Albspirit

Media/News/Publishing

Yasushi Inoue: Letra e Saikos

 

 

Kur të lexosh këto fjalë unë nuk do të jem më. Nuk e di si është vdekja, por jam e sigurt se gëzimet, mundimet dhe frikat e mia nuk do të ekzistojnë më pas kësaj. Kaq shumë shqetësime në lidhje me ty dhe kaq shqetësime pa reshtur në lidhje me Shokon…

Të gjitha këto, së shpejti nuk do të kenë arsye të jenë më në këtë botë. Trupi dhe shpirti im do të zhduken. E megjithatë shumë orë apo shumë ditë pas ikjes sime, kur unë të jem kthyer në hiç, ti do të lexosh këtë letër dhe ajo do të të tregojë ty, që do të mbetesh në këtë botë, kur unë s’do të jem më, mendimet e kokëçarjet, që ishin të miat, kur isha ende gjallë.

Kjo letër do të të tregojë, njësoj sikur të të flisja unë vetë, mendimet e mia, ndjenjat e mia dhe gjëra të tjera që ti s’i di. Kjo do të jetë njësoj sikur ne të kuvendonim bashkë, njësoj sikur të dëgjoje zërin tim.

Ti ke për t’u çuditur shumë dhe, pa dyshim, do të dëshpërohesh e do të më mbash mëri. Por unë e di, ti nuk do të qash. Ti do të kesh vetëm një vështrim të trishtuar, atë vështrim që asnjë tjetër veç meje nuk e ka parë, e ndoshta do të thuash: “Ti je e çmendur, e dashur”.

E shoh që këtej ku jam shprehjen tënde dhe ta dëgjoj zërin. Për këtë arsye, që nga kjo botë e përtejme unë do të mbetem e pranishme në këtë letër derisa ti ta mbarosh së lexuari.

Që në çastin që do ta hapësh këtë letër dhe do të fillosh ta lexosh, ti do të gjesh aty ngrohtësinë e jetës sime. Dhe gjatë pesëmbëdhjetë apo njëzet minutave derisa të arrish në fjalën e fundit, kjo ngrohtësi do të shpërndahet krejt në trupin tënd, ajo do të mbushë shpirtin tënd me lloj-lloj mendimesh, ashtu sikurse ndodhte në kohën kur unë merrja ende frymë.

Sa gjë e çuditshme një letër pas vdekjes! Edhe sikur jeta e mbyllur në këtë letër të mos zgjasë më shumë se pesëmbëdhjetë apo njëzet minuta, po, edhe sikur kjo të jetë kaq e shkurtër, unë dua të të zbuloj “unin” tim të thellë. Sado e tmerrshme të të duket kjo, e ndiej fort tani që, sa isha gjallë, s’ta kam treguar kurrë “unin” tim të vërtetë. “Uni” që të shkruan këtë letër është vetja ime, “uni” im i vërtetë.

Kujtoj ende bukurinë e malit Tennozan në Yamazaki, me gjethet e kuqërremta, të lagura nga rrebeshi i fundvjeshtës. Nga shiu u futëm nën strehën e portës së vjetër, në hyrje të shtëpisë së famshme të çajit, përpara stacionit të trenit.

Ne ngrinim sytë nga mali që ngrihej i drejtë e madhështor prapa stacionit të trenit dhe, të robëruar nga bukuria e tij s’merrnim frymë. Ky spektakël i çuditshëm ishte vallë efekti i një trilli të mbrëmjes së nëntorit që pak nga pak po errësohej?

Apo ishte efekti i motit të çuditshëm që bënte atë ditë, me ato rrebeshe të shkurtra njëri pas tjetrit gjatë gjithë pasdites? Gjithsesi, pamja e malit u ofronte syve tanë një luks ngjyrash, që s’na linte të provonim t’i ngjiteshim.

Trembëdhjetë vjet kanë kaluar që atëherë dhe unë ruaj ende kujtimin verbues të madhështisë së gjethnajës, që m’i mbush sytë me lot. Ishte hera e pare që ishim ne vetë. Gjatë mëngjesit më kishe shëtitur në periferinë e Kyoto-s dhe unë isha krejt e këputur. Edhe ti duhej të ishe i lodhur.

Kur ne po i ngjiteshim shtegut të ngushtë e të ngurtë të malit, ti the ashtu kot, pa ndonjë arsye. “Dashuria është një fiksim. Është fare normale të të ngelet mendja te një tas çaj.

Atëherë pse s’paskam të drejtë unë të më ngelet mendja te ty?” Pastaj ti shtove: “Vetëm ne mundëm të kënaqemi me bukurinë e Tennozan-it. Vetëm ne kënaqemi nga njëri-tjetri dhe në të njëjtin çast. Që sot e tutje ne s’mund të kthehemi më mbrapsht”. Pata përshtypjen se po dëgjoja një çunak të paedukuar që s’e përmbante dot veten.

Këto fjalë pa rëndësi, por të dëshpëruara që më the, më bënë të heq dorë nga vendimi im, njësoj sikur ti ta kishe bërë pluhur e hi, me një goditje të vetme. Sepse kisha vendosur të ndahesha nga ty dhe i kisha dhënë fjalën vetes të ta thosha atë mëngjes.

Por melankolia që ndjeva pas fjalëve të tua bëri që të lindë tek unë dëshira për të qenë e dashuruar, ashtu si do të dëshironte çdo grua. Sