Ekskluzive/Bashkëbisedimi i plotë i Ambasadorit të BE, Ettore Sequi me Ismail Kadarenë
Në kuadër të një iniciative të Delegacionit të Bashkimit Europian, ku shkrimtarë, filozofë, analistë, artistë, ndajnë me Ambasadorin e Bashkimit Europian dhe me publikun shqiptar vizionin e tyre mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, bashkëbisedimi u realizua mes shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare dhe ambasadorit Ettore Sequi. I pyetur nga ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, se ç’është Europa për Shqipërinë, Kadare u shpreh “vetvetja ose gjithçka”. Gjatë dialogut, Kadare shprehet në lidhje me Shqipërinë dhe integrimin e saj në Bashkimin Europian, se me çfarë hapi duhet të ecim në mënyrë që arrijmë integrimin.
Ambasadori Sequi: Zoti Kadare, ju falenderoj shumë që pranuat të jeni pjesë e kësaj iniciative ku Ambasadori i Bashkimit Europian po vendos një dialog të hapur me disa nga përfaqësuesit e shquar të shoqërisë shqiptare lidhur me një nga temat më të rëndësishme të ditës, shumë “në modë” për çdokënd, e cila është tema e integrimit evropian të Shqipërisë. Eshtë nder për mua si përfaqësues i Bashkimit Europian t’ju kem ju si bashkëbiseduesin tim në këtë shkëmbim të hapur idesh e pikëpamjesh. Ju jeni gjeniu i letrave shqipe dhe nuk do ta teproja po të thoja personaliteti më i shquar i kulturës shqiptare. Një mik shqiptar më ka thënë se, kohë më parë, mbase ende në fillimin e ekzistencës së shtetit të ri shqiptar ose edhe pak më vonë, kur një shqiptar udhëtonte jashtë Shqipërisë ose kur i hipte për shembull ndonjë anijeje për të shkuar drejt Perëndimit, ai përdorte shprehjen “po marr rrugën për në Evropë”, sikur Shqipëria të mos ndodhej në Europë. Më kanë thënë se kjo shprehje përdorej edhe në Greqi para shumë kohësh. Personalisht, besoj se Shqipëria i përket Evropës, jo vetëm gjeografikisht, por si një entitet i gjallë në shumë aspekte. Zoti Kadare, çfarë është Evropa për shqiptarët: një territor, koncept, qëllim, ëndërr, ribashkim e rikthim në familje?
Ismail Kadare: Eshtë krejtësisht e vërtetë ajo që thoni ju për temën e integrimit në Europë, si tema më pasionante e gjithë shqiptarëve sot. Do të shtoja këtu: është lumturisht e vërtetë. E kundërta do të ishte e pikëllueshme. Përsa i përket atij pikëshikimi të jashtëm të Europës, në Shqipëri e në Ballkan, jam plotësisht në një mendje me ju. Veç këtu, në vend të fjalës lumturisht, do të thoja fatkeqësisht. Europa për disa shekuj rresht u bë kaq e huaj për gadishullin ballkanik, sa dukej sikur ndodhi një çarje tektonike. Në të vërtetë as Ballkani nuk u zhvendos askund e aq më pak zhvendosjen e bëri Europa. Por, largësia e brendshme mendore e shpirtërore ishte e tillë sa që çoi në krijimin e paradoksit që përmendët ju. Në shekullin XX, si të mos i mjaftonte largësia e vjetër, komunizmi shqiptar krijoi për Shqipërinë një largim të ri. Europa u bë «imperialiste», hapësirë e ndaluar, dyfish e largët, shumëfish armiqësore. Ne tani përdorim natyrshëm shprehjen: rikthimi në Europë, thua se bëhet fjalë për një rrugëtim në kah të kundërt drejt kontinentit që kemi lënë pas e që na pret. Kaq e rëndë ka qenë drama sa që e kemi vështirë të pranojmë se ne u bëmë joeuropianë, me një fjalë, u çevropianizuam, jo të transferuar në ndonjë hapësirë tjetër, në ndonjë trevë internimi, por aty ku kemi qenë, mu në mes të Europës. Aty u ndamë prej saj, u rrethuam me tela me gjemba, si të mallkuarit e dheut. Ndaj kur bëhet fjalë për integrim, për rikthim në Europë, dihet se ky proces i kundërt do të krijohet atje ku ndodhi e keqja. Me fjalë të tjera, aty ku kemi qenë, e aty ku jemi sot. Në këtë kah, pyetjes suaj se ç’është Europa për Shqipërinë do t’i përgjigjesha: vetvetja, ose gjithçka. Dhe do të shtoja, ndoshta, fjalët: gjendja e natyrshme e Shqipërisë. E vetmja.
Ambasadori Sequi: Nga “Kështjella” tek “Sjellësi i Fatkeqësisë”, nga “Viti i Mbrapshtë” te “Doruntina”, për të përmendur vetëm disa nga librat tuaj, ju flisni për marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën, për vendin e Shqipërisë në Europë dhe për rreziqet e shkëputjes nga Europa. Në shumë ese dhe intervista tuajat, ju flisni për atë që ju e quani “identiteti europian i shqiptarëve”. Shkurtimisht, cilat do të ishin sipas jush tiparet dalluese të këtij identiteti? Një pjesë të kohës ju jetoni në Francë, në “Europë”. A mendoni se ekziston një identitet i përbashkët europian ose siç thotë Wim Wenders, një Europë si shpirt? Nëqoftëse po, cilat janë marrëdhëniet e identitetit shqiptar dhe atij europian në ditët tona?
Ismail Kadare: Për të filluar nga fundi i pyetjes suaj. Europa si frymë, si parim shpirtëror është përcaktuar qysh në shekullin e kaluar. Ajo ç’ka qenë e vlefshme për kombin, ka vazhduar të jetë e vlefshme për një familje kombesh. Dhe Europa, ashtu siç thoni ju, e tillë është konceptuar nga themeluesist shpirtërorë të saj, si familje. Në këtë kah, krijimi i Europës se Bashkuar, duke qenë lajm i mirë për europianët e vjetër, ka qenë dyfish i tillë për ne të tjerët, ne që e kishim humbur atë.
Për ne Europa, përpara se të jetë një luks, një shkallëzim drejt përparimit, një përkryerje, ka qenë një domosdoshmëri. Një jetë e munguar. Për shqiptarët, populli më i vetmuar i kontinentit, ka qenë më shumë se kaq: një vatër. Kjo mund të tingëllojë si patetike, por nuk është ashtu. Për një popull pa familje, gjetja e kësaj të fundit është hyrje në një fazë krejtësisht të re të ekzistencës. Me fjalë të tjera, për herë të parë në këto 600 vitet e fundit Shqipëria bëhet gati të hyjë në kontinent pa vetminë e saj. Dhe kjo fazë e re kërkon vetvetiu doktrinën e vet. Doktrinat e popujve përpunohen shpesh në faza të vështira. Ka qenë rilindja kombëtare shqiptare, bijë e iluminizmit të largët europian, që përcaktoi orientimin e ri shqiptar. Sintagmat «Liri» dhe «Evropë» po afroheshin përherë e më tepër. Lideri rilindas, Naim Frashëri shkoi edhe më tej, duke e parashtruar këtë ide të re në një formë përmbysjeje kozmike. Në një vjershë programatike ai do të shkruajë se drita për Shqipërinë nuk lind nga Lindja, por nga Perëndimi. (O dritëz e bekuar, që lind nga perëndon). Sipas rilindasve, një Shqipëri e lirë, serioze dhe e moralshme mund të ishte e tillë vetëm në kontinentin e vet.
Ambasadori Sequi: Kohë pas kohe, u them bashkëbiseduesve dhe miqve të mi shqiptarë se të bëhesh pjesë e Bashkimit Europian, ose e Europës, është dhe duhet të jetë natyrisht një objektiv kombëtar, madje sot më shumë se kurrë. Por, nga ana tjetër unë u them atyre se të bëhesh anëtar i familjes së madhe europiane nuk është retorikë boshe ose një qëllim në vetvete. Personalisht, besoj se të jesh pjesë e Europës, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është një objektiv i cili i ndihmon vendet tuaja dhe popujt tuaj të përqafojnë dhe venë në praktikë vlerat që qëndrojnë në themel dhe që anëtarët e klubit europian i ndajnë së bashku dhe që në fund të fundit i bëjnë vendet dhe shoqëritë tuaja më demokratike, më të lira, më të begata: dmth, do të bënte që njerëzit tuaj të jetojnë gjithmonë e më mirë e më në paqe e harmoni. Në një intervistë, ju flisni për “adhurimin pa kusht që shqiptarët kanë për Europën” dhe i referoheni madje dhe një poeti shqiptar të viteve ’30 i cili shprehej se “ne e duam Perëndimin/Europën me dashuri tragjike”. Ne esenë tuaj brilante “Mbi identitetin europian të shqiptarëve” ju shkruani se “humbja dhe rigjetja e kontinentit mëmë, nuk të bën më pak europian se të tjerët. Përkundrazi, ajo të bën më shumë”. Si një vëzhgues i hollë dhe i veçantë i jetës shqiptare, a mendoni se jo gjithmonë kuptohet se të udhëtosh pa viza në Europë nuk të bën automatikisht pjesë të Europës ose europian, porse ka elemente të tjerë shumë të rëndësishëm, ato vlerat themelore që përmendëm më sipër, të cilat një vend duhet t’i përqafojë e t’i bëjë pjesë të brendshme e reflekse të vetat që të quhet vend europian?
Ismail Kadare: Eshtë e vërtetë se kur diçka e dëshiron tej masës, rrugëtimi drejt saj mund të ndërlikohet nga keqkuptimet. Shqiptarët janë të shquar për këto të fundit. Të bindur se e duam më shumë dhe më ngutshëm se të tjerët Europën, ka shumë prej nesh, që kujtojnë se ky është argument i mjaftueshëm për të bindur këdo, se më shumë dhe më shpejt se të tjerët e meritojmë atë. Këtë keqkuptim nga një tjetër, më i rëndë se ky, nuk e ndan veçse një hap. Keqkuptimi i ri ka të bëjë me një përshkallëzim të dy të tjerëve. Nga formula ‘e meritojmë ngaqë e duam’, kalojmë lehtësisht në fazën tjetër, bindja se jemi ndërkaq europianë.
Nga një pikëshikim i parë, kjo bindje naive ngjan befasuese në kuptimin jo të mirë të fjalës. Ju, si përfaqësues i Europës, keni plotësisht të drejtë të na kujtoni se çështja e të qenit europian nuk është qëllim në vetvete, si të thuash, ngjitja në një rang më të zgjedhur e më elitar. Përvetësimi i vlerave të popujve që përbëjnë klubin europian, përpara se të jetë respekt për Europën do të jetë respekt për vetveten. Ai lidhet me nivelin e jetës lëndore, shpirtërore, institucionale, juridike. Të gjitha këto shkojnë bashkë, sipas një harmonie të brendshme. Ndërkaq ju jeni përfaqësues i Europës dhe unë, pa dashur të luaj avokatin e djallit, do të doja t’ju thoja se një farë zjarrmie e theksuar, një farë shprese e padurimi naiv, është ndoshta më e mirë se ftohtësia dhe mosbesimi. Kur përmenda optimizmin e tepruar për evropianizimin, nuk fola për të kundërtën që, për fat të keq, gjithashtu është e tepruar. Mendimi fatalist se ballkanasit nuk bëhen dot kurrë europianë, është i përhapur në gadishull. S’duhet harruar se një perandori pushtuese shumëkombshe, siç ka qenë ajo osmane, një ndër synimet e përhershme që ka është krijimi i mosbesimit të kombeve te vetvetja. Në fund të fundit besimi te vetja, në këtë rast, bëhet pjesë e lirisë. Ai do të ndihmojë që vlerat dhe standartet europiane, për të cilat flitet aq shumë sot, ta kenë më të lehtë rrezatimin e tyre tek ne.
Ambasadori Sequi: Siç e përmendëm më sipër, që të jesh pjesë e Europës duhet të përqafosh vlerat dhe parimet themelore të familjes europiane. Më 10 tetor të këtij viti, Bashkimi Europian do të nxjerrë një raport vjetor, që ne e quajmë Raporti i Progresit, në të cilin do të bëjmë analizën dhe vlerësimin e progresit të bërë nga Shqipëria që nga viti i kaluar në përpjekjet e saj për t’u afruar me Bashkimin Europian. Partnerëve tanë shqiptarë u kemi thënë se ka ende një sërë gjërash për të kryer, disa objektiva për të realizuar dhe disa rezultate për të arritur para tetorit nëse ata duan të bëjnë përparim më të shpejtë drejt Europës. Natyrisht, një pjesë e rëndësishme e punës që duhet kryer bie mbi klasën politike. Deri më tash, mund të themi se disa nga synimet janë arritur, megjithatë ka ende punë për të bërë. Në esenë tuaj “Mosmarrëveshja…”, e cila me të drejtë është konsideruar si një nga veprat më të mëdha të mendimit shqip, ju trajtoni mes të tjerash ato që ju cilësoni “marrëdhëniet e vështira të shqiptarëve me veten e tyre”. Personalisht, mendoj se çështja e besimit të ndërsjellë mes shqiptarëve është një nga elementet e rëndësishëm për ta që të mund të kenë sukses në rrugëtimin drejt Europës. Gjithashtu besoj se dialogu, bashkëpunimi, konsensusi, mund të sjellin në fund të fundit rezultate të prekshme. A mendoni se me më shumë mobilizim të përpjekjeve dhe më shumë besim të ndërsjelltë, klasa politike shqiptare mund të bëjë më shumë e të arrijë rezultate më të mira? Dhe jo vetëm më të mira, por edhe më të shpejta, sepse koha vrapon dhe ne nuk mund ta lemë atë të ikë. Para disa javësh, i përmenda një miku dhe gazetari shqiptar atë që Xhon Kenedi ka thënë tek fliste për kohën. Kenedi thoshte: “Marshalli i madh francez Liotej (Lyautey) i kërkoi dikur kopshtarit të tij të mbillte një pemë. Kopshtari iu përgjigj se pema donte shumë kohë të rritej dhe do të bëhej e madhe vetëm pas 100 vitesh. Marshalli iu gjegj ‘atëherë’, nuk kemi kohë për të humbur, mbille pemën që sot pasdite”. A mendoni se e gjithë shoqëria shqiptare, nëpërmjet asaj që unë do ta quaja “trysni pozitive” dhe me më shumë angazhim, duhet të luajë një rol më të madh që të arrihet më shumë e më shpejt progres në rrugën drejt Europës?
Ismail Kadare: Eshtë hera e parë në historinë e Shqipërisë që një shekull pas çështjes së pavarësisë , një tjetër synim bashkon si me magji politikën dhe shoqërinë, opinionin publik dhe besimet fetare, elitën dhe njerëzit e thjeshtë. E merrni me mend se përse e kam fjalën: për synimin europian. Asnjë parti politike shqiptare, asnjë program apo doktrinë nuk mund të ketë jetë në qoftë se krijon dyshimin më të vogël për orientimin europian. Kur pak më lart thashë se Europa për ne është gjithçka, ndoshta u duk e tepruar, por e kam atë bindje. Përveç vlerave të përbashkëta, përveç standarteve, ritmit të përparimit, që, siç përmendët ju, pasqyrohet çdo vit te Raporti i Progresit, pakti me Europën ne na mëson diçka që, në kushte të tjera, do të ishte gjëja më e vështirë për t’u përvetësuar: harmonia me vetveten. Ky mirëkuptim vlen po aq për ne, shqiptarët, sa ç’vlen për pajtimin ndërballkanik. Europa nuk ka arritur lehtë te ky ushtrim i mirëkuptimit. Pa e ditur, ndoshta, as ajo vetë, madje pa e ditur as ne, ajo ka punuar për ne. Jeta politike në Shqipëri ka nevojë të ngutshme për «trysninë pozitive» europiane, siç e quajtët ju. Vetë shprehja «jetë politike» është kuptimplote. Kemi të bëjmë me jetë dhe jo me kacafytje politike, e cila në fund të fundit është pothuajse luftë. Dhe luftë do të thotë gjysmë jetë, çka është pak a shumë gjysmë vdekje. Nuk pres ndonjë idil as midis partive politike në Shqipëri, as në raportet shqiptaro-europiane ose ballkaniko-europiane. Europa, duke përfshirë këtu Aleancën Atlantike, është sot familja më shpresëdhënëse e kombeve, por kjo s’do të thotë se ajo mund të jetë vetëm shëlbyese. Europa ka një traditë të ashpër dhe në thelb ajo është e tillë. Ne të gjithë së bashku, kontinenti europian e Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, s’ka pse të bëjmë sikur tmerrohemi nga fjala «ashpërsi». Ne të gjithë, na pëlqen apo s’na pëlqen, mbajmë një lidhje me Spartën. E Sparta nuk ka pasur vetëm Termopile. Sigurisht që kronika e sotme e kontinentit është e pasuruar me ndjesi humane të panjohura më parë. Ju më folët për ndodhinë e bukur të treguar prej Kenedit. Do të doja të përmendja fjalët e një burri të moshuar shqiptar, kohët e fundit në Paris, i ftuar prej vajzës së tij. I magjepsur nga qyteti, njeriu kishte thënë me naivitet: mbase e kam dëgjuar gabim, por më kanë zënë veshët se kjo këtu… Europa, kjo Europë e bukur, mund të prishet. Shprehja «mund të prishet» ose «kam frikë se do të prishet» ka qenë shumë e njohur për brezat e vjetër në vendin tonë. Përdorej për Shqipërinë, sidomos në fillimet e saj, kishte qenë në ankth i vazhdueshëm për të ardhmen. Do të bëhet Shqipëria apo s’do të bëhet. Do të mbetet në këmbë apo do të prishet… E pabesueshme ishte që, një burrë i vjetër shqiptar, në shekullin 21, të përdorte me të njejtën ndjesi, të njejtën shprehje për Europën. Përtes rrahjes së mendimeve për të ardhmen e Europës, se a do të ndryshojë ajo, se a do të kthehet në federatë shtetesh, apo në bashkësi politike etj., shqetësimin e një shqiptari të thjeshtë për të, më ka pëlqyer ta marr si shqetësim për një hall të shtëpisë. Të shtëpisë së madhe të përbashkët.
Ambasadori Sequi: Duke qenë shkrimtari më i njohur shqiptar, ju jeni padyshim edhe një nga ballkanasit më të njohur sot jashtë kufijve të Gadishullit. Dhe kam përshtypjen se të qenit ballkanas ju bën të ndjeheni mirë. Ndoshta nuk e teproj nëse them se Kadare është një avokat i Ballkanit, një avokat paksa i çuditshëm që e mbron gadishullin e tij duke e dashur dhe kritikuar njëkohësisht. Temë e preferuar e juaja mbeten marrëdhëniet e Gadishullit Ballkanik me Europën dhe perspektiva europiane e rajonit. Në një nga intervistat tuaja të fundit, ju shpreheni se “ballkanasit duhet të ndihen të nderuar që Europa merret seriozisht me ta”. Sigurisht, si Ambasador i BE-së në një vend ballkanik si Shqipëria, mua më vjen mirë kur e lexoj këtë. Ju gjithashtu keni folur edhe për një proces të nevojshëm pajtimi në Ballkan.
Si e shihni rolin e Evropës në këtë kontekst? Çfare mendoni se duhet të bëjnë më mirë vetë ballkanasit dhe çfarë do të duhej të bënte më mirë vetë BE-ja. Një miku ynë i përbashkët thotë se “Nëse ballkani është problemi i Evropës, Evropa është zgjidhja për Ballkanin”. Sa dakord jeni me këtë pikëpamje?
Ismail Kadare: Jam plotësisht në një mendje me ju. Në një rast tjetër, bashkëbisedimi ynë do të dukej disi i njëtrajtshëm ngaqë po i rikthehemi të njëjtit motiv. Por për Europën ka gjithmonë përjashtim. Për Europën, për raportet Ballkan-Shqipëri-Europë, rrahja e mendimeve sado i pafundmë të duket, nuk është kurrë i tepërt. Lidhur me atë që unë, duke e kritikuar, e mbroj Ballkanin, është e vërtetë. Eshtë kthyer në një farë mode sot ndjesia e turpit ndaj përkatësive ballkanike. Madje popuj të tërë kërkojnë t’i ikin gadishullit. Duket sikur thonë: na quani si të doni, europianë juglindorë, euromesdhetarë, post-europianë, veç ballkanas jo.
Unë nuk i gjykoj për keq. Për vete nuk ndiej ndonjë turp që jam ballkanas. As krenari, natyrisht. Dihet se ky është gadishulli më problematik i kontinentit. Siç dihet, që është ndër më të pasurit ne kujtime, në mençuri dhe në marrëzi. Ndërkaq kjo është pjesa që na përket nga bota dhe ne jemi të detyruar, nga vetvetja në radhë të parë, por edhe nga ju, të gjejmë rrugën e vetme që na lejohet, atë të bashkëjetesës. Harmonia mes popujve të gadishullit nuk kërkon ndonjë filozofi për t’u arsyetuar. Eshtë thjesht një gjendje që çon te jeta dhe jo e kundërta e saj. Më lejoni të përsëris idenë se kjo harmoni (alias jetë) varet nga gjithë ballkanasit. Ndërkaq janë tre popuj që lozin rolin kryesor në vendosjen e saj : grekët, shqiptarët dhe serbët. Të tre të vështirë, të tre të rëndësishëm për mirë ose për keq.
Nismëtimi i projektit të pajtimit në gadishull nuk mund të vihet në lëvizje në qoftë se në ndërgjegjen e tyre nuk bëhet zotëruese idea se asnjeri prej këtyre tre popujve nuk i merr leje tjetrit për të jetuar. Po nuk u kuptua kjo nuk mund të kuptohet e s’mund të shpjegohet asgjë. Ndërkaq atmosfera në gadishull është ende larg nga një emancipim i tillë. S’ka shumë kohë, ish ministri i jashtëm i një vendi ballkanik, bëri betimin publik se vendimi i njohjes, domethënë e drejta për jetë normale e gjysmës së kombit fqinj shqiptar, nuk mund të kalonte në OKB veçse sipër kufomës së tij! Cdo koment do të ishte i tepërt. Këtij ministri mund t’i thuhej vetëm një frazë: si shumë rëndësi i jepni kufomës suaj, zotëri! Gadishulli s’ka nevojë për epope të rreme kufomash. Koha është për tjetër epope. Sipas një koncepti të njohur, brenda kohës ka herë pas here një kohë të veçantë, me mundësi të pazakonshme. Veç ajo ka një tipar: nuk zgjat shumë. Thënë ndryshe, në qoftë se nuk e kap, ikën dhe atëherë duhet pritur rishfaqja e saj. Më pëlqen të besoj se për gadishullin tonë ka mbërritur një kohë e tillë. Në bashkëbisedimin tonë ne s’bëmë gjë tjetër veçse vërtetuam se jemi nën ndikimin e saj. Shumë njerëz mund të thonë: përse gjithë ky preokupim për ndërballkanizimin, për Europën, për orientimin europian ? Ne kemi kaq probleme të ngutshme, të përditshme, dramatike. I kuptoj fare mirë këta njerëz. Shqipëria ka probleme të rënda e serioze. Probleme të demokracisë, të pavarësisë së institucioneve, të drejtësisë, të korrupsionit, të votës së lirë, pa folur pastaj për varfërinë e gjer te masakra e mjedisit. Ndërkaq jam i bindur se asnjëherë, për asnjë çast kjo çështje që biseduam nuk anashkalon problemet e mësipërme. Përkundrazi, i prek të gjitha, jep alarmin për to, kërkon zgjidhje edhe më të ngutshme për secilën prej tyre. Shpesh është bërë zakon të thuhet se popujt i zgjidhin vetë problemet e veta. Tingëllon korrekte, madje bukur, por nuk mendoj se është në çdo rast e vërtetë. Ja për shembull, s’di ndonjë popull që ta ketë rrëzuar vetë fashizmin , aq më pak komunizmin, pa një ndërthurje rrethanash globale.
Ne kemi nevojë për ju.
Kemi patur nevojë për ju gjatë gjithë shekullit, por kjo nuk u bë e mundur. Gjatë viteve të komunizmit Shqipëria bënte sikur shkëputej nga kampi sovjetik, por në thelb kjo nuk ishte veçse nje teatër i dyanshëm. Një pakt i fshehtë, më shumë i nënkuptuar se i shprehur vazhdonte midis dy palëve. Thelbi i paktit ishte: hidhni shkelma sa të doni, ne do t’iu mbrojmë, veç me Perëndimin mos u afroni! Veç me Europën, kurrë!
Sot pikërisht Europa është më e domosdoshme se asnjëherë për ne. Ndërkaq Shqipërisë i duhet të luftojë përpjekjet për ndryshimin e orientimit evropian, që shfaqen sot, si rrezik madhor në jetën e saj.
Ndodh që arsyet për domosdoshmërinë e Europës të mos formulohen gjithmonë me qartësinë e duhur. Ndaj unë do të doja të përsëritja fjalët: ne kemi nevojë për ju. E meqenëse gjatë bashkëbisedimit tonë ju cituat një poet, m’a bëtë edhe mua më të lehtë parafrazimin befasues të një poeti, që thotë se ka raste kur dashuria shfaqet si një nga format më të larta të arsyes.
3 tetor 2012.