Dorëshkrimet e panjohura të De Radës
Njohja e re e Jeronim De Radës / Gjashtë vëllime të hartuara nga profesor Françesko Altimari sjellin të plotë dimensionin letrar të një prej figurave më të njohura të letërsisë arbëreshe … Nga Biblioteka e Kopenhagës, Kozencës, Napolit te familjet e vjetra shqiptare në Itali, në gjurmët e dorëshkrimeve që do ta bënin të plotë veprën e De Radës në 200-vjetorin e lindjes së tij…
Motivet që e shtynë të merret me veprën e De Radës gjatë periudhës para Milosaut (1833-1835), profesor Françesko Altimari pëlqen t’i përmbledhë me një citim të marrë nga studimi monografik i Arshi Pipës mbi veprën e De Radës, ku thotë: “Meqenëse Milosao është e para vepër e botuar nga De Rada dhe njëherazi kryevepra e tij poetike, çdo dorëshkrim që i paraprin dhe që lidhet me të, ka një vlerë më të madhe se çdo material tjetër poetik”. Arshi Pipa do ta shkruante këtë fjali më 1978-n, në një artikull të botuar në gjermanisht, ndërsa profesor Altimari do të niste rrugëtimin e tij në zbulim të botës së patreguar të De Radës në fillim të viteve 1990. “Ky eksplorim i gjatë, i lodhshëm, por mahnitës i shkrimeve të para deradiane që zuri fill në vitin 1991, gjatë fazës së parë kërkoi identifikimin dhe klasifikimin e dorëshkrimeve të De Radës që i përkasin periudhës para botimit të “Këngëve të Milosaos” (1836), dorëshkrime që u gjetën me vështirësi të mëdha nëpër biblioteka dhe arkiva publike e private të vendeve të ndryshme (Itali, Shqipëri, Danimarkë). Pastaj vijoi faza e dytë e punës shkencore, e cila konsistoi në shqyrtimin dhe analizimin me metoda rreptësishtë ekzotike të dorëshkrimeve të gjetura, një pjesë e të cilave ishin të pabotuara e që i përkisnin periudhës 1833-1835”, thotë prof. Altimari. Nga gjashtë përmbledhjet që përbëjnë korpusin e plotë të veprave të De Radës, sipas prof. Altimarit vetëm tre prej tyre ishin të transkriptuara dhe të botuara, edhe pse me mangësi dhe gabime filologjike, ndërsa të tjerat, që ishin zbuluar më vonë, nuk ishin botuar kurrë, madje disave prej tyre u ishte vënë në dyshim edhe autorësia e De Radës, çka do të kërkonte një punë këmbëngulëse për t’u vërtetuar. “Këto dorëshkrime, që në fillim u transkriptuan dhe shqyrtuan veçmas, pastaj u vështruan si faza të së njëjtës vepër në proces shkrimi, si pjesë e një sistemi të vetëm tekstor, përfaqësojnë skicat e mbledhjeve të para folklorike dhe avantekstet e veprave të para poetike të De Radës: ‘Kënga e Milosaut’ dhe ‘Kënga e Serafina Topisë’”, thotë profesor Altimari. Korpusi i plotë i dorëshkrimeve autografe përbën tërësinë e dorëshkrimeve të para poetike, që profesor Altimari i quan me emrin e përgjithshëm “Këngët e Milosaut”, duke iu dukur i përshtatshëm si emërtim për të shënuar të gjitha tekstet që i paraprijnë kronologjikisht veprës së parë të botuar të poetit. Një tjetër risi në këtë përmbledhje të veprave të De Radës është dhe trajtimi për herë të parë në filologjinë shqipe i problemit të avanteksteve. Kjo vonesë e gjen shpjegimin në kushtet e vështira të ruajtjes së dorëshkrimeve, por edhe mungesës së strukturave të posaçme kulturore e institucionale (arkiva dhe biblioteka), ku të ruheshin dhe të studioheshin dëshmitë letrare e kulturore të një vendi, i cili deri në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të kaluar nuk kishte fituar ende pavarësinë politike dhe nuk kishte asnjë formë të organizimit shtetëror. Në këto kushte, sipas profesor Altimarit, ishte dhe mbetet ende problem gjetja e dëshmive letrare dhe kulturore të shpërndara në vende të ndryshme të Mesdheut, sidomos të dorëshkrimeve që iu paraprijnë veprat e shtypura. Duke nisur nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, avantekstet u bënë objekt i një disipline të re, e cila lindi në gjirin e filologjisë franceze e njohur me emrin “kritikë gjenetike”. Jo rastësisht kjo sprovë e parë e botimit të avanteksteve në filologjinë shqiptare ka të bëjë me dorëshkrimet e De Radës, të cilat, duke qenë pjesë e trashëgimisë së poetit të madh arbëresh, qysh në vitet ’30 të shekullit të kaluar tërhoqën vëmendjen e Akademisë së atëhershme italiane. Tashmë në një vëllim pas një pune të gjatë gjenden të gjitha dorëshkrimet e periudhës 1833-1835, që ruhen në biblioteka dhe arkiva të ndryshme në Itali dhe jashtë saj e që përmbajnë jo vetën avantekstin e Milosaut, por edhe atë të Serafina Topias, si dhe bërthamat e përmbledhjeve të para folklorike të De Radës. Janë gjashtë vëllime të plota të botuara me rastin e 200-vjetorit të lindjes së poetit, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës. Vëllimi i parë është “Këngët e Millosaut”, përgatitur nga profesor Altimari. Vepra e dytë është sërish mbi “Këngët e Millosaut”, nga prof. Altimari, duke studiuar tri variantet e botuara në vitet 1836, 1847, 1873. Sipas tij, kjo poemë e njohur nuk mund të analizohet veçmas vetëm duke ndjekur kronologjikisht tri botimet sipas viteve më lart, pasi ajo përfaqëson bërthamën e një projekti letrar që De Rada e ndoqi gjatë gjithë jetës së tij. Vepra e tretë është “Këngët e Serafinës Topia” një botim kritik i varianteve të viteve 1839, 1843, 1898 hartuar nga studiuesja Fiorella De Rossa. Vëllimi i katërt është “Këngët e Arbërit” përgatitur sërish nga De Rossa. Ndërsa “Rapsoditë Arbëreshe” përbëjnë veprën e pestë sërish nën hartimin e De Rossa-s. Ndërsa “Skënderbeu i pafan” përbën vëllimin e gjashtë përgatitur nga Vincenzo Belmonte. Ai e quan këtë poemë si një ndër veprat më pak të studiuara të De Radës për vetë kompleksitetin gjuhësor dhe strukturor që mbart. Ardhja e plotë e një prej figurave më të njohura të letërsisë arbëreshe si Jeronin De Rada me një korpus të plotë veprash, rrit jo vetëm dimensionin e tij letrar, por pasuron një periudhë të rëndësishme të letrave shqipe, me penën e një personazhi tepër aktiv.
Dorëshkrimet e Frasnitës
Janë dy përmbledhje të vogla këngësh popullore arbëreshe të gjetura në shtator të vitit 1970 në fshatin Frasnitë, në shtëpinë që dikur ishte pronë e familjes Dorsa nga papas Antonio Bellusci, i cili i emërtoi përkohësisht si dorëshkrimi A dhe dorëshkrimi B. Këto dorëshkrime, në atë periudhë të pabotuara, do t’i binin për herë të parë në dorë profesor Altimarit në vitin 1985, kur i duhej të përgatiste një kumtesë për një konferencë që u organizua në Kozencë me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Vincenzo Dorsa-s. Letra është e tipit të shkrimit me dorë e vijëzuar me laps dhe ka një filigran me emrin e prodhuesit “Bondon”, si dhe vitin e prodhimit 1822. Të dyja dorëshkrimet kanë të njëjtat karakteristika. Viti i prodhimit në filigran është 1817. Ky tipar i prodhimit të letrës në filigran, përkatësisht 1817 për dorëshkrimin A dhe 1822 për dorëshkrimin B, i ka shtyrë disa studiues që janë marrë me to, si italiani Antonio Bellusci dhe Dhimitër Shuteriqin, t’i konsiderojnë ato me siguri “paraderadiane”. Fillimisht ndryshimet në sistemet grafike e kishin bërë Bellusci-n të mos ua atribuonte autorësinë e tyre as Dorsa-s as De Radës, por disa mbledhësve anonimë. Më pas, sipas profesor Altimarit, ai do t’i njohë autorësinë De Radës duke pranuar përfundimet e Qemal Haxhiasanit dhe Françesko Solanës, të cilit ndërkohë i ishin drejtuar për një mendim. “Teza e një prejardhjeje të hamendësuar ‘paraderadiane’ e dy dorëshkrimeve që u gjetën në shtëpinë e Dorsa-s fillimisht na shtyu që gjatë kërkimit për identifikimin e autorësisë së tyre të konsideronim dhe autorë minorë të asaj periudhe si Angelo Basile dhe Rafaele Lopez. Kështu, për të gjetur përkime të mundshme në rrafshin grafologjik, shqyrtuam fondin e pasur epistolar të De Radës, që ruhet pranë bibliotekës së qytetit të Kozencës dhe pranë arkivit të shtetit Tiranë, duke ballafaquar letërkëmbimin e tij të pasur me intelektualë të tjerë arbëreshë të kohës”, thotë prof. Altimari. Ky kërkim do t’i bënte të përjashtonin intelektualë të tjerë, si autorë të mundshëm të këtyre dy dorëshkrimeve të Frasnitës dhe për të konfirmuar bindjen se ato i përkasin De Radës. Analizat e mëvonshme të imta grafologjike do t’i siguronin se ato tekste ishin shkruar nga De Rada, e vetmja gjë që ndryshon mes tyre është shpejtësia e shkrimit dhe ngjyra e bojës.
Dorëshkrimi i Tiranës
Në mars të vitit 1991, Françesko Altimari, i ndihmuar nga drejtori i atëhershëm i Arkivit të Shtetit në Tiranë, Thoma Murzuku, mundi të siguronte një dorëshkrim të rëndësishëm të poetit që prej vitesh ruhej aty, e që ishte botuar në version të transkriptuar nga Dhimitër Shuteriqi më 1974-n. Dorëshkrimi duhet të kishte përfunduar në Tiranë, ndoshta gjatë pushtimit fashist pas vitit 1939, falë një vendimi të Akademisë së Italisë për të blerë të gjitha dorëshkrimet autografe të De Radës, që asokohe gjendeshin në pronësi të trashëgimtarëve të tij, e për t’i ruajtur ato në Shqipëri. Në një nga veprat e tij, Dhimitër Shuteriqi shprehet kështu për këtë dorëshkrim: “Punonjësit e arkivit mendojnë se Radhoi është aty që me krijimin e institucionit më 1946-n, por prejardhja nuk i dihet. Mund të mendohet se ka përfunduar në Shqipëri në kohën e luftës në mos edhe më herët. Mund ta kenë blerë p.sh. trashëgimtarët e poetit, Ministria e Arsimit të asaj kohe ose ndonjë person”. Dorëshkrimi është pjesë e një fondi të pasur me dokumente nga De Rada, që për shumë kohë mbeti i panjohur për studiuesit pasi arkivi qendror shqiptar vetëm në vitin 2000 bëri publik