrierës si diplomat z.Edi ka qenë dikushi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Por, për të thënë atë që unë dua, para së gjithash lexuesit dëshiroj t’i sqaroj, se më datën 16 Prill 2016, Ambasada jonë në Egjipt feston 60 vjetorin e saj. Pra, 60 vjet marrëdhënie diplomatike.
Këtu më poshtë, dua të përmend, se para 60 vitesh e më tej, ne kemi pasur marrëdhënie më se diplomatike me Egjiptin. Këtë vend të madh e të bukur të Afrikës veriore. A nuk ka qenë A. Z. Çajupi një ambasador pa titull aty?! Për të mos hyrë në ato detaje, që historia e re e Egjiptit të lashtë e ka fillesën me të madhin Mehmet Ali, në vazhdim me djemtë e tij, deri me nipin e tyre pinjollin e fundit të kësaj dinastie, racë shqiptare mbretin Faruk. E që në lagjen më të vjetër të Kajros kanë jetuar këta shqiptarë e që sot mban emrin Zamalek d.m.th. Zemblak i Korçës nga janë rrënjët e kësaj dinastie!
Aty unë takova shqiptarë, të emigruar herët. Konkretisht nipin e Thimi Mitkos (Bletës Shqiptare), Erik Adhami i cili sot është pronar i kompanisë së madhe ALKATEL, në Egjipt. N.q.s, unë do t’i futesha thellë, në gërmim të këtyre pinjollëve të atyre që në Egjipt njiheshin si emigrantët e hershëm, ndoshta një herë tjetër do ta kem mundësinë, pa dyshim me ndihmën e Edi Sulos.
Për të mos u zgjatur me historinë e re të Egjiptit të lashtë, unë do përqendrohem në 60 vjetorin e Ambasadës tonë, Rezidencës kur aty u hap e para Ambasadë Shtetërore e Republikës Shqiptare.
Në saj të afrimitetit që më mundësoi zoti Edi, njoha e takova aty shqiptarë të dy emigrimeve. Them dy emigrimeve sepse aty ka shumë shqiptarë të emigruar herët, madje shumë herët. Ka edhe shqiptarë, ndoshta jo shumë, që kanë emigruar vitet e fundit, pas 1990. Në biseda me emigrantët e hershëm, mësova se që nga koha kur aty sundonte i madhi Mehmet Ali kanë emigruar shumë shqiptarë. Madje ata ishin mjaft të kamur dhe në vende me përgjegjësi në administratën mbretërore. Aq sa në Kajro flitet se administroheshin nga dinastia e madhe e shqiptarëve. Ata jetonin në lagjet më të pasura të Kajros dhe Aleksandrisë. Zotëronin prona të mëdha dhe në çdo vend quheshin shqiptarët. Por me përmbysjen e mbretit Faruk nga Gamal Abdel Naser, që detyroi shqiptarin Faruk, pinjollin e fundit të dinastisë së Mehmet Aliut, të abdikonte dhe të largohej përfundimisht nga Egjipti, Gamal Abdel Naser gjeti një administratë mazhorante me shqiptarë. Ndaj u soll shumë keq me ta. Aq sa u desh që shqiptarët të ndërronin edhe emrin që t’i shpëtonin raprezaljes dhe të mbronin pronat. Kjo është një histori e hershme për ta, por jo e harruar, sepse kjo la gjurmë të hidhura tek ta sa që shumica, pasardhëse e tyre sot, nuk e dinë gjuhën shqipe.I pari ambasador aty u emërua Musin Kroi në vitin 1950, në Prill, aty në lagjen Zamalek u hap Ambasada e parë në këtë shtet. I bie që Edi Sulo është i dymbëdhjeti ambasador. Për të mos i përmendur të gjithë po përmend disa prej tyre. Si zotërinjtë Zeqi Agolli, Nesip Kaçi dhe në veçanti do të theksoja zotin Nuri Domi, i cili la një traditë të mirë për ta vazhduar tashmë Edi Sulo, i cili ka një karrierë mbi 25 vjet si ambasador karriere, duke filluar që nga Tanzania, Hungaria, etj. Me mbarimin e studimeve në UT Edit ju desh të bënte një stazh të gjatë si mësues i gjuhës angleze në Çarshovë të Përmetit, jo pak por 7 vjet nga Tirana ku kishte familjen. Ky djalosh i ri e filloi punën si mësues larg. Vinte në Tiranë një herë në muaj, ndoshta edhe në tre muaj kur kishte shkolla pushimet