Risitë e Festivalit të Kanës
Festivali më i famshëm i filmit në botë njoftoi përzgjedhjen për konkursin e këtij viti.
Zyrtarët e Festivalit të Kanës thanë se kanë përzgjedhur mes një numri rekord prej 1,869 filmash për të nxjerrë 49 që do të shfaqen muajin e ardhshëm në Rivierën Franceze. 20 nga filmat do të konkurrojnë për çmimin e madh Palma e Artë.
Filmat në edicionin e 69 të festivalit do të përfshijnë ata me temë serioze por edhe të lehtë.
Regjisori dhe aktori amerikan Sean Penn ka marrë vlerësime për filmin e tij “The Last Face,” rreth punonjësve të ndihmave në Afrikë, ku luajnë aktorët Charlize Theron dhe Javier Bardem.
“Loving,” me regji të amerikanit Jeff Nichols, është historia e vërtetë rreth Richard dhe Mildred Loving, një çift i përzier nga pikëpamja racore në Amerikën e viteve 1950 që përballen me racizmin.
“The Neon Demon” është një film horror rreth modeleve kanibalë në Los Anxheles.
Filma nga tre regjizore femra po konkurrojnë për çmimin e prestigjioz: regjisorja gjermane Maren Ade me filmin “Toni Erdmann,” britanikja Andrea Arnold me “American Honey” dhe francezja Nicole Garcia me “From the Land of the Moon.”
Organizatorët e festivalit janë kritikuar në të kaluarën për kufizime në zgjedhjen e regjisoreve femra.
“Edhe pse festivali zhvillohet në Francë, ai nuk është festival francez. Është ndërkombëtar,” tha drejtori Thierry Fremaux.
Megjithatë, gazetarët theksuan në një konferencë shtypi se deri tani ka vetëm një film konkurrent nga Amerika Latine dhe asnjë film nga Afrika apo Lindja e Mesme.
Filmi i regjisorit Woody Allen “Cafe Society,” me aktorët Kristen Stewart dhe Jesse Eisenberg, do të hapë festivalin por nuk është konkurrent në të. Festivali zhvillohet nga 11 deri në 22 maj.