Albspirit

Media/News/Publishing

Ndryshimi i TVSH-së po i dëmton bizneset

Një nga problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset në Kosovë është edhe ndryshimi i Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ky ligj me ndryshimet e fundit ka filluar të zbatohet që nga 1 shtatori i vitit të kaluar, me ç’rast norma tatimore për produktet bazike nga 16% bie në 8%, si dhe rritet nga 16% në 18% për produktet tjera.

Me fillimin e zbatimit të këtij ligji, ATK-ja i ka obliguar bizneset që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme në programet e tyre dhe në pajisjet elektronike fiskale t’i vendosin normat e reja. Kjo ka brengosur bizneset meqë u duhet të paguajnë një shumë të mjeteve materiale kompanive të licencuara të arkave fiskale. Shumica e bizneseve i kanë bërë rregullimet e nevojshme në programet e tyre me ndihmën e kompanive të arkave fiskale dhe për çdo shërbim që u është bërë, pagesa është kryer nga vetë bizneset.

Si rezultat i zbatimit të këtij ligji, bizneset kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre dhe janë ankuar se ndryshimi është thjesht “vjedhje” që po u bëhet bizneseve dhe këtë po e shfrytëzojnë kompanitë e licencuara për shitjen e arkave fiskale. Ato theksojnë se gjatë hartimit të këtij ndryshimi në ligj Ministria e Financave dhe institucionet e Kosovës nuk kanë menduar për problemet dhe mjetet shtesë që bizneset duhen paguar, por vetëm për anën e të hyrave buxhetore. Edhe pse, sipas kompanive të arkave fiskale, pagesa për këtë shërbim është minimale.

Ndryshimi i normës së TVSH-së e vështirëson administrimin dhe menaxhimin e këtij tatimi, në veçanti kur kemi parasysh kapacitetin e limituar të ATK-së. Pas ndryshimit të normës së TVSH-së, përjashtimet dhe ndryshimet e ofruara nuk është se i ndihmojnë bizneset, por vetëm vështirësojnë aktivitetet e tyre të përditshme dhe rrjedhimisht këto ndryshime nuk sjellin përfitime për ekonominë. Çdo ndryshim eventual i politikave tatimore do të duhej të synojë thjeshtësinë dhe gjithëpërfshirjen e jo komplikimin e sistemit tatimor. Kjo ndihmon në administrimin më të lehtë të sistemit dhe në uljen e kostos së pajtueshmërisë për bizneset.

(Autorja është studente në Universitetin Amerikan në Kosovë)

Please follow and like us: