Tarantino: Kinemaja ime, në anën e bastardëve
FESTIVALI I KANES (2014)-Turma e tarantinianëve është në delir, shfaqja e divit Quentin është si qershiza mbi tortën e përmbledhjes së batutave përfundimtare. Kinofilë të regjur, që zakonisht snobojnë takimet me autorët, rendin përreth regjisorit në kërkim të autografëve dhe fotografive. Ai, shumë bujar, është i gatshëm që të flasë, më shumë për të tjerët se sa për veten, më shumë për Sergio Leonen dhe “Për një grusht dollarë më shumë”, 50 vjetori i të cilit u festua me projektimin e kopjes së restauruar të filmit, se sa për Tarantinon dhe “Pulp Fiction” që 20 vjet më parë fitoi “Palmën e Artë” dhe që dje u riprojektua në 35 mm. Një detaj i rëndësishëm, që provokon batutën e regjisorit: “Dixhitalja është vdekja e kinemasë, unë di që beteja është humbur, por unë shpresoj që në brezat e ardhshëm të rikthehet pakëz romantizmi dhe që njerëzit të shkojnë sërish të shohin filma në sallat e kinemave, dhe të mos vazhdojnë ta bëjnë në shtëpi, sikur të jetë televizion. Mund të jetë një rizbulim i pelikulës, pak a shumë si ndodhi me albumet e vjetër të fotografive”.
Cili është mendimi juaj për kinemanë bashkëkohore?
Sot gjithçka është më demokratike dhe ky është aspekti pozitiv i dixhitales. Cdo djalë i ri mund të blejë një telefon celular, të thërrasë miqtë e tij të xhirojnë një film, ne diçka të tillë as nuk mundeshim ta ëndërronim.
Me “Pulp Fiction” ju krijuat një zhanër, dhe u bëtë regjisor me famë ndërkombëtare. Ka pritshmëri shumë të larta për çdo film tuajin, a ju rëndon kjo?
Nuk më shkakton problem një lloj presioni i tillë, sigurisht e di që njerëzit presin shumë nga filmat e mi, por nëse unë do të xhiroja dhe askujt nuk do t’i bëhej vonë, atëherë po, kjo do të ishte katastroë. Pastaj, edhe unë i prisja me ankth të madh filmat e regjisorëve të mi të preferuar. Mbaj mend “Njeriu me shenjë” të De Palmas. Numërova mbrapsht gjatë të gjithë javës, pastaj shkova ta shoh vetë, në orarin e parë të ditës së parë të shfaqjes…
Eshtë edhe përvjetori i “Për një grusht dollarë më shumë”. Cfarë përfaqëson për ju Sergio Leone?
Leone ka shpikur një mënyrë të të bërit filma. Ishte i pari që përdori muzikën si element themelor, mbi të gjitha në fazën e montimit. Studentët që shohin filmat e tij për herë të parë kanë çdo herë një reagim pozitiv, sepse është një regjisor shumë modern. Unë, për shembull, jam i çmendur pas “I miri, i keqi, i shëmtuari”. E kam parë që fëmijë dhe e adhuroj, më pëlqen ta shoh sërish, skenën finale, pikërisht për montazhin. Eshtë absolutisht një prej të preferuarave.
Raporti juaj me kinemanë italiane është i fortë. Përse?
Kinemaja italiane më ka pëlqyer gjithmonë dhe këtu flas edhe filma që konsiderohen më pak të rëndësishëm. Mendoj që në krahasim me italianët, ka më shumë kurajë. Nuk jam rritur në një ambient italian, por është edhe shpirti im italian që flet…
A do të ktheheni të punoni me “Tetë të urryerit”?
Plaga që më shkaktoi shpërndarja e skenarit është duke u zbutur dalëngadalë, kemi bërë një provë publike leximi me disa aktorë dhe ka qenë shumë bukur, nuk e di ende çfarë do të vendos të bëj, ndoshta do ta çoj skenarin në teatër, ose ndoshta do ta xhiroj.
Jean Luc-Godard ju ka quajtur një njeri i keq e i neveritshëm. Cfarë mund të thoni?
Nuk mund të besoj që e ka thënë këtë, do i përgjigjesha po të ma thoshte në fytyrë. Mendoj që po ekzagjeroni.
Përse ju tërheq dhuna dhe personazhet negativë?
Ashtu si pjesa më e madhe e regjisorëve jam i tërhequr prej djallit… nuk di të them përse, është diçka e pavetëdijshme, por më pëlqen të paraqes anën më të keqe të qenies njerëzore. Mendoj që në Amerikë kinemaja më shtypëse ka qenë ajo e viteve pesëdhjetë, ku personazhet nuk mundeshin të ishin tërësisht të këqinj. Edhe më të këqinjtë, në fund duhej të pendoheshin. Këtë nuk mund ta duroj dot. /la stampa, bota.al/