Intervistë me tenorin shqiptar me famë botërore
Agim Hushi: Love story në Monterrey!
Tenori shqiptar me famë botërore Agim Hushi në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” flet për evenimentin më të fundit të realizuar prej tij në Meksikë, për korrespodencën dhe komunikimet me figurat më të spikatura politike dhe kulturore sot në rang planetar, mbresat nga shfaqjet muzikore në katër kontinentet, për lartësimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Artisti është kundër lavdeve të pamerituara dhe antivlerave, teksa për vete është në perfeksionim të vazhdueshëm midis mësimdhënies, publicistikës, pikturës, kompozimit të muzikës dhe interpretimit vitruoz.
Zoti Hushi, ju sapo keni përfunduar një koncert në Meksikë, emocionet e këtij evenimenti?
Mund t’iu them se tani unë i zgjedh veprimtaritë e mia. As nuk jam lodhur dhe as nuk me ka rënë pasioni për të kënduar dhe bërë art. Por tani ndodhem përpara shumë punëve të bukura, planeve të mëdha që i kam vënë vetes, (për të cilat do të flas më në detaj në kohën e duhur) më duhet ta racionoj kohën në maksimum. Mësimdhënia, shkrimet, piktura, kompozimi i një muzike të bukur, të vërtetë, për të cilën mendoj se bota ka akoma nevojë – janë ato fusha që më tërheqin me një fuqi po aq të madhe sa dikur në vitet e rinisë time të hershme. Ndjej gjithmonë e më shumë se jam përgjegjës për planet e mia që duhet t’i realizoj ashtu siç i ndjej, me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë. Dhe për këtë kam nevojë të kem kohën e duhur! Meksika me natyrën, historinë dhe kulturën e saj më tërhoqi pa masë që në momentin e parë që mu bë ky propozim. Master klas me një grup prej 15 studentësh të shkëlqyer të operas, të zgjedhur nga 5 shtete të saj dhe një koncert recital i imi në Monterrey, kryeqyteti prej 4 milionë banorësh të shtetit të Nuevo Leone, ishte një joshje që s’mund t’i rezistoja. Ishte një udhëtim që unë dhe Kristina, bashkëshortja që më shoqëron kudo, s’do ta harrojmë kurrë megjithëse kemi shkelur në çdo kontinent të botës. Mund t’iu them se kjo veprimtari na la përshtypje të jashtëzakonshme.
Së pari, ky ishte debutimi i parë i një shqiptari në Shtetet e Bashkuara të Meksikës!
Së dyti, Meksika është vendi i dytë në botë pas Italisë që i ka dhënë botës yje operistike si Domingo, Vilason, Vargas, këngët më të famshme të botës si ‘Granada’, ‘Besame’, ‘Jurame’ dhe Mariachi, atdheu i Zapatës dhe Zoros!
Së treti, pritja dhe vlerësimi që m’u bë atje ishte i jashtëzakonshëm.
Studentët që ishin padyshim të një niveli të jashtëzakonshëm, nga ato lloj zërash që shqiptarët nuk i kanë dëgjuar kurrë në skenën e tyre dhe që kishin studiuar të gjithë me yje botërore, e cilësuan punën me mua si ngjarje në jetën e tyre. Shumë prej tyre i shprehën dhe publikisht në forume mediatike opinionet e tyre si: mësime të nivelit botëror, profesori më i mirë në Europë. Çfarë ironie kur mendjengushtësia shqiptare vazhdon me spektakle të dështuara mësimdhëniesh që s’kanë lidhje fare me akademizmin; eksperienca nuk është kurrë ekspertizë. Kur vokalin e drejtojnë violinistë mediokër dhe pianon vokalistë meskinë, natyrisht dështimi është i siguruar!
Por gjithsesi për mua ishte krenari që emrin shqiptar në këtë vend të largët e ngrita në atë nivel që na bën të gjithëve krenarë!
Interesimi i medias ishte i jashtëzakonshëm.
Por ajo që më gëzoi ishte se nga gjithë kjo zhurmë gjithçka u justifikua me rezultatin e masterklasit ku entuziasmi i studentëve ishte i jashtëzakonshëm dhe një koncert që u prit në mënyrën më të mirë të mundshme.
Mund t’iu them se recitali im u konsiderua si një ngjarje e rrallë për qytetin, si nga repertori ashtu dhe për nga niveli artistik.
Që nga posterat gjigande, fletë-palosjet luksoze, salla e qëndisur me lule, organizimi: gjithçka ishte një përsosmëri që dëshmoi pikërisht këtë vlerësim.
Lexuesit shqiptarë janë të interesuar të dinë më shumë rreth kësaj salle koncertore të botës spanjishtfolëse ku kanë kënduar edhe mjaft këngëtarë të shquar të skenës botërore?
Unë gjithmonë kam menduar se salla s’të bën kurrë të famshëm; për mendimin tim absolutizimi i vendit ku performohet s’ka lidhje me artin vetë dhe cilësinë e artistit që performon aty. Ky është një koncept që është futur në Shqipëri këto vitet e fundit duke revokuar imazhet e “La Scalës” apo “Metit” të dikurshëm që s’kanë lidhje fare me këto të sotmit ku këndojnë edhe studentë dhe që janë kthyer në fabrika produktesh muzikore. Normal që në këto salla kanë kënduar yjet e botës si Domingo e Vilason, por dhe studentë dhe artistë të niveleve të ndryshme, ku secili ka lënë pas harresën apo imortalizimin e tij. Arti lirik dhe ai klasik në botën tonë kaq të madhe dhe të mbushur me kaq shumë vlera nuk zhvillohet vetëm në 4-5 opera sado me emër qofshin ato, por ai merr jetë kudo ku ka publik që merr emocione dhe kudo ku luhet art i vërtet dhe virtuoz. Vetëm në vendin tonë quhesh i madh po të debutosh në një vend të “famshëm” dhe pavarsisht nivelit real automatikisht je “i famshëm”. Edhe tani pas 25 vitesh mendoj se duhet të mësojmë t’i bëjmë siç duhet vlerësimet për artin dhe artistët… Në këtë aspekt mund të them se pavarsisht vendit ku këndova publiku m’u ngrit në këmbë dhe orët që shpenzova mes autografesh dhe fjalëve entuziaste të njerëzve të emocionuar ishte pikërisht ajo që më lumturoi dhe e ktheu këtë debut në një sukses të plotë…
Cilat ishin impresionet e shtypit meksian; disa konsiderata për koncertin?
Shtypi ka rolin e tij në jetën e një artisti. Por shtypi si makina më e fuqishme e opinionit kur bëhet një zëdhënëse e sinqertë dhe realiste e opnionit të publikut dhe jo e personit të paguar, pra të atij që e shkruan për konjuktura banale, athere ky shtyp bëhet po aq profesional dhe dinjitoz sa vetë artisti apo ngjarja artistike që pasqyron. Mund t’iu them se që nga konferenca për shtyp dhe pasqyrimi në disa gazeta, intervistat televizive, vlerësimet ishin nga më fantastiket…, por për mua si njeri i letrave shtypi është një subjekt i zgjedhur me kujdes; nuk pëlqej gjithçka pavarësisht se mund të shkruajnë mirë për mua. Thjeshte si çdo roman apo libër me vjersha, e fus veten tek njerëzit me shije letrare dhe nuk mund të lexoj gjithçka. Sa për stisjet zemërliga të ashtuquajtura “kritika” s’i kam konsideruar dhe lexuar kurrë. Me 24 vite shkollim, dy universitete të plota dhe një specializim pasuniversitar 3 vjecar në një nga akademitë më prestigjoze të Europës nuk mund tia lejoj vetes të bie në nivele sharlatanësh.
Pas këtij evenimenti a mund të thoni shkurtimisht për skenat ku ju jeni performuar?
Skenat ku kam performuar janë të shumta, të traditës, të njohura dhe të panjohura. Por ato më të “mëdhatë” janë ato ku jam duartrokitur me gjithë zemër nga njerëz që e pëlqejnë artin më shumë se ato që e paguajnë biletën më shtrenjtë, por që kuptojnë më pak artin…Skena më e madhe është ajo ku kam kënduar më mirë dhe jam duartrokitur më shumë. Formalisht skenat më të mëdha ku kam kënduar janë ato të Australisë, Azisë, Amerikës dhe Europës.
Ndryshe nga shumë artistë të tjerë të kalibrit botëror, ju vijoni të mbani një lidhje të përhershme me qytetin dhe vendlindjen dhe kombin tuaj?
Kam qenë dhe jam një shqiptar i bindur, por dhe bir i një qyteti fisnik e të mrekullueshëm si Kavaja. Këtë e them se që në hapat e para, si shqiptari i parë i artit lirik që jam kontratuar si solist në një Opera Kombëtare të një shteti të huaj: Qershor 1993 në “National Opera Hungari” dhe deri në marrjen e pasaportës australiane për 9 muaj me motivin: “Talent botëror” në “Sydney Opera” kurrë se kam adaptuar emrin tim në Jim apo John dhe gjithmonë e kam mbajtur kokën lart si shqiptar, gjithmonë jam krenuar me historinë dhe rrënjët e kombit tim të përvuajtur dhe i kam dalë zot edhe atëhere kur në dhomën time të zhveshjes, midis akteve të operave që këndoja, më vinin mbi tavolinë copa gazetash me lajme të zeza nga Shqipëria. Kam takuar shumë presidentë shtetesh, kryeministra e ministra të huaj dhe i kam bërë të mendohen dhe t’i gjykojnë Shqipërinë dhe shqiptarët jo nga konjukturat gjeopolitike, por nga vlerat që mbartin prej shekujsh.
