Albspirit

Media/News/Publishing

Rënie e lirisë së medies në botë

Organizata “Reporterët pa kufij” me seli në Paris, vlerëson se në botë është shënuar një “rënie e thellë dhe shqetësuese” e lirisë së medies.

Organizata e radhiti Shqipërinë në vendin e 82-të, një pozicion i njëjtë sikurse edhe një vit me parë. Në pjesën e raportit kushtuar Shqipërisë, organizata thekson se ajo “mund të bëjë më shumë”.

“Ky ishte edhe përfundimi i raportit vjetor të Komisionit Evropian në fund të 2015-s mbi kandidaturën e saj për pranim në Bashkimin Evropian. Ekspertët e BE-së thanë se nevojitet një zbatim më i mirë i legjislacionit që garanton lirinë e fjalës”, thuhet në raport.

Organizata thotë se shpifja në Shqipëri, që prej vitit 2012, nuk është ndëshkuar më me burg, por vetëm me gjoba.

“Pavarësisht ligjeve të lirisë së informacionit, të miratuara në vitin 1999 dhe në vitin 2014, qasja në informacionet shtetërore vazhdon të mbetet e kufizuar, ndërsa Autoritetin Rregullator i Transmetimeve, është i politizuar”, thuhet mes tjerash në raport.

Në pjesën për Kosovën thuhet se “të gjitha simptomat më të këqija të Ballkanit, mund të gjenden në Kosovë. Media vuan ndikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë politik, trysninë financiare dhe pronësinë e përqendruar. Gazetarët që kanë kritikuar autoritetet shpesh janë akuzuar për “tradhti” ose si “simpatizues të serbëve”. Media që nuk ruan lidhje me vijat qeveritare, mund të jetë subjekt i frikësimit nëpërmjet kontrolleve financiare e tatimore”, thuhet në pjesën e raportit për Kosovën.

Nga vendet e rajonit, Serbia radhitet në vendin e 59-të, Bosnja e Hercegovina në të 68-tin, Mali i Zi në vendin e 106-të dhe Maqedonia në vendin e 118-të.

Në raportin vjetor të organizatës thuhet se bota po hynë “në një epokë të re të propagandës” dhe ngurron të përfshihet në debate të lira.

Organizata thekson se situata është përkeqësuar posaçërisht në Amerikën Latine për shkak të dhunës institucionale, krimit të organizuar, korrupsionit dhe medies së përqendruar.

Eritrea është e fundit në botë, duke ua kaluar edhe Sirisë, Kinës dhe Koresë Veriore.

Finlanda është në gjendjen më të mirë e pasuar nga Holanda dhe Norvegji. Shtetet e Bashkuara radhiten ndërkaq në vendin e 41-të.

Please follow and like us: