Replika të hapura mes NATO-s e Rusisë
Moska mund ta shesë rigjallërimin e Këshillit NATO-Rusi si një fitore politike. Por varet nga aftësia e Kremlinit për të dëgjuar NATO-n, nëse ia vlen vërtet që kjo instancë të mbetet në fuqi
Kemi pasur një “shkëmbim serioz dhe të hapur” u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg pas takimit (20.04). Kjo do të thotë në gjuhën e diplomatëve: Ishim pak para përdorimit të grushtit. Atmosfera në fakt kuptohej që para takimit: Ambasadori rus në NATO përdori një ton të akullt: Marrëdhënia mes NATO-s e Rusisë është në krizë të fortë, nuk ka një axhendë pozitive dhe as interesa të përbashkëta. NATO ka ndryshuar strategji nga partneriteti në kërcënim. Ky është interpretimi i ri i Moskës për gjendjen e ndryshuar në arenën ndërkombëtare, kjo me kontributin e Moskës.
Këshilli NATO-Rusi -forum ankesash
Rigjallërimi i një instance që ngriu para dy vitesh, pas aneksimit rus në Krime, sipas qëndrimit të Perëndimit është një tentativë me objektiv rivendosjen e dialogut të paktën minimalisht, dhe mundësinë për pak transparencë dhe planifikim në marrëdhënien e dyanshme. Nga ana tjetër bëhet fjalë edhe për shmangien e “keqkutimeve”. Në fakt një eufemizëm për provokimet e fundit të avionëve luftarakë rusë kundrejt avionëve të NATO-s dhe anijeve në detrat veriorë europianë. Vladimir Putin me sa duket e ka shumë pasion lojën me zjarrin.
Ndërsa takimin në Bruksel ai e përdor më së shumti për ankesa: Me një ton të zemëruar ai akuzon Perëndimin se po zgjerohet pa asnjë të drejtë në drejtim të Lindjes. Stacionimi i trupave të NATO-s në të vërtetë bëhet me vullnetin e plotë dhe dëshirën e vendeve baltike dhe Polonisë. Arsyeja për këtë është sërish aneksimi i Krimesë nga Moska. Ky detaj lihet jashtë në fushatat propagandistike të Moskës.
Këshilli NATO-Rusi i ofron presidentit rus një forum tjetër për të mbuluar Perëndimin me tirada zemërimi dhe përhapjen e pikëpamjes së Putinit në mediat botërore. Në të njëjtën mënyrë dhe NATO e ka mundësinë tani t’i japë disa paralajmërime Moskës. Ndoshta e çtensionon disi marrëdhënien shkëmbimi i fyerjeve si ritual.
Putin hoqi dorë nga partneriteti
Qeveria gjermane e përshëndet rigjallërimin e Këshillit NATO-Rusi. Sipas saj është pozitive fakti që ka dialog. Por ky është një dialog me një partner që i mbyll të dy veshët kur flitet. Putini nuk do të dëgjojë, por vetëm të shpërndajë me zë të lartë argumentat e tij. Përëndimi duhet t’i kujtojë atij, se ishte ai që hoqi dorë nga partneriteti. Okupimi i Krimesë, mbështetja për rebelët në Ukrainën lindore, mosrespektimi i marrëveshjes së Minskut dhe veprimet në Siri tregojnë se kreu i Kremlinit kërkon vetëm realizimin e interesave të tij. Për shkak se ai nuk nxjerr asnjë detaj nga strategjia dhe qëllimet e tij, më kot pritet nga ai transparencë dhe besueshmëri.
Moska vendos për të ardhmen e Këshillit NATO-Rusi
Diplomatët janë të mendimit, e ia ven të mbash më këmbë edhe instanca në plan të parë jofunksionuese, sepse në rast nevoje urgjente, ato mund të riaktivizohen. Në këtë kuptim është diçka pozitive mbajtja gjallë e Këshillit NATO-Rusi: Por NATO nuk duhet të lejojë të manipulohet pafundësisht. Ajo duhet të bëjë të qartë, se është i nevojshëm një bashkëpunim e vëmendje minimale, me qëllim që takime të tilla të mos kthehen në një përpjekje absurde për dialog mes shurdhmemecëve.
BARBARA WESEL