Ish-ministrja franceze kritikoi PS-në, Mirela Kumbaro e telefonon për t’i kërkuar ‘llogari’
Disa javë më parë, ish-ministrja e Kulturës në Francë, Aurelie Filippetti deklaroi që Partia Socialiste franceze mos të ndjekë shembullin e socialistëve në Shqipëri, duke iu referuar referendumit që po mbahej për mandatin e Edi Ramës.
Në një opinion të publikuar në gazetën “Le Parisien”, ish-ministrja franceze fliste për riskun që gara për shpalljen e kandidatit për president në zgjedhjet e ardhshme mund të ishte “alla shqiptare”. Por, termi i deputetes brenda socialistëve francezë shkaktoi debat në Tiranë. Shkrimi erdhi një ditë pas referendumit në PS.
Pavarësisht kësaj, socialistët në Shqipëri u përpoqën që të saktësonin se bëhej fjalë për Partinë e Punës në vitet ’90 dhe jo për Partinë Socialiste.
Mediat në Francë shkruajnë se Filippetti ka marrë një telefonatë nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila ka shprehur habinë e saj për deklaratën e deputetes.
“Ajo nuk i është referuar Partisë Socialiste të Shqipërisë, që është aktualisht në qeveri, por Partisë së Punës së Shqipërisë, që ka drejtuar vendin deri në vitin 1991”. Me këtë sqarim duket se është shmangur dhe incidenti diplomatik.