Shpërthen Gonxhe në Bashki me tendera
Vetëm në pak muaj, Blendi Gonxhe, njeriu i besuar i Edi Ramës dhe Erion Veliajt, që po menaxhon parqet në kryeqytet, ka bërë dhjetëra tenderë. Ai ka në dorë një “cek të bardhë” dhe çdo javë, hap ankande në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Bold News ka bërë një vëzhgim në APP, ku rezulton se Gonxhe ka “lëshuar” dorën. Ai firmos për zhvillimin e këtyre tenderëve pa iu dridhur aspak qerpiku. Madje, edhe me shifra të frikshme, që do ti kishin zili edhe ministritë, apo institucionet e pavarura.
Sipas të dhënave nga Bold News, Gonxhe, ka shpenzuar plot 623 milionë lekë të vjetra nga muaji shkurt deri në ditët e sotme. Në një kohë kur e gjithë vëmendja e opinionit publik është tek ndërtimi ose jo i Këndit të Lojërave, Gonxhe vepron “nën rrogoz”, duke firmosur zhvillimin e këtyre ankandeve. Përditë, shoqëria civile shkon dhe bën protesta me të drejtë tek Liqeni Artificial kundër ndërtimit të këtij Këndi, ndërsa nga ana tjetër, Drejtorët e Veliajt nxitojnë se kush i pari të bëjë tender.
Gjatë këtyre javëve, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, ka bërë rreth 11 tenderë të mëdhenj, ndërsa ka bërë edhe dhjetëra prokurime të drejtpërdrejta.
Drejtori i kësaj agjencie, Blendi Gonxhe, ka firmosur në çdo dokument, ndërsa “dorën” më të rëndë e ka pasur për blerjen e mjeteve të rënda të transportit. Për këtë tender, Agjencia do të shpenzojë plot 200 milionë lekë të vjetra. Më pas, po bëhet tender edhe për blerjen e karburantit, ku kjo Agjenci do të shpenzojë plot 167 milionë lekë. Shifra e karburantit është e ngjashme me ato të ministrive, ndërsa Gonxhe ka menduar që për ruajtjen e varrezave, parqeve apo kopshtit zoologjik, të shpenzojë 109 milionë lekë nga buxheti i shtetit.
Mësohet se me 25 milionë lekë do të bëhet mirëmbajtja e rrugëve, me 30 do të blihen pajisje kompjuterike. Lista vijon se 23 milionë lekë të vjetra do të shpenzohen për marrje me qira të fonive, pajisjeve ndriçuese apo videove të projektimit. Me 18 milionë do të merren me qira karrige, stenda etj, ndërsa do të shpenzohen 15 milionë lekë përmateriale hidraulike.
10 milionë do të shkojnë për blerje vazosh dhe tubave të ndryshëm, 8 milionë për pajisje kancelarie dhe 19 për blerje gomash.
Tenderët në shkurt, mars dhe prill
25 milionë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor
109 milionë për ruajtjen e parqeve apo varrezave
18 milionë për marrjen me qira të karrigeve, stendave etj
10 milionë për blerjen e vazove dhe tubave të ndryshme
23 milionë për marrjen me qira të fonive apo pajisjeve video-projektuese
8 milionë për blerje pajisje kancelarie
29 milionë për blerjen e kompjuterëve dhe fotokopjeve
15 milionë për blerjen e materialeve hidraulike
200 milionë për blerjen e mjeteve të rënda të transportit
167 milionë për blerjen e karburantit
19 milionë për blerjen e gomave