bimestrale dhe simestrale. Kështu punonin në ato vite gjithë djemtë dhe vajzat sa mbaronin universitetin. Mbas një pune të mirë si mësues, u transferua në Akademinë e Shkencave, në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë. Si u njoh si i ri me vullnet dhe i pa përtuar, si përfitoi aty majat nga personalitetet akademike dhe aftësitë e tij në marrëdhënie me jashtë, u transferua në Ministrinë e Jashtme, fillimisht në drejtorinë e shtetit të këtij dikasteri. Në vitin 1986 u emërua Ambasador në Tanzani. Nga andej me ndryshimet e sistemit, në vitin 1990, u kthye në Ministrinë e Jashtme fillimisht me detyrën e Drejtorit të Kabinetit, mandej Sekretar i Përgjithshëm deri në vitin 2002. Mandej u emërua Ambasador në Hungari dhe në vitin 2007 deri në vitin 2014 përsëri në Ministrinë e Jashtme. Në shtator të vitit 2014 u emërua Ambasador në Egjipt. Ku zuri vendin e zotit Nuri Domi, i cili la një traditë të mirë, e që e vazhdon tashmë Edi Sulo. Ambasada në Egjipt edhe pse përfshin disa shtete që përfaqëson, si Libinë, Suedinë, Libanin, Sirinë, Pakistanin, po ashtu përgjigjet për probleme kontrollore në Afrikë, ka një personel veçmas dy përfaqësues (ambasadori dhe një këshilltar), ndërsa sekretar teknik ka një shqiptar që është me rezidencë të përkohshme në Egjipt. Janë mbledhur në Kajro në disa raste festash jubilare të pavarësisë dhe çlirimit të Shqipërisë. Jam njohur nga afër me aktivitetet mjaft interesante që bëhen pranë ambasadës tonë aty. Zoti Edi ka krijuar një traditë të mrekullueshme në këto veprimtari që tashmë kanë bërë emër e ditë feste që shqiptarët, atje emigrantë të hershëm dhe të rinj, i presin me kënaqësi.
Pra, do të thosha, është meritë e Edi Sulos që gërmon, hulumton, si gjuhëtar dhe njeri që i përket botës akademike, që po i njeh emigrantet e vjetër me këto me të rinjtë, që me veprimtaritë pozitive, me vizita private po i bashkon, po bën një punë të shkëlqyer që si të vjetrit dhe të rinjtë, në Ambasadën Shqiptare në Kajro, ta ndiejnë veten sikur janë në Shqipëri dhe se Shqipëria nuk i harron fëmijët e gjakut të vet. Jo vetëm kaq, por me të drejtë ja vlen të jesh krenar në qendër të Kajros, ku universitetin e parë aty e themeloi mbesa e Mehmet Aliut.
Në kuadër të 60 vetorit të hapjes së Ambasadës së Shqipërisë në Egjipt, vetë Edi Sulo do të mbajë leksione në Universitetin e Kajros, në Aleksandri, Mansura dhe Teuta. Ndër shkolla e institucione me emër, do të hapë ekspozita me prodhime e me gatime shqiptare, do të çelë ekspozita me piktura të piktorëve shqiptarë. Gjithashtu, në televizionin Nil Internesh do të flasë në një emision të veçantë për marrëdhëniet Shqipëri-Egjipt. Në vigjilje të 16 Prillit ai organizoi një tryezë shumë interesante me ajkën e intelektualëve të Kajros për njohjen e Shqipërisë, si vend i lashtë dhe me tradita, si dhe marrëdhënie me gjurmë të thella në historinë e Egjiptit e të Shqipërisë. Kudo që ka shqiptarë Edi Sulo është i gjendur në Egjipt. Madje, nuk do ta harroj kurrë, u ndodha edhe unë në një moment, ku një djalosh shqiptar, Amir Ahmet, mori diplomën e shkollës së mesme në shkollën amerikane, ai Edi i dha diplomën. I kudo gjendur, gjithnjë pranë shqiptarëve të Egjiptit.
Jo me kot thashë është sa diplomat dhe akademik. Zotëron anglishten, frëngjishten, italishten, gjuhën afrikane suahili, që fliste në Nigeri, Afrikën Qendrore e Lindore, Tanzani, Kenia, Uganda, Zimbabve. Një poliglot. Intelektual i kompletuar dhe shembull i diplomatëve tanë.
Please follow and like us: