Gjendja e Rexhep Selimit po përkeqësohet!
Pas transmetimit të dokumentarit “Shtabi i Milionerëve”, i fundit ka reaguar edhe deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, i cili ka vendosur ta deklarojë publikisht pasurinë e tij – duke mos marrë përgjegjësi për milionat familjarëve të tij, të cilët janë përfshirë në këtë dokumentar. Tashmë për këtë dokumentar, të realizuar nga Leonard Kerquki, u përgjigjën të gjithë milionerët.
Ashtu siç edhe pritej, në deklarimet e tyre, në vend se të tregojnë për milionat e mbledhura nga ta ose familjarët e tyre, ekipi i Shtabit të Milionerëve po i rrëfen opinionit se gjendja e tyre financiare po përkeqësohet.
Siç bëri sot edhe Rexhep Selimi i Vetëvendosjes. Ai në një konferencë të përbashkët me Frashër Krasniqin është ankuar për rënien e profitabilitetit prej kohës kur hyri në politikë duke sulmuar Gazetën Express, e cila është prodhuese i emisionit Zona Express, si të lidhur me pushtetit.
I kujtojmë deputetit Selimi se edhe mund të bisedojmë se sa jemi të lidhur me pushtetin, por më me interes është se si ai ose vëllezërit e tij e bënë gjithë atë pasuri milionëshe dhe gjithë ato fabrika gjigande.
Pashmangshëm shtrohet një pyetje publike për të: sikur të mos ishte Rexhep Selimi ky që është dhe ky që ishte dikur, a do ta kishin këtë pasuri vëllezërit e tij? Ose, pse nuk e kanë këtë pasuri edhe të afërmit – ta zëmë – të deputetes së Vetëvendosjes, zonjës Besa Baftija?
Siç e di edhe opinioni, protagonistë në dokumentarin “Shtabi i Milionerëve” kanë qenë përfaqësuesit më eminentë të të gjitha partive politike – e më së shumti ata të PDK’së.
Prandaj, e ftojmë deputetin Selimi t’i shikojë edhe njëherë dy pjesët e dokumentarit – e jo vetëm atë ku ai është protagonist. Aty, do të takojë edhe shokë të tjerë.