Burime pranë stafit tuaj thanë se ju keni një letërkëmbim të vazhdueshëm me disa nga personalitetet më të shquara europiane dhe botërore?
Po, përfshirë dhe me zonjën Merkel, madje pak ditë para vizitës se saj në Shqipëri. Nuk mund të them se kam miqësi me të, sic është zakon të komentohen në Shqipëri takimet diplomatike të politikanëve. Zonja Merkel është një politikane e madhe europiane e shekullit 21. Ajo është e njohur për dashurinë që ka për artin klasik dhe CD time “Amore Grande” ajo e ka vlerësuar dhe shijuar shumë…
Gati një vit më parë ju keni dhënë disa koncerte në Kinë, impresionet e këtij turneu?
Kina vazhdon të jetë për mua një burim kënaqësie ku mikpritjes tradicionale kineze unë do t’i shtoja vlerësimet e tyre maksimale për artin dhe punën time si pedagog i kantos por transformimet kolosale të këtij supershteti në kulturë si në çdo fushë të jetës që mua më mahnisin. Mund t’iu them se produksioni i Operas “Turandot” këtë vit nga trupa e Pekinit në Romë u quajt spektakli më i bukur i vitit në gjithë Italinë.
Natyrisht që çdo klasifikim për individualitetet më të spikatur shqiptarë gjithherë çalojnë, por sipas teje kë do të veçonit prej tyre?
E kam të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetje… se ato janë shumë dhe në çdo fushë. Veçse ne shqiptarët duhet të mësohemi t’i vlerësojmë, t’i pranojmë se janë vlera që na bëjnë krenarë të gjithëve dhe t’u gëzohemi arritjeve të tyre. Po ajo që më vjen ndërmend në këtë çast është thënia e Ajnshtainit: Cilësitë morale të personaliteteve të shquara janë më të rëndësishme se arritjet e tyre personale.
Ndërkaq në tetor ju keni pasur edhe një përvjetor familjar, diçka rreth lidhjes martesore dhe bashkëshortes suaj?
Po, me 16 tetor 2015 bashkë me Kristinën ne festuam në Monterrey 34 -vjetorin e bashkimit tonë, më saktë të puthjes sonë të parë. Ishte e mrekullueshme ta festoje në kristalet e diamanta të ujvarës Cola de Caballo në Santiago…! Mahnitëse, imortale si gjithë dashuritë e vërteta që rrojnë në çdo formë të mundshme, qoftë dhe ujvarash që nuk reshtin kurrë!
26.10.2015
Post scriptum:
Tenori shqiptar, Agim Hushi lindur dhe rritur në qytetin e Kavajës, konsiderohet sot si një nga zërat e rrallë të tenorit që ushtron veprimtarinë e tij në të gjitha anët e botës. Njëkohësisht me shtetësi australiane Agim Hushi në çdo momenet ka mbajtur më lart me krenari emrin e tij shqiptar. Pasi kreu arsimin fillor dhe atë të mesëm në Kavajë dhe studimet e larta universitare për gjuhë dhe letërsi Agim Hushi punoi për një kohë të shkurtër si mësues letërsie në një fshat të largët të Rrogozhinës. Por një takim i rastësishëm me dirigjentin Mustafa Krantjan do ndryshonte jetën e Hushit, që u zbulua si një talent muzikor me një zë tenori të jashtëzakonshëm. Në historinë e TKOB është rasti i vetëm që dikush emërohet solist përkrah emrave më të mëdhej të vokalit shqiptar, pa asnjë ditë edukim muzikor! Por me këmbënguljen e tij Agim Hushi kërkoi të studionte profesionalisht vokalin ku dhe u pranua si një rast i vecantë, pa konkursin tradicional të provimit, për të vazhduar studimet e plota me një program të vecantë në Konservatorin e Muzikës në klasën e kantos së Artistit të Popullit Ramiz Kovaçi, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në 1991.
Nga viti 1991-1992 Hushi u emërua në TOB , ku punoi në rolet kryesore në ‘Toska’, ‘Cavalleria Rusticana’ dhe ‘Il Trovatore’. Më pas vazhdoi studimet e tij pasuniversitare në Akademinë e Muzikës ‘Franz Liszt’ në Budapest, ku paralelisht me studimet vokale, specializohet në pedagogjinë e të kënduarit. Ndërkohë që duhet përmendur fakti se megjithëse me statusin e studentit pasuniversitar Agim Hushi bëhet artisti i parë shqiptar që i jepet një kontratë si solist në një opera kombëtare të huaj, në Operan Kombëtare Hungareze në 1993, pas shembjes së komunizmit në Shqipëri. Deri në 1997 ai interpretoi rolet kryesore në ‘Manon Lescout’, ‘Turandot’, ‘Il Tabarro’, ‘Il Lombardi’ dhe ‘Purgacov’. Më pas në 1997 ka ndjekur karrierën e tij në Australi, ku u ftua për të kënduar rolin e Des Grieux në ‘Manon Lescout’ të Puçinit, për Operan e Australisë së Jugut në Adelaide, nën dirigjimin e maestros me famë legjendare Richard Bonynge, dirigjenti eskluziv i Luciano Pavarotit dhe bashkëshort i legjendares Joan Sutherland, e cila ishte një nga mbështetëset më të mëdha të Hushit. Në shtypin e kohës maestro Bonynge u shpreh se: “Në tërë përvojën time të gjatë puna me Hushin ka qenë një zbulim i mrekullueshëm dhe eksperienca më e bukur e jetës time”.
Agim Hushi dhe Laura Niculescu u cilësuan si cifti më i mirë në botë në operan ‘Manon Lescout’ të Pucinit. Bazuar në sukses të tillë të madh, Agim Hushi u ftua për të kënduar për Operan Australiane, në ‘Sidney Opera’ ku debutimi i tij u vlerësua nga kritikët si një zbulim dhe ai u krahasua me tenorin legjendar Beniamino Gigli. Hushit iu dha brenda 9 muajve pasaporta australiane me motivin “Talent Boteror” dhe debutimi i Hushi u quajt si më i sukseshmi në kontinentin Australian prej 70 vitesh që kur ishte themeluar Opera e Australiane. Në 1999 Agim Hushi shkoi për një vit në Milano ku studioi repertorin operistik italian dhe teknikën vokale me tenorin e madh legjendar Franko Koreli i cili gjithashtu u mrekullua me zërin e tij dhe shkroi me dorën e tij “Hushi ka një zë të madh, të bukur, pasionant dhe e kënduara e tij me shpirt e bëjnë atë një tenor të madh i cili meriton botën dhe një karrierë të madhe”. Po ashtu në 2000 Kryeministri i Australisë i akordoi Hushit titullin më të lartë “Emerging Artist of the Year 2000” ku Hushi ishte një nga katër artistët më të spikatur të kontinentit Australian. Hushi ka kënduar në Australi, Zelanda e Re, Kinë, SHBA, Malajzi, Singapor, Brunei, Dubai, Hungaria, Gjermania, Rusia, Slloveni, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Republikën Çeke, Rumani, Bullgari dhe vende të tjera si Franca, Greqia, Qipro, Danimarka, Italia, Spanja, Britania e Madhe, Zvicra, Shqipëria e Austria. Në operan shqiptare kontributi i Agim Hushit ka qenë i madh sidomos për realizimin e roleve kryesore të tenorit në premierat historike të TOB në operat ‘Turandot’ si Calafi i parë shqiptar, ‘Aida’ si Radamesi i parë shqiptar si dhe role të tjera të spikatura si Manrico nga Opera ‘Trovatore’, Cavaradosi nga ‘Toska’ e plot aktivitete të tjera solistike si recitale, koncerte dhe incizime. Hushi mban titujt e lartë të akorduar nga Presidenti i Republikës Mjeshtër i Madh, Nderi i Qytetit të Kavajës nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Kavajes si dhe titullin Profesor nga Universiteti i Qingdaos në Kinë. Rolet e tij më të mira në skenat e ndryshme botërore të operas janë Cavaradosi nga opera ‘Tosca’, Calaf nga ‘Turandot’, Des Grieux nga ‘Manon Lescout’, Radames nga ‘Aida’, Manrico, Luigi Il Tabarro, Canio nga ‘Pagliaci’ dhe Turiddu nga ‘Cavaleria Rusticana’. Në tetor 2012 Agim Hushi regjistroi albumin e tij të parë solo ‘Amore Grande’ me këngët më të famshme të tenorit me ‘New Europe Simfonik Orkestra’. Kjo CD konsiderohet nga kritika dhe ‘Deutche Gramaphone’ si një nga CD më të bukura të botës që nga ditët më të mira të Di Stefanos. Hushi ka punuar si Shef i Departamentit të Operës në Konservatorin e Vjenës dhe konsiderohet si një prej ekspertëve më të mirë të belkantos në Europë. Hushi vazhdon të ushtrojë veprimtarinë e tij vokale në botë me një vitalitet dhe freski profesionale duke kontribuar në lartësimin e emrit të Shqipërisë në mbarë botën.