Albspirit

Media/News/Publishing

Cameron lartëson rolin e Mbretëreshës Elizabeth II

Mbretëresha britanike, Elizabeth II, ka mbushur sot 90 vjet. Parlamenti ka mbajtur seancë të veçantë për nder të saj, ndërsa kryeministri David Cameron ka përcjellë urimet e tij përmes një videoje të postuar online. “Në emër të të gjithë vendit, i uroj Madhërisë së Saj, Mbretëreshës, ditëlindjen e 90-të. Madhëria e Saj ka kushtuar jetën e saj në shërbim të të tjerëve, duke përfaqësuar vendin tonë dhe duke kryer të gjitha detyrat e saj me elegancë dhe përulësi të jashtëzakonshme. Rrallë kush në jetën publike ka shërbyer kaq gjatë, ka shërbyer në mënyrë kaq brilante, ka punuar kaq shumë dhe ka mbledhur kaq shumë njerëz së bashku”, ka thënë Cameron. Pallati Mbretëror ka publikuar një fotografi të Mbretëreshës të rrethuar me stërnipër dhe stërmbesa. Elizabeth ka sunduar Britaninë për afro 65 vjet, duke u bërë mbretëresha me kohën më të gjatë në fron. Elizabeth ka marrë fronin në moshën 25-vjeçare. Në linjë për fron tani janë princi Charles, princi William, princi George dhe princesha Charlotte, e cila ka lindur në muajin maj të vitit të kaluar. Ditëlindja e zyrtare e Mbretëreshës do të shënohet në muajin qershor, kur familja mbretërore planifikon të ftojë rreth 10,000 veta.

Please follow and like us: