Vrima e zezë e helenizmit “paqësor” grek
Prej një shekulli e gjysëm shteti grek ka vënë në programin e tij dhe është përpjekur vazhdimisht me dhunë e dinakëri, me gjak e demagogji të helenizojë jugun shqiptar. Tendenca të tilla helenizuese ka ai edhe ndaj Maqedonisë e Bullgarisë, por tokat e jugut shqiptar përbëjnë boshtin e asaj strategjie. Dikush mund të thotë se fjala “shovene” është e rëndë, sidomos në kushtet e rrjedhave të sotme evropiane e të miqësisë së mirë të dy vendeve. Po kur kjo fjalë shpreh të vërtetën objektive, ç’vlerë kanë subjektet historike pastaj?
“Kemi emigrantët atje” – mund të thotë dikush tjetër. Atëherë, sipas këtij morali (të nënshtrimit), në emër të miqësisë e të emigrantëve, ne të lejojmë, siç u lejua, që Greqia të valëviste flamujt e saj në tokën shqiptare të Himarës?!
Nga faktori i madh emigrant lulëzohet Greqia, më shumë se sa ata (emigrantët) ngrenë jetën e tyre. Këtë të vërtetë e dijnë dhe e pohojnë të gjitha vendet e Evropës. Edhe ndaj emigrantëve dihet imponimi shoven i mekanizmave të shtetit apo shoqërisë greke: helenizimi i tyre me anë të ndërrimit të emrave, të pagëzimeve, puthjes së kryqit, vendosja e tij në qafë, krijimi i lehtësirave dokumentare për ata që pranojnë një konvertim të tillë, etj. Shqiptarët janë përhapur në dhjetëra vende të botës, por asnjë nga këto shtete apo shoqëri nuk u ka imponuar atyre një robëri të tillë. Edhe kjo është një e vërtetë si drita e diellit.
Rrënjët e helenizimit grek ndaj Shqipërisë zgjaten thellë në shekuj. Ata kanë synuar jugun shqiptar me termin e tyre artificial “Vorio-epir”, me terror, me ushtri, me luftëra, gjakderdhje, me demagogji, rekrutim agjentësh shqiptarë…, për synimin e tyre të madh: aneksimin në “gjirin e kryqit grek”! Sot ajo luftë tradicionale e tyre vijon në “paqe”, me dhrahmi (të konvertuara në euro!), me pensione, me blerje karakteresh e trush të “varfanjakëve” shqiptarë, të të përulurve, të shiturve… Pra, e ka fshehur thikën, ka tundur e tund kryqin (atë kryq, i cili është lyer me gjakun e martirëve etnikë shqiptarë, sidomos në dy shekujt e fundit!). Pra, përçarja dhe magnetizimi korruptim i shqiptarëve – ja metoda e sotme e helenizimit të vjetër grek ndaj Shqipërisë. Është e njohur parulla e tyre e vjetër: “Si mund të lejojmë që … barbarët shqiptarë të bëjnë jetë të pavarur në gjirin e qytetërimit helenik?!”
A nuk e shprehu edhe zëvendësministri i Jashtëm grek në ditën e përurimit të godinës së shkollës greke në Himarë: “Me të gjitha mënyrat jemi përpjekur për këtë ditë?!” Po sa ditë të tjera (helenizuese) kërkojnë të gëzojnë ata në tokën shqiptare?!
Shkolla greke në Himarë ishte vetëm një piketë e këtij helenizimi. Vetëm një piketë. Edhe në Europën e Bashkuar Greqia ka shprehur e shpallur planin e saj të “helenizimit Ballkanik”. Kush e di ç’e quan Europa këtë plan të anëtares së saj “të sinqertë”: miqësor, paqësor, kulturor? Domethënë Greqia “të zbutë” Ballkanin… së pari duke i ndërruar gradualisht etninë shqiptarëve të jugut! (A e ka në planin e saj moral Evropa “ndërrimin e etnive”?) Kush e shtron për diskutim këtë gjë?
Në shkakun e madh Greqia shfrytëzon varfërinë e shqiptarëve për të realizuar ekspansionin e vet helenizues, në fakt megali-idheist, të mbuluar me maska kulturore e me mburojë “evropianizuese”.
Një objektiv ata e arritën: shkollën greke në Himarë. Nuk u përfill fare flamuri e shteti shqiptar aty. Vetëm flamurët grekë, me vija të kaltra, domethënë: u çel Greqi në tokën shqiptare! Ky hap shoven u krye me këngë e valle, me himn grek, bile edhe me parullën “ti bashkohemi Greqisë!”. Kryqi grek nxinte bashkë me rrason e priftit që buzëqeshte si te vëllai i tij i hershëm i filmit “Udha e shkronjave”, me buzëqeshje të jashtme dhe me thikën nën gunë…! Entuziazmi i tij ishte gati … kozmik, fluturues. Piketa helene u ngul. Shteti shqiptar bënte letargjinë e … Esat Pashës! Vetëm një shtetar yni qe atje, – zëvendës Ministri i integrimit (emri nuk i mbahet mend!), veçse cilësia e tij – agjent i çiltër i megali-idhesë greke! Ai, si në një kopsht privat, i “dha viston” patrikanës greke. I tha: “Merre dhe hape shkollën tënde! Më vonë … pagëzojmë edhe tokën!” Ndërsa lumi i dhrahmive (ose eurove) i ka shndritur fatin agjentit, në sy të të gjithë botës shqiptare!
Ky ishte përfaqësuesi i shtetit tonë! A thua se etniteti e toka shqiptare menaxhohen nga një zëvendës-ministër? Dikur Greqia, të tillët, nga radhët e shqiptarëve, i kërkonte me pishë skutave e maleve, i lante me dhrahmi, sot ata – ajo i gjen me bollëk dhe fare lirë, bile brenda shtetit shqiptar! Tragjedia shqiptare vallzon! A do mbijetojë ky komb, më i vjetri i botës? Apo do ta tjetërsojë një kryq ogurzi, si ai i shovenëve të jugut?!
Në Himarë u tund e u valvit një lulishte (nëngjyrëshe!) me flamuj grekë! Asnjë fjalë s’u tha aty për Shqipërinë, në tokën e saj!!!… Kish pamje më të kulluar (bile lirike) shovene se kjo?
Dhe, si e gjeti shtegun ky shovinizëm i kulluar? –Nëpërmjet piketës së vogël të shkollës! Shkolla greke për ta është vrima e fundit e kavallit shoven. Kavalli i madh i tyre është dominimi grek mbi etninë shqiptare, pra, helenizimi. Konvertim i popullsisë shqiptare në fenë, gjuhën, ngjyrën e tiparet greke. Që ky popull të përulet (të përkulë pavarësinë!), të puthë kryqin e të ngrohet nga dielli grek! Ky ka qenë edhe qëllimi esadistëve (renegatëve) shqiptarë, si Zografi, Spiro Milo, etj. Atëherë populli himarjot e i jugut u damkosi atyre në shpatull vulën e tradhëtisë, ndërsa tani, për ironi të fatit (!…) himariotët i tundin vetë flamurët e megalidhsë! Edhe vetë këmbëngulin se “janë grekë” (!) kur e dijnë mirë se rrjedhin nga Kruja, Kurveleshi e Lumi i Vlorës! Kjo është pjesëz e tragjedisë shqiptare. Kombi shqiptar sot ka dy vektorë: forcimin në Veri (Kosovë), e dobësim në jug, nëse nuk do t’i bëhet parapritë megali-idhesë greke. E trishtë, por e vërtetë.
Flamurët grekë në Himarë! Ngjyra e tyre e kaltër sjell ogurin e zi për tokat shqiptare. Po toka, malet edhe brigjet, bregdeti e gjiret himariotë, të kujt janë, të Venizellosit? Apo të Micotaqit? Himariotët, të konvertuar në idenë e gjakun grek, s’i përgjigjen dot kësaj pyetjeje.
Megali-idheistët gjithmonë kanë thënë se “gjuha shqipe është gjuha e shpellave”, “e mallkuar” etj. Dhe kështu, sipas atyre shovenëve, gjuha më e lashtë e botës duhet zëvendësuar me gjuhën helene, megjithëse edhe këtë e dijnë ata, që gjuha e tyre është e shartuar dhe e kryqëzuar.
Sigurisht, të mbrojtur me maskat evropiane, ata nuk i shpallin hapur këto fraza, por ato përbëjnë shtresën e parë të qëllimit të tyre. Ato qëndrojnë në themelin e programit famëkeq të helenizimit të jugut shqiptar. Ata i kanë ngritur tashmë dy furkat: shkollën greke në Korçë e në Himarë. Si një tra mbi këto dy furka, qëndron vija e afërme e helenizimit, pra, vija Himarë-Korçë e poshtë i takon hapësirës greke (sipas tyre!) Për këtë punojnë ata, për këtë gëzojnë e ëndërrojnë. Gjithë kësaj politike e praktike i prin kryqi ogurzi, i spërkatur aq dendur në histori me gjakun e martirëve shqiptarë.
A u harruan lumenjtë e gjakut të shqiptarëve të derdhur nga grekët (megal-idheistët) pikërisht për ekspansion gjeografik ndaj Shqipërisë: më 1878 në Lëkurës e Sarandë, më 1913 në Janinë, 1914 në Bregdet, Delvinë e Kurvelsh, më 1944-45 në gjithë hapësirën çame, ku therën brenda disa ditëve edhe masa shqiptarësh deri në 400 vetë? Historiku i megali-idhesë greke ndaj shqiptarëve është i shkoqur, i qartë. Ai kullon gjak shqiptarësh në çdo pore e gërmë të programit helenizues. Ka patur edhe një frazë në programin e tyre: “të shfarosim pa mëshirë shqiptarët!”
Nuk u mjaftoi shovenëve grekë tërë ajo hapësirë e begatë nga Arta në Kostur, Konicë… e gjithë Çamëria…, dhuratë kjo që ua bëri Europa më 1913? Tani shovenët, duke fshehur thikën, plumbin e helmin… ndjekin “rrugën evropiane” (!): atë të dëshirës së “grekërve” në Himarë: të tundin lulishten e flamujve të tyre! Dhe ja, sipas tyre, këtë e do populli “i persekutuar” himarjot, në emër të të drejtave të njeriut!
Tentoi me ushtri Greqia edhe më 1949 ndaj vendit tonë, por atëherë kish zot palo-hauri ynë! Tani ç’zot ka? Parlamentarët e politikanët tanë janë në rrjetën e megali-idhesë greke: organizojnë kacafytjet me njëri-tjetrin në parlament, dhe … nuk kanë kohë të shikojnë lulishten e flamurëve grekë në Himarë! (Ndoshta me qëllim!) Po kush do ta shikojë këtë çështje? Populli i revoltuar i Vlorës? Apo presin që flamuri grek t’u dalë në parlament?
Dhe strategjia shovene e grekërve vazhdon: me rritje pensionesh të atyre që pranojnë kombësinë greke (edhe pa qenë të tillë), me … martesa të djemve lebër me “të krishtera”, me lehtësime vizash e punësh të të helenizuarve në Greqi, me pagëzime e përgëzime të çfarëdo lloji, me investime në kisha greke, e, mundësisht në shkolla të reja si ajo e Himarës, me ardhje ministrash e zv. ministrash grekë (të paftuar) në Himarë, me helenizim të ethshëm të afro gjysëm milioni shqiptarësh në tokën helene, etj, etj.
Dhe, valëvitje: kryqe, flamuj e himne grekë. Kjo është “miqësia evropiane” e Greqisë ndaj Shqipërisë.
Jo vetëm kaq, ato i kanë shtrirë kthetrat e tyre edhe në fusha të tjera të jetës shqiptare: në politikë, ekonomi, muzikë… Mjafton të përmendim vetëm një plan, atë të muzikës popullore shqiptare (të jugut): programet që jepen janë me 25-30% me muzikë greke (e fjalët shqiptare). A thua se je duke dëgjuar një koncert të përhershëm festiv shqiptaro-grek.
Qëllimi i megali-idhesë është që në këto këngë mundësisht të harrohen edhe tekstet shqiptare! Dhe për këtë qëllim ajo paguan e rekruton agjentë të thjeshtë edhe për këngët. Megali – idhea do të godasë kështu gjuhën shqipe, këngët, vallet tona, shkollat tona… duke paguar mohimin e tyre, duke përfituar nga varfëria e shqiptarëve.
Shovinizmi grek ka ndërruar pamje e ngjyrë. Por në qëllim është po ai, i para një shekulli e gjysmë: helenizimi me çdo mjet i jugut shqiptar. Vija Himarë – Korçë është skalioni i parë i këtij invadimi; skalioni i dytë është trekëndëshi tjetër Vlorë-Korçë (a nuk ka rënë balalajka greke “Tepeleni qe Avllona?”); dhe vija e tretë e tyre është ajo e Naçertanies (1854) – vija e lumit Shkumbin, vijë e ndarë vëllazërisht me serbin, të cilit ia theu e shqeu planet UÇK-ja dhe bombat e NATO-s. Po këto – duart e zgjatura të megaliidhesë kush do t’i presë? Topat, thikat dhe helmet e dikurshme ajo i ka zëvendësuar me rrezet rëntgen të dhrahmisë (euros) greke, aq famëkeqe në qëllimin e lëvrimit të saj. Ata ndjekin e do të ndjekin politikën e korruptimit të brezave shqiptarë, të blerjes së truve dhe karaktereve të tyre, deri në mohimin prej tyre të përkatësisë etnike shqiptare. Të firmosen formularët e pranimit të etnisë e fesë greke, e kështu, megali-idheistët të kërkojnë (me konventën e të drejtave!) regjistrimin e popullsisë së jugut, e cila, sipas tyre duhet të dalë më shumë greke, … e kështu ata të kërkojnë referendum qeverisës… (si në Himarë), të bëjnë “Kongresin Vorioepiriot” (si më 1878 në Gjirokastër), dhe në vendin tonë të vendosin e të qeverisin grekët, grekofonët, pasardhësit e Zografëve e Spiro Milove… Bollanot me shokë…
Ky ogur i zi a do ta mbulojë jugun shqiptar? Mos qoftë thënë, por lufta e kuçedrës së jugut është e ngrehur që prej një shekulli e gjysmë, … do të vazhdojë edhe vite, dekada e shekuj të tjerë…
Dikur renegati ynë Esat Pasha, ka thënë: “Tokat nën vijën Himarë – Korçë le t’i marrë Greqia! S’kemi probleme në marrëdhëniet me ta!” Po shteti i sotëm shqiptar pse bën qorrin e shurdhin me megali-idheistët që nxorrën kokën në Himarë? Sa të ketë hyrë tek ata rëntgeni i dhrahmisë greke? Sa molekula të Esat Pashës të kenë në gjakun e tyre?!… Po për integrimin në … “grek” se në atë “evropian” ai as e kishte për moral fare. Dosja e shkollës greke, – tha filogreku Bollano, – kaloi nga një zyrë të ministrisë së integrimit…! Pra, fati i të drejtave shqiptare qenka në duart e një zyre e jo të parlamentit!
Bukur: Këtë bëri edhe Esat Pasha që firmosi shkëputjen e Shkodrës për t’ia dhënë Malit të Zi, dikur këtë edhe Ahmet Zogu për Shën-Naunin mbi Pogradec apo Hotin e mbi Shkodrës, etj…
Zëri i Avniut po ngjallet, bëhet njësh me hymnin e UÇK-ës: “Dhe Kosova është Shqipëri”. Po kjo do vazhdojë: “Edhe Çamëria është Shqipëri!”
Jugut shqiptar i kërcënohet një rrezik potent: vrima e zezë e shovinizmit “paqësor” grek. Ajo do të shkërmoqë e të thithë tërë Shqipërinë.
Kjo përballohet kur çdo subjekt shqiptar, individ apo grup, apo organizëm… të ketë e të forcojë në gjakun e vet UÇK-në etnike të simbolit shqiptar…