inventarin e tij. “Mendojmë se ai fond përbëhet nga një pjesë e dorëshkrimeve të De Radës, që shteti italian u ble pasardhësve të poetit, çka dëshmohet edhe nga gjetja në Arkivin e Shtetit të një skede me katër faqe që përmban listën e plotë të veprave të shtypura të De Radës, si dhe dorëshkrimeve që i përkisnin atij, shumë prej të cilave sot ruhen në Bibliotekën e qytetit të Kozencës”, thotë Altimari. Dorëshkrimi i Tiranës përbëhet nga një fletore e vogël, me letër të trashë, me 42 fletë të shkruara, që përmbajnë gjithsej 40 këngë të shpërndara në dy poemat e De Radës “Këngët e Milosaos” dhe “Serafina Topia” në versionin e parë … Sipas profesor Altimarit, mungesa e fshirjeve, ndreqjeve, rishikimeve anash faqeve e bën të besojë se ky dorëshkrim është një version në kopje të pastër, pra të kopjuar nga variante pararendëse ose që kanë humbur përgjithmonë ose mund të gjenden ndokund nëpër arkiva privatë ende të panjohur. “Mendojmë se do të ketë qenë pikërisht Dorëshkrimi i Tiranës ose ndonjë dorëshkrim ende i panjohur me strukturë kompozicionale binare nga 20 këngë për çdonjërën nga dy poemat që përkojnë me ato që Arshi Pipa ruan përkatësisht “Proto Milosao A” dhe “Proto Serafina A”, ai që përfaqëson atë roman lirik të dyfishtë që De Rada kishte parasysh kur i shkruante në vitin 1834 letrën e famshme mikut të tij Raffaele Zagarese, e cila u përfshi si parathënie e botimit të parë të Milosaut, por që në fakt nuk i referohej atij versioni të botuar”, thotë prof. Altimari.
Dorëshkrimi i Kopenhagës
I pari studiues që theksoi rëndësinë e këtij dorëshkrimi ka qenë Arshi Pipa, i cili, duke përshkruar fondin e pasur albanologjik që ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës, vuri në dukje se ky material, edhe pse më i paktë në numër nga ai i fondit “De Rada” të bibliotekës së qytetit të Kozencës, për nga cilësia është shumë më i rëndësishëm, sepse përmban dorëshkrime që kronologjikisht paraprijnë ose pasojnë menjëherë botimin e parë të Milosaut 1836. Ekzistenca e këtij dorëshkrimi tregohet për herë të parë nga Giuseppe Gangale në vitin 1972, në një kumtesë që mbajti në një konferencë në Innsbruck kushtuar albanologut austriak, Norbert Jolk, ruhet sot sipas klasifikimit që i bëri vetë Gangale në “theca V” të fondit “Albansk Samling”, pranë bibliotekës daneze. Sipas profesor Altimarit, kemi të bëjmë me një nga përmbledhjet e para poetike të De Radës. Ato përfshijnë disa nga krijimet letrare në arbërisht, të cilat paraprijnë botimin e parë të “Këngës së Milosaos”. “Teksti i kësaj përmbledhjeje na ka mbërritur i dëmtuar dhe i paplotë: mungojnë me siguri pjesa e fundit e këngës 5, fillimi i këngës 6, si dhe e gjithë kënga 9, pjesa e parë e këngës 10, këngët 22 dhe 23, fillimi dhe mesi i këngës 24 e ndoshta dhe përmbyllja e këngës 8. Për fat të mirë kemi mundur t’i plotësojmë këto mangësi falë ballafaqimit me dorëshkrimin e Tiranës”, thotë profesor Altimari. Dorëshkrimi është sjellë në Kopenhagën nga Giuseppe Gangale, i cili mendohet se e ka gjetur në Kalabri gjatë fushatës kërkimore që mori në vitet 1956-1968. Edhe pse nuk ka asnjë dëshmi të shkruar mbi vendin e gjetjes a emrin e pronarit të tij, mendohet se këtë dorëshkrim Gangale e ka marrë nga Biblioteka e qytetit të Kozencës. Arshi Pipa, duke folur për fondin e dorëshkrimeve shqipe të Bibliotekës së Kopenhagës, pasi konstatoi se lënda poetike në atë fond është shumë e vlefshme për të hetuar gjenezën e poezisë së De Radës, kaloi në përshkrimin e këtij dorëshkrimi që, sipas tij, është “një fletore e paplotë shënimesh …”.
