Albspirit

Media/News/Publishing

Paragrafi gjerman i fyerjes

Paragrafi 103 për fyerjen, i përdorur rrallë do të preokupojë tani drejtësinë, në grindjen midis komedianit Böhmermann dhe Presidentit turk Erdogan. Por çfarë rëndësie ka paragrafi dhe a ka raste të ngjashme?

Bildkombo Pinochet und Schah von PersienRaste të ngjashme të përballjes së gazetarëve me drejtësinë për shkak të fyerjes: Pinoçeti dhe Shahu i Persisë

Gjermania është vendi i juristëve. Shumë gjëra janë të rregulluara me ligj dhe paragrafët ndërtojnë shtyllën kurrizore ku bazohet ndërtesa shtetërore – ndoshta më tepër se në vende të tjera. Kështu është rregulluar edhe rasti i fyerjes së kryetarëve të huaj të shtetit.

Në tekstin e paragrafit 103 të Kodit Penal gjerman thuhet: “Ai që fyen një kryetar shteti të huaj ose ai që duke i referuar pozicionit fyen një anëtar të një qeverie të huaj, që ndodhet në detyrë brenda vendit, ose ai që fyen drejtuesin e një përfaqësie diplomatike të akredituar në territorin federal, dënohet me heqje lirie deri në tri vjet ose me gjobë, në rast të fyerjes me shpifje dënohet me heqje lirie prej tri muajsh deri në pesë vjet.” Parakushti për t’iu referuar këtij paragrafi, kërkon që në bazë të Paragrafit 104a të Kodit Penal, Gjermania të ketë marrëdhënie diplomatike me shtetin prej nga vjen personi që fyhet. Me Turqinë Gjermania ka marrëdhënie të tilla.

Vendim në dobi të Shahut

Ky paragraf u përdor për herë të parë në vitet 1960, në lidhje me Shahun e Persisë. Një fotomontazh në një gazetë e fyeu despotin. Gjykata i dha atij të drejtë dhe e dënoi me gjobë bashkëpunëtorin e gazetës.

Ka pasur herë pas here raste, ku grupe të huaja ose fetare janë ndier të fyera nga satira gjermane ose nga pankartat publike. Në vitin 1975, një plakatë me mbishkrimin “Bandë vrasësish”, e vendosur para ambasadës së Kilit në Bonn, vuri në lëvizje gjykatat gjermane. Kryetari i shtetit i Kilit, Pinochet dhe ambasadori i tij në Gjermani e ndienë veten të diskredituar nga pankarta dhe e çuan çështjen në gjyq. Gjykata e Lartë Administrative e Landit të Nordrhein-Westfalisë e konsideroi në kundërshtim me ligjin pankartën. Edhe rekursin kundër këtij vendimi, Gjykata Administrative Federale e hodhi poshtë në vitin 1981.

Shqetësim te myslimanët

Mjeshtri i show-ut, Rudi Carrell hyri në ngatërresa diplomatike në vitin 1987, kur në një emision satirik me emrin e tij e tregoi në një montazh filmik me mbathje grash udhëheqësin e revolucionit iranian, Ajatollah Chomeini. Por paragrafi 103 nuk u përdor.

Edhe gazeta e përditshme Tageszeitung “taz” kishte në faqen e saj satirike “E vërteta” disa raste spektakulare. Vëmendje të madhe shkaktoi për shembull historia me titullin “Mullahët gjithmonë e më të zgjuar”, e cila merrej me myslimanët e Indisë, të cilët bënë përgjegjës televizorët për një tërmet dhe prandaj i thyen pas kësaj aparatet e televizorëve. Fjalia mbyllëse e artikullit atëherë ishte me fjalët me rimë në gjermanisht: “Allahu është i madh, Allahu është i gjithëfuqishëm, ai ka një prapanicë me perimetër tre metra e gjashtëdhjetë.” E madhe qe britma e revoltës e myslimanëve në të gjithë botën. Për autorët madje u shqyrtua mundësia e shqiptimit të një Fatwa, i një ekspertize juridike myslimane. Një ekspertizë e tillë mund të çojë, si në rastin e Salman Rushdie-s, në thirrje për vrasjen e personit. Por në rastin e “taz” kjo nuk u bë, meqenëse gazeta botoi një falje formale.

Rregulla të buta brenda vendit

Edhe e drejta gjermane e ndëshkon talljen dhe shpotinë kundër kryetarit të shtetit. Në paragrafin 90 të Kodit Penal, fyerja e Presidentit të shtetit mund të dënohet me një dënim prej tri muajsh deri në pesë vjet burg. Por ky dënim jepet vetëm me aprovimin e Presidentit të shtetit. Në Turqi, paragrafi 299 i Kodit të atjeshëm Penal është ai që ndëshkon fyerjet e kryetarit të shtetit. Të akuzuarit, kur dënohen, i pret një heqje lirie prej deri katër vjetësh.

Please follow and like us: