Albert Einstein, gjeniu që “shushati” Europën
Amerika i jepte mirëseardhjen shkencëtarit që një herë e përgjithmonë kishte ndryshuar mënyrën tonë të perceptimit të hapësirës, kohës dhe universit. Dhe që prej pak vitesh – domethënë që kur kryevepra e tij, teoria e përgjithshme e relativitetit ishte demonstruar prej vëzhgimeve astronomikë të dy ekipeve të pavarur studiuesish britanikë në 1919 – ishte rishfaqur në qendër të skenës, nga qarqet akademikë, në shtypin ndërkombëtar
Anija nuk kish përfunduar së ankoruari në New York, në pasditen e 2 prillit 1921, kur një turmë gazetarësh, fotografësh dhe kameramanësh rendën të hipin në bord. Preja e tyre, Albert Einstein, i priste në këmbë, mbi urë. Ishte në vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara: mbante veshur një pallto leshi të errët si dhe një kapelë që vetëm pjesërisht ia fshihte flokët e thinjur. Në njërën dorë mbante një llullë, ndërkohë që me tjetrën shtrëngonte një kuti violine. “Duket si një artist”, shkruante të nesërmen The New York Times. “Por poshtë flokëve të shpupurisur ka një mendje shkencore, deduksionet e të cilës kanë shushatur mendjet më të mira të Europës”. Kështu Amerika i jepte mirëseardhjen shkencëtarit që një herë e përgjithmonë kishte ndryshuar mënyrën tonë të perceptimit të hapësirës, kohës dhe universit. Dhe që prej pak vitesh – domethënë që kur kryevepra e tij, teoria e përgjithshme e relativitetit ishte demonstruar prej vëzhgimeve astronomikë të dy ekipeve të pavarur studiuesish britanikë në 1919 – ishte rishfaqur në qendër të skenës, nga qarqet akademikë, në shtypin ndërkombëtar. Në atë kohë Einstein ishte një dyzetëvjeçar tërheqës, me maniera plot mirësjellje dhe joformale, dhe me zërin e qetë që shpesh herë dhe papritur i linte vend një të qeshure bombastike. E ardhmja e tij ishte në Amerikë, por e shkuara e tij kishte rrënjë të forta në Europë: në Gjermani, në Zvicër… dhe në Itali.
Me autizëm?
I lindur në 14 mars 1879 në Ulm, në Gjermani, në një familje hebraike të borgjezisë së mesme, Albert Einstein ishte ende në pelena kur, në 1880, prindërit u transferuan në Mynih, aty ku babai Hermann kishte hapur së bashku me vëllanë e tij Jakob një kompani inxhinierie elektrike dhe hidraulike. Në fëmijërinë e hershme Albert kishte probleme të kuptuari dhe shqetësoi seriozisht familjarët e tij, që druheshin se mos ishte i vonuar: në fakt mësoi të flasë vetëm kur ishte 3 vjeç dhe nuk bashkohej me bashkëmoshatarët, por preferonte të luante i vetëm. Ndonëse zakonisht ishte i qetë, shpesh herë bëhej pre e teprimeve të zemërimit. Disa studiues kanë hedhur kohët e fundit hipotezën që Einsteini i vogël vuante nga një formë e lehtë autizmi, apo një patologji e ngjashme e quajtur sindroma e Asperger, por kjo diagnozë e bërë në distancë kohore është e diskutueshme. Pas këtyre problemeve të fillimit, fëmija u rrit normalisht, bashkë me motrën e vogël Maja, në një ambient familjar të qetë dhe të pasur me stimuj kulturorë. Në 1886 Albert nisi të frekuentojë shkollën fillore publike në Milano, dhe dy vjet më vonë u rregjistrua në Gjimnazin Luitpold, në qytetin bavarez. Ndryshe nga një legjendë dashakeqe që e paraqet si një student shumë të keq, rendimenti i tij shkollor ishte gjithmonë i mirë, ndonëse është e vërtetë që i riu Einstein ndihej jo mirë me autoritarizmin në shkollat gjermane të kohës, dhe disa sjellje të tij irritonin ndonjë profesor.
Fazë mistike
Në kohën e lirë, Albert kultivonte pasionet e tij të mëdhenj: violinën dhe algjebrën, por edhe leximin e librave të filozofisë, mes të cilave Kritika e arsyes së pastër e Immanuel Kant. Dhe që nga 1890 kaloi për një vit të tërë një fazë besimi intensiv, gjatë të cilës respektoi me rrëptësi ritet hebraike: refuzonte për shembull mishin e derrit dhe thurte himne për Perëndinë. Në të kundërt nga ajo që thuhet ndonjëherë, ai nuk bëri asnjëherë ndonjë zgjedhje vegjetariane në të ushqyer, ndonëse në moshë të thyer do të pohonte: “Kam ngrënë gjithmonë mish me një brejtje të vogël ndërgjegjeje”. Në çdo rast, idili mistik u ndërpre kur djaloshi nisi të thellojë interesat e tij shkencorë; në vijim, Einstein u largua përfundimisht nga çdo formë besimi fetar. Në qershor të 1984, Herman dhe Jakob Einstein u transferuan në Itali bashkë me familjet respektive. Fillimisht në Milano, e më pas në Pavia, ku hapën një stabiliment të ri menjë inxhinier italian. Në qytetin pavez, Einsteinët shkuan të jetojnë në një ndërtesë të lashtë që i përkiste poetit Ugo Foscolo. Ndërsa Albert qëndroi në Mynih për të përfunduar shkollën e lartë. Megjithëkëtë, duke qenë se u ndie i vetmuar, aspak i qetë e madje i terrorizuar nga perspektiva e afërt e shërbimit të detyruar, në pranverën e 1895 braktisi Luitpoldin pa marrë ende diplomën dhe u bashkua me familjen në Pavia. Këtu i kërkoi të atit që të niste praktikën për ta çliruar nga nënshtetësia gjermane për të marrë atë zvicerane. Muajt e mëpasshëm në Itali ishin ndër më të lumturit e jetës së tij. I kaloi duke punuar për Hermann dhe Jakob, duke studiuar dhe udhëtuar në zbulim të Italisë jugore. Veç të tjerash, koha e qëndrimit aty i mundësoi të mësojë edhe pak italisht.
I refuzuar
Në tetor 1895, 16-vjeçari Einstein provoi provimin e pranimit në politeknikun e Zyrihut, por nuk u pranua: pavarësisht vlerësimeve shumë të mirë në matematikë, fizikë dhe kimi, dështoi në testin e kulturës së përgjithshme (histori, gjuhë dhe letërsi gjermane). Megjithatë, arriti të hyjë në politeknik në vjeshtën e 1896, falë diplomës së pjekurisë që mori ndërkohë në shkollën zvicerane në Aarau. Në 4 vitet që pasuan në institutin e Zyrihut, Albert frekuentoi leksionet sidomos të fizikës teorike. Përveç ndonjë mbrëmjeje në ndonjë koncert apo teatër, në Zyrih Einstein e kalonte kohën e lirë duke lexuar tekste filozofie, duke i rënë violinës, duke bërë shëtitje me varkë në liqen apo duke biseduar me miq në ndonjë kafene. Pak nga pak, personaliteti i tij nisi të përvijohet gjithnjë e më qartë. Dolën në pah, mbi të gjitha, antikonformizmi dhe antiautoritarizmi që e kishte shfaqur tashmë në adoleshencën e hershme; veç kësaj, fëmija që luante i vetëm ishte shndërruar në një djalosh të ri që dinte t’ia kalonte shumë mirë në shoqëri, një interlokutor plot humor dhe me batuta të mprehta.
Një bijë misterioze
Në ata vite Einstein pati një marrëdhënie të fortë dashurie me të vetmen femër në kursin e tij: Mileva Maric, një vajzë serbe që ishte larguar nga vendi i saj për t’u ikur vuajtjeve. Në fillim të 1902 ai pati një vajzë nga Mileva, jashtë martese, e quajtur Lieserl, fati i të cilës është krejt i panjohur: ndoshta u fik që e vogël, ose ndoshta u dha për adoptim, por në fakt çdo gjurmë e saj duket e zhdukur. Pasi u martuan në Bernë në 6 janar 1903, Einstein dhe Mariç patën edhe dy fëmijë të tjerë: Hans Albert, që erdhi në jetë në 1904 dhe më pas u bë profesor i inxhinierisë hidraulike në Berkeley, California, dhe i pafati Eduard, që lindi në 1910 dhe ndërroi jetë në 1965 në një spital psikiatrik, viktimë e një skizofrenie të rëndë.
Annus mirabilis
Mes viteve 1901 dhe 1904 Albert i kish dërguar shtypit disa memorie interesante për fizikën, të parat me firmën e tij. Por gjenia e tij shpërtheu në 1905 me një shpërthim të paparë kreativiteti. Në atë vit mrekullish ai botoi në revistën gjermane Annalen der Physik katër artikuj themelorë në të cilët fuste risi konceptuale, të guximshme dhe të jashtëzakonshme, që do të përbënin bazën për zhvillimin e një pjese të madhe të fizikës së Nëntëqindës: ideja e dritës si bashkësi thërrmijash, fotonesh si dhe shpjegimi i mëpasshëm i efektit të rëndësishëm fotoelektrik (domethënë lëshimi i energjisë elektrike nga një metal i goditur nga drita); demonstrimi përfundimtar teorik i ekzistencës së atomeve; teoria e relativitetit, në të cilën hapësira dhe koha rezultonin të lidhura pazgjidhshmërisht; lidhja mes masës dhe energjisë së një trupi, e sintetizuar në formulën e famshme E=mc2. Jo pak për një 26-vjeçar pothuajse të panjohur që kalonte tetë orë në zyrë dhe që, pa asnjë kontakt me qarqet universitarë, praktikonte fizikën sikur të ishte një argëtim.
Paratë e Nobelit… për bashkëshorten
Disa vite pas daljes së këtyre artikujve, më në fund karriera akademike e Einstein nisi fluturimin. Nga 1909 ai jepte leksione fizike teorike në Zyrih, Pragë, sërish në Zyrih dhe në 1914 u ngjit në katedër në Berlin. Ku, në nëntor të vitit të tjetër përfundoi elaborimin e lodhshëm të teorisë së relativitetit të përgjithshëm, apo teoria e gravitetit që sot është në themel të astronomisë dhe kozmologjisë bashkëkohore. Pasi fitoi famë planetare për shkak të kësaj kryevepre, mes viteve 1921 dhe 1925 Albert kreu shumë udhëtime në të gjithë globin. Por, nuk shoqërohej nga Mileva Mariç, nga e cila ishte ndarë në 1914, por nga kushërira Elsa Loewenthal, me të cilën u martua në 2 qershor 1919 dhe me të cilën qëndroi deri në vdekjen e saj në dhjetor 1936. Milevës, Einstein i la 33 mijë dollarët e Cmimit Nobel të 1921 për fizikën.
Raca: Njerëzore
I nderuar në të gjithë botën, Einstein megjithatë filloi të ketë probleme në Gjermani, duke pësuar manifestime të ndryshëm antisemitizmi, që nga viti 1920. Veç kësaj, ultranacionalistët gjermanë dënonin me urrejtje pozicionet e tij në fushën sociale dhe politike: përçmimin për militarizmin prusian, frymën libertariane, mbështetjen për kauzën pacifiste. Kështu në 1933, pasi Hitleri kishte ardhur në pushtet në Gjermani, Albert u zhvendos në Princeton, New Jersey, me një detyrë si docent për institutit të studimeve të përparuara. Eshtë i famshëm episodi ku, tek plotësonte formularin për lejën e qëndrimit në SHBA, pranë zërit Raca, Einstein shkruajti Njerëzore. Burimet thonë se ai shkruajti në mënyrë më prozaike “hebre” nën të njëjtin zë në listën e pasagjerëve të pranishëm në anijen që, në pranverën e 1921, e kish çuar për herë të parë në tokën amerikano veriore.
Vela, violinë dhe bamirësi
Albert u ambientua shumë shpejt në Princeton, ku krijoi miqësi të reja dhe bënte jetën e qetë që e donte aq shumë. Shpesh herë shihej të udhëtonte me varkë me vela në liqenin e qytetit, apo të jepte shfaqje me violinë në koncerte bamirësie: luante shkëlqyeshëm si amator që ishte, duke luajtur vepra të Bach, Mozart dhe Schubert. Ndonjëherë shkonte në New York, natyrisht i shoqëruar nga të tjerë duke qenë se ai nuk kishte automobil dhe nuk mësoi asnjëherë ta ngasë. Si zakonisht, ishte shkenca që dominonte mendimet e tij. Aq sa një ditë, mu në mes të fjalës së një funksionari të lartë gjatë një pritje solemne për nder të tij, Einstein nxorri një laps dhe nisi të shkruajë disa ekuacione në pjesën e pasme të ftesës. Pasi mbaroi fjala, të gjithë u ngritën në këmbë dhe nisën të duartrokasin në drejtim të tij. Në atë pikë, sekretarja e tij Helen Dukas i pëshpëriti në vesh që duhej të ngrihej: u çua, por filloi edhe ai të duartrokasë deri kur Helen i tha sërish që duartrokitjet ishin pikërisht për të. Deri në fund të jetës, Albert Einstein vazhdoi të jetë shumë aktiv në fushën e fizikës teorike. Mbeti gjithmonë kritik kundrejt mekanikës kuantike, disiplina që edhe sot ofron përshkrimin më të saktë të fenomeneve fizikë në shkallën atomike dhe nënatomike. Që nga 1922 e deri në fund të jetës ai ndoqi një projekt shumë ambicioz: të ndërtonte një teori edhe më të përgjithshme të relativitetit të tij, që mundësisht të shpjegonte përsenë e ekzistencës së ngarkesave elektrike dhe që ndoshta do të zgjidhte problemet që linte pas mekanika kuantike. Por nuk ia doli asnjëherë, edhe pse në një farë kuptimi hapi rrugën për zhvillimin e fizikës në vitet që do të vinin.
Akuza komplotizmi
Në 1 tetor 1940 Einstein u bë nënshtetas amerikan. Një vit më herët i kishte shkruajtur një letër presidentit të atëhershëm të SHBA, Franklin Delano Roosevelt, për ta informuar për rrezikun që Gjermania hitleriane mund të ndërtonte një bombë atomike dhe për të marrë pra, mbështetjen e tij politike dhe financiare për realizimin e një nisme të ngjashme amerikane me qëllim parandalues. E firmosur në 2 gusht 1939, letra i shkoi Rooseveltit në 3 tetor: Lufta e Dytë Botërore kish një muaj që kish shpërthyer. Në vijim, Albert nuk pati asnjë rol në Projektin Manhattan për ndërtimin e bombës atomike, por vetëdija e tij pacifiste ishte trazuar nga rreziku nazist. Në vitin 1943 u zgjodh konsulent në marinën amerikane, në seksionin e eksplozivëve dhe municioneve, dhe në vitin 1944 rishkroi me dorë artikullin e 1905 mbi relativitetin, që kish dalë në ankand për 6 milionë dollarë si kontribut kundër luftës. Në dekadën e parë pas luftës, Einstein vazhdoi të bëjë të dëgjohet zëri i tij në shumë tema politike. Në një letër të hapur drejtuar Kombeve të Bashkuara e datës 1946, kërkoi formimin e një qeverie botërore, ndërsa në 1952 iu ofrua presidenca e Izraelit, që e refuzoi. Një vit më vonë iu kundërvu të ashtuquajturit makartizëm, fushatës antikomuniste të asaj kohe në SHBA që erdhi si nismë e senatorit Joseph McCarthy. E pashmangshme, ai vet u dyshua për komunizëm. Në të vërtetë, Einstein ishte një mbrojtës i lirive individuale dhe institucioneve demokratike, dhe urrente tiraninë e sistemit sovjetik. Aq sa nuk pranoi asnjëherë ftesa të shumta për të vizituar BRSS. Në 11 prill 1955 Einstein firmosi një manifest pacifist të redaktuar nga matematicieni dhe filozofi britanik Bertrand Russell, ku ftoheshin të gjithë shtetet që të hiqnin dorë nga armët bërthamore. Ai ishte akti i tij i fundit publik. Ndërroi jetë në spitalin e Princeton pikërisht një javë më vonë, në moshën 76 vjeçare. Sipas amanetit të tij, trupi u dogj dhe hiri u shpërnda në një vend të fshehtë. Për të vazhdohet të flitet me pasion edhe sot. Aq sa, si dëshmi e popullaritetit të tij të paperëndueshëm, në dhjetor 1999 Einstein u kurorëzua “njeriu i shekullit XX” nga e përjavshmja Time, për të nderuar “profesorin e sjellshëm, fytyra e të cilit u bë simbol dhe emri i të cilit u bë sinonim i gjeniut”. /Storica/ Bota.al