Studimet e Fiorella-s
Studiuesja italiane Fiorella De Rossa sjell në një vëllim botimin kritik të dy varianteve të Rapsodive arbëreshe në veprën V. “Në vitin 1866, Jeronim De Rada botoi veprën ‘Rapsodi’ të një poeme shqiptare”, një përmbledhje me këngë popullore arbëreshe që u botua me nxitjen e mikut të poetit Niccolo Tommaseo, një prej shkrimtarëve dhe gjuhëtarëve më të shquar italianë të shekullit XIX”, thotë De Rossa. Poeti i ka organizuar rapsoditë sipas tri cikleve a periudhave historike të Shqipërisë: libri i parë rrëfen begatinë dhe paqen që paraprijnë pushtimin turk, libri i dytë luftën dhe qëndresën kundër hordhive turke, libri i tretë mërgimin e arbëreshëve në dhé të huaj pas pushtimit turk dhe mallin për atdheun. Në vitin 1848, me t’u kthyer përfundimisht në fshatin e lindjes, De Rada nisi të ndreqë dhe të sistemojë këngët e shumta popullore që kishte mbledhur deri atëherë, përmes të cilave poeti i ri kishte zbuluar dhe njohur rrënjët e të parëve. “Ai mendonte se këngët popullore të ngulmimeve arbëreshe ishin fragmente të një poeme të shekullit XV ndaj qëndresës së Arbrit kundër pushtuesve turq. Poeti besonte se botimi i kësaj poeme kombëtare do të ngrinte para Europës çështjen shqiptare dhe do të ngjallte te shqiptarët shpirtin e lirisë, i cili do t’i shtynte ata drejt përpjekjes për të fituar atë pavarësi dhe dinjitet që gëzonin kombet e tjera europiane”, thotë De Rossa. De Rada do të haste vështirësi për botimin e veprës së tij. Që prej nëntorit të vitit 1860, ai u përpoq të kontaktonte me një botues, duke i kërkuar ta botonte poemën. “Vetëm në vitin 1866, pasi i kërkoi mikut Niccolo Tommaseo, njërit prej personazheve më të njohura të letrave italiane të kohës që interesohej për folklorin dhe poezinë popullore të kombeve ballkanike, do të gjente një botues në Firence që do t’ia botonte librin. Në fakt, De Rada shpresonte që Tommaseo ta rishikonte të gjithë tekstin, pasi besonte se ndërhyrja e një studiuesi të famshëm si ai do t’i jepte veprës një vlerë letrare dhe politike që të favorizonte lëvizjen kombëtare shqiptare, të cilën ai e kishte mbështetur bashkë me Dora D’Istrian”, thotë De Rossa. Ndihma e Tommaseo-s rezultoi e vlefshme, sepse poeti jo vetëm gjeti një botues fiorentin, por rishikoi dhe versionin italisht të Rapsodive, kontrolloi bocat, si dhe ndoqi deri në fund procesin e shpërndarjes së veprës. Vetë titulli që ai i vendosi poemës, “Rapsodi kombëtare”, tregonte angazhimin që ai donte të bënte përmes letërsisë për çështjen kombëtare. Zgjedhjen e këtij titulli e ka shpjeguar më së miri Michelangelo La Luna në parathënien e librit “Letërkëmbim me Jeronim De Radën dhe Niccolo Tommaseo-n”, ku thotë se De Rada shqetësohej se mos rapsoditë konsideroheshin një trillim poetik dhe jo si një vepër me vlerë historike dhe politike. Sipas Françesko Altimarit, zgjedhja e titullit përfundimtar për këtë vepër Rapsodi të një poeme arbëreshe përligjej nga synimi për t’i dëshmuar Europës së shekullit XIX ekzistencën e një kombi të një gjuhe e të një kulture shqiptare të rrezikuar nga pushtimi turk i shekullit XV. Fakti që De Rada vetë nuk e besonte se këngët popullore ishin vërtet pjesë të mbetura të një poeme të lashtë, dëshmohet edhe nga titulli “Rapsodi kombëtare” që i vuri botimit të dytë të veprës. Sipas studiuesit La Luna, kjo hipotezë mund të duket tepër e guximshme, pasi në shumë letra De Rada ngjan i bindur që ia doli të rindërtonte pas një pune 30-vjeçare një poemë të lashtë shqiptare. Duke besuar në idetë romantike të kohës, sipas një studiuese, De Rada besonte se kishte në duar fragmente të një poeme mesjetare shqiptare. Rapsoditë nuk janë një trill romantik i poetit, por një vepër që synon të ngjallë një kontekst historik dhe poetik, i cili do t’i japë udhë rilindjes shqiptare përmes zbulimit të traditave, kujtimeve dhe legjendave. Fiorella De Rossa është një studiuese e lidhur fort me veprën e De Radës, dhe një nga kontribuueset në njohjen e dimensionit të ri letrar të poetit.
Dashuria e pafat e Serafinës
Në vitin 1839, Jeronim De Rada dorëzon për shtyp botimin e parë të poemës “Serafina Topia”, që më pas do ta botojë edhe dy herë të tjera. Poeti tregon bëmat e princeshës së Artës që jetoi në shekullin XV dhe u martua me princin Nikollë Dukagjini. Sipas poetit, këto këngë duhet “të ishin fragmente poezish të shekullit XV që përfaqësonin jetën e shqiptarëve dhe pjesërisht historinë e luftës që ata bënë kundër turqve”, të hartuara nga një grua “Serafina e lindur në Artë, bija e dukës, Andrea Topia”. De Rada shkroi “fragmente” dhe jo një vepër të plotë. Rrëfimi zhvillohet përmes imazhesh që tregojnë dashurinë mes Serafinës dhe Bosdarit. Sipas studiueses Fiorella De Rossa, studimi i veprave të shumta të botuara dhe të mbetura në dorëshkrim të De Radës ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve. “I pajisur me një talent të fortë, gjithnjë i pakënaqur nga çfarë krijonte De Rada, rishkruante dhe përpunonte vazhdimisht gjithçka që kishte shkruar”, thotë De Rossa, e cila e sheh Serafina Topian si një vepër që zbulon dhe kompleksitetin e De Radës. Në dimrin e vitit 1839, ai ia dorëzoi poemën shtypshkronjës “Boeziana” të Napolit që t’ia botonte. Mirëpo, në vitin 1840, zyra e censurës nuk e autorizoi qarkullimin e veprës dhe vetëm pak kopje mundën t’i shpëtonin censurës së kishës. Janë disa variante botimi të kësaj poemë të mëvonshme. Studiuesi Elio Miraço thotë se në Bibliotekën Kombëtare të Napolit ruhet një kopje e botimit të vitit 1843. Botimi i mëparshëm daton në vitin 1839. Të dyja botimet kanë ndjeshmëri të ndryshme, çka lidhet me ndjeshmërinë e poetit në vitet përkatëse. “Në botimin e vitit 1839, gjejmë tjetër frymë poetike nga ajo e botimit të dytë, sepse edhe gjendja shpirtërore e poetit ishte e ndryshme. Në fakt, vihet re një prirje më e madhe për të rrëfyer përmes imazheve dhe ngjarjeve ndjenjat dhe ndjesitë e shpirtit njerëzor. Më të pakta janë dyzimet shpirtërore, pendimet, vështrimet e ndrojtura, kujtimet nostalgjike, më i fortë është vullneti për të luftuar, toleranca, guximi dhe këmbëngulja”, thotë De Rossa. Dashuria e fshehtë dhe e pafat e Serafinës është dhe udhëtimi më i bukur përmes së cilës De Rada shtjelloi ndjesitë e tij për dashurinë. Në atë periudhë ishte vetëm 25 vjeç. Shqip