Albspirit

Media/News/Publishing

Media online lufton me mungesën e reklamës dhe vizitorëve

Revolucioni – Biznesi i reklamave në web-e, gjithnjë i paparashikueshëm, është kthyer në i pakuptueshëm. Dhe trafiku në web-e i vizitorëve tani ka pak ndryshim, e në disa raste ka rënë shumë, dhe kjo është një përvojë e re dhe shqetësuese

Biznesi i lajmeve online kurrë nuk ka qenë i lehtë. Por në javët e fundit, çfarë ka qenë një shqetësim serioz mes publikuesve, tani është kthyer në panik që ka trokitur te dera.

Muajin e fundit, web-i Mashable, që ka arritur fitime deri në 15 milionë dollarë, u detyrua që të pezullojë përkohësisht 30 persona. Edhe Saloin, një web pionier për lajmet, lajmëroi se do të bëjë ulje në buxhetin e tij dhe pezullime të përkohshme të punëtorëve.

Madje edhe BuzzFeed u detyrua të rishikojë shpenzimet mbi buxhetin, pas alarmit që dhanë publikuesit e tjerë. “Është një kohë e rrezikshme”, tha Om Malik për NY Times, investitor te True Ventures, që zotëron sajtin me lajme teknologjike Gigaom, që falimentoi papritur në 2015, duke lajmëruar vorbullën e problemeve.

Shqetësimi buron nga dy arsye sipas botuesve. Biznesi i reklamave në web-e, gjithnjë i paparashikueshëm, është kthyer në i pakuptueshëm. dhe trafiku në web-e i vizitorëve tani ka pak ndryshim, e në disa raste ka rënë shumë, dhe kjo është një përvojë e re dhe shqetësuese.

Publikuesit online janë përballur me sfida të mëdha financiare në vitet e fundit, përfshirë reklamat e automatizuara dhe mjetet bllokuese të reklamave. Por tani ka një mendim të miratuar nga të gjithë se diçka më e thellë ka ndodhur.

Tranzicioni nga një internet me website në një internet me aplikacione telefoni dhe platformash sociale, e sidomos Facebook-u, nuk është më duke ardhur, por gjendet mes nesh.

Ky ndryshim sistematik i ka bërë shumë botues të pasigurt për mënyrën se si ata do të bëjnë para.

“Ndërsa koha kalon, njerëzit nisën që të kuptonin, thellësisht se kjo është ajo që ndien kur nuk e kontrollon fatin tënd”, tha Scott Rosenberg, bashkëthemelues i Salon, i cili e la kompaninë në vitin 2007.

Ishin audiencat ato që e udhëhoqën ndryshimin, duke preferuar që të rifreskonin lajmet e tyre në mediat sociale dhe aplikacionet, se sa të vizitonin faqet e internetit.

Ndërsa rrjetet sociale u rritën, vizitat në website në disa raste u kthyen në proces të kotë, duke ulur numrin e vizitorëve.

Stafet e reklamave në kompanitë mediatike e kishin shumë të vështirë që t’u shpjegonin klientëve se përse ata duhej që të reklamonin aty, duke qenë se audienca ishte e fragmentarizuar. Nga ana tjetër në mediat sociale, numri i vizitorëve sa vinte e rritej.

Reklamuesit rregulluan koston e shpenzimit në bazë të shërbimit që merrnin. “Në tremujorin e parë të 2016, 85 cent të çdo dollari të harxhuar për reklamat online do t’i shkojnë Google, ose Facebook-ut”, tha Brian Nowak, analist i Morgan Stanley-t.

Shefi ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckeberg, javën e kaluar lajmëroi planin ambicioz që ka, ku në 10 vitet e ardhshme do të jetë platforma e tij dominuese. Kjo bëhet me qëllim që e gjithë bota të jetë brenda Facebook-ut. E, jo vetëm kaq. Platforma ka nisur të aplikojë transmetimin drejtpërdrejt të ngjarjeve, duke u dhënë mundësi mediave që të transmetojnë njësoj si në një studio televizive.

Shumë kompani mediatike kanë nisur të investojnë në prodhimin e videove. Jo vetëm kaq, por aplikacioni “Instant Articles” (artikujt e fundit), që inkurajon botuesit t’i postojnë artikujt e tyre direkt në Facebook, ka ngjallur interes të madh.

Në të njëjtën kohë, botuesit treguan për një raportim nga firma analitike Parse.ly, që e tregon me detaje se sa i rëndësishëm Facebook-u është bërë për biznesin e tyre. Sipas firmës, rreth 40% e trafikut të web-it erdhi nga ky rrjet social.

Në një situatë të tillë, kompanitë mediatike janë duke përpunuar strategji të reja për të rifituar vizitorët e tyre, pa të cilët janë të falimentuar.

Bashkëthemeluesi i Gigaom, sajti i të cilit ka pasur 85 të punësuar në kulmin e tij, thotë se nëse do ta niste biznesin sot, atëherë do të hapte një FanPage. “Në këtë mënyrë, ti mund të arrish njerëzit. Paratë? Këtu kemi të bëjmë me një çështje tjetër. Si do të arrij që të fitoj të ardhura? Ende nuk e kam të qartë”.

Please follow and like us: