Princi, “vizionar që ka ndryshuar botën”
Figura të artit, por jo vetëm, kanë shprehur keqardhje për vdekjen e legjendës së muzikës, Princ.
Këngëtari amerikan ka vdekur të enjten, në moshën 57-vjeçare, në shtëpinë e tij në Minesota të SHBA-së.
Madonna e ka përshkruar atë si një “vizionar që ka ndryshuar botën”.
Mick Jagger, nga grupi Rolling Stones, ka thënë se talenti i Princit ka qenë “i pakufishëm”.
Këngëtarja Katy Perry ka thënë se bota “ka humbur shumë magji”.
“Pak artistë kanë ndikuar zërin dhe trajektoren e muzikës popullore më dukshëm”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.
Princ është bërë super-yll global në vitet 1980, me albumet si 1999, Purple Rain dhe Sign O’ the Times.
Ai ka shitur më shumë se 100 milionë incizime gjatë karrierës së tij.
Si këngëtar, tekstshkrues dhe multi-instrumentalist, Princi ka incizuar mbi 30 albume.
Hitet e tij më të mira përfshijnë: Let’s Go Crazy dhe When Doves Cry.
Javën e kaluar, ai është dërguar me urgjencë në spital, pas performancës në skenë, por është liruar shpejt.