Albspirit

Media/News/Publishing

Me Ismail Kadarenë

Nga Jetona Kocibelli

Do të doja ta njihja Kadarenë, përtej asaj që një pjesë e madhe e konsiderojnë idhull. Sigurisht që e dua Shkrimtarin, e dua veprën e tij, mendjen e tij, stilin e tij, botën dhe lirinë që më fal. E dua që në ditët e mia të bukura, të zakonshme, me dilell, pa të, por edhe të trishtuara të mund të mbushja orët me artin e tij.

Por kurioziteti i një të reje që më shumë së sa kaq kërkon të njohë njeriun përtej, këtyre letrave, librave, shkrimeve, cmimeve. Përtej të thënave të tij, përtej shikimit pas syzeve, shkrimit të kujdesshëm të dorës dhe preferencës për bojën e kuqe në stilograf.

Nuk ishte e zakonshme për të fliste me një vajzë që ka lindur kur sistemi ndyshoi në Shqipëri, atëherë kur ai e la këtë vend. Por kërshëria ishte e dyanshme. C’mund të mësoja unë, sa shumë, mjaftonte thjesht të dëgjoja pasionin me të cilin fliste për gjuhën shqipe. Për këngët e popullit. Për historinë dhe prirjen e hershme pro evropiane të këij kombi, që mban shumë popuj në të.

Gjendja e tanishme ishte një ndër popujt. Cilësisht i vështirë për t’u përcaktuar se si. Përandoritë e kanë një fillim, por edhe një fund. Kombet…Nuk do Kadare të besojë në këtë. Në pesimizmin e atyre që mendojnë dhe shkruajnë kështu.

Nuk dëshiron që njerëzit të ikin, ashtu sic kanë bërë dikur që kanë braktisur këtë vend për Anadollin. A ka ai misionin e ruajtjes së gjuhës shqipe? A beson në prirje diabolike të atyre popujve që duan që ne të jemi pak, të pakonsiderueshëm në numër, të pafuqishëm, pa peshë, në minorancë?

Po, beson. “ Të rinj si ti i duhen Shqipërisë, Jetona. Besimi i atyre që largohen se do gjejnë më mirë është i gabuar. “- më qëndrojnë ende fjalët e tij. Shija e tyre do ngelet gjatë, ashtu si shija e një prej kafeve në ditët e mia.

Por e një prej tyre që ti i ndien, i pret, e ato momente vijnë thjesht, pa bujën më të vogël, por janë po ashtu aq thjeshtësisht të shijshme. Nuk e gjeta aspak të thjeshtë Kadarenë, por as të vështirë jo.

Për mua kishte një sinqeritet të admirueshëm në bisedë. Vërtetësi që më mbush me jetë. Buzëqeshje shumëkuptimëshe, por edhe të thjeshtë herë pas here. Arti nuk ka kuptim pa krijimin, por edhe pa të bukurën, pa thjeshtësinë që përkthehet si ndërlikim. Këto janë gjërat përtej skemave. Kjo është vërtetësia.

Sigurisht që të tjera takime do të pasojnë. Shijet dhe kujtesa do të pasurohen. Ashtu si nga gërvishtja e shkruesit mbi librin e përzgjedhur për lënien e kujtimit. Gjërat e vërteta po ashtu…

Please follow and like us: