Albspirit

Media/News/Publishing

46 lloje lejesh dhe licencash do të jepen në mënyrë elektronike

Qeveria ka evidentuar 46 lloje lejesh dhe licencash që do të jepen në mënyrë elektronike. Në Fletoren Zyrtare janë botuar ndryshimet në ligjin për autorizimet, lejet dhe licencat, të cilat autorizojnë Qendrën Kombëtare te Licencimit të japë këto leje në rrugë elektronike.

Sipas ndryshimeve ligjore çdo individ, pasi të jetë identifikuar elektronikisht, ka të drejtë që, në cilësinë e aplikantit apo të personit të autorizuar, të aplikojë pranë sportelit elektronik për pajisjen me një licencë, autorizim, leje apo veprim tjetër. Por me rrugë elektronike do të kryhen procedurat e ankimimit administrativ. Veprimet pranë sportelit elektronik të QKL-së, për të cilat ky ligj kërkon identifikimin elektronik, në përputhje me legjislacionin në fuqi për identifikimin elektronik të sigurt, kryhen nëpërmjet mjeteve elektronike që garantojnë autenticitetin e origjinës dhe pacenueshmërinë e përmbajtjes së dokumenteve në format elektronik, të paktën, nëpërmjet nënshkrimit elektronik të kualifikuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik, përcaktohet në ndryshimet ligjore. Rregullat e hollësishme teknike për ofrimin e shërbimeve nga QKL-ja nëpërmjet sportelit elektronik, përcaktohen nga Ministri i Ekonomisë. Qeveria argumenton se i ka bërë këto ndryshime ligjore për të shkurtuar procedurat burokratike për marrjen e lejeve të licencave nga personat e interesuar.

Please follow and like us: