BE padit Google për abuzim
Bashkimi Evropian ka ngritur një padi ndaj korporatës teknologjike Google me akuzën se kjo kompani po abuzon me pozitat dominuese që zotëron kundrejt kompanive që prodhojnë telefona Android. Komisioni Evropian ka paraqitur një shkresë zyrtare ku kundërshton mënyrën se si po operon gjiganti amerikan i teknologjisë. Në mocionin e mosbesimit të hartuar nga Bashkimi Evropian shkruhet se Google në shkelje të plotë të rregullave i kërkon kompanive që prodhojnë celularët android të instalojnë paraprakisht aplikacionet Google Search dhe Google Chrome, diçka që bie ndesh me ligjin e konkurrencës. Në këtë mënyrë, kompania amerikane nuk e lejon konsumatorin të zgjedhë aplikacionin që dëshiron të instalojë. “Kemi zbuluar se Google po përdor një strategji në pajisjet celularëve për të mbrojtur dhe zgjeruar pozitat dominuese në fushën e internetit. Strategjia konsiston në vendosjen e disa kushteve për kompnaitë prodhuese të telefonave android”, deklaroi komisionerja evropiane për Konkurrencën Margret Vestager. Kjo është padia e dytë që Bashkimi Evropian përpilon kundër kompanisë amerikane, pasi në vitin 2010 e akuzoi për promocion të paligjshëm në rrjet, ç’ka dëmtonte konkurrencën e ndershme. Kjo çështje ende nuk ka marrë zgjidhje. “Google” ka 12 ditë kohë për t’iu përgjigjur akuzave dhe në një deklaratë për shtyp ka theksuar se celularët Android janë të ndërtuar mbi bazën e një software që i pranon inovacionet, pa vendosur kushte.
Please follow and like us: