Shtatorja e Migjenit vendoset në Pukë
Nga sot në qendër të qytetit të Pukës do të jetë e vendosur shtatorja e Millosh Gjergj Nikollës, “Migjeni”.
Personalitete të rëndësishme të letrave shqipe, akademikë dhe përfaqësues të institucioneve të vendit tonë u mblodhen në sheshin “Tërbuni” të Pukës në veprimtaritë e organizuara në kuadër të 80-vjetorit të mbërritjes në Pukë të Millosh Gjergj Nikollës.
Zbulimi i shtatores së “Migjenit” dhe njërit prej personazheve të tij, “Lulit të Vocërr”, ka emocinuar të pranishmit në sheshin e Pukës.
Kreu i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj dhe personalitete të pranishme e konsiderojnë këtë si një ngjarje të rëndësishme për qytetin, raporton Top Channel.
Vendosjen e shtatores në sheshin e qytetit verior, aty ku dhe kanë rrënjët poemat migjeniane, e kanë përshëndetur përmes përfaqësuesve të tyre dhe presidentet Nishani e Thaçi.
Në kuader të 80-vjetorit të mbërritjes në Pukë të Migjenit janë organizuar dhe një sërë veprimtarishë të tjera që shoqëruan vizitorët përgjatë gjithë ditës. Shtatorja e Millosh Gjergj Nikollës u financua nga artisti Fran Gjoka, i cili jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.