Albspirit

Media/News/Publishing

Ja kush fshihet pas pikturës së Da Vinçit

Buzëqeshja e Mona Lizës, ja kush fshihet pas pikturës së Da Vinçit

Mona-Lisa-gettyÇfarë fshihet pas buzëqeshjes së Mona Lizës? Kryevepra e Leonardo Da Vinçit është interpretuar në mënyra të ndryshme prej vitesh. Por një analizë e kohëve të fundit ka arritur në përfundimin se buzëqeshja e Mona Lizës është bazuar te partneri i Da Vinçit.

Piktura e famshme që ndodhet në Muzeun e Luvrit i është nënshtruar një analize me rreze infra të kuqe, e cila ka nxjerrë se ajo është një amalgamë mes dy modeleve: gruas së pasur të një tregtari fiorentin, Liza Gerardini, dhe praktikantit të Da Vinçit, Xhan Xhakomo Kaproti, i njohur ndryshe si artisti Salai ose “Djalli i vogël”.

“Mona Liza është androgjen – gjysmë grua dhe gjysmë burrë”, tha Silvano Vinceti, një prej studiuesve.

Ai shtoi se i ka studiuar pikturat e tjera të bazuara te Salai dhe ka gjetur ngjashmëri të habitshme. “Mund ta shohësh ngjashmërinë në veçanti te hunda e Mona Lizës, balli dhe buzëqeshja. Sot mund të themi se i kemi dhënë përgjigje një pyetjeje që ka ndarë studiuesit për vite me radhë”, thotë ai.

Mendohet se Salai filloi të punonte për Da Vinçin kur ishte rreth 10 vjeç, kur nisi të jetonte në shtëpinë e artistit në vitin 1490. Ai qëndroi atje për 20 vjet.

Liza Gerardini u martua me Françesko de Xhokondën, i cili ishte tregtar i fuqishëm në kohën kur Da Vinçi bëri portretin e Lizës, diku rreth viteve 1503-1506.

Ashtu siç ndodh jo rrallë, edhe ky përfundim i studiuesit Vincenti është kundërshtuar nga ekspertë dhe njohës të tjerë të Da Vinçit dhe veprës së tij. “Pamjet me rreze infra të kuqe nuk mbështesin teorinë se Leonardo ka pikturuar një përzierje të Liza Gerardinit dhe Salait”, thotë profesori i historisë në “Trinity College”, Oksford, Martin Kemp.

Për Mona Lizën ka pasur tetori nga më të ndryshmet. Disa thonë se origjinali i pikturës së famshme ka qenë nudo dhe ka humbur. Të tjerë besojnë se dikur portreti ka pasur vetulla dhe qerpikë, ndërsa një pjesë e adhuruesve të punëve të Da Vinçit mendojnë se ai ka krijuar disa versione të Mona Lizës.

Megjithatë, kryevepra e Leonardos vijon të mahnitë botën dhe të mbetet po aq enigmatike dhe misterioze sa buzëqeshja e saj.

Please follow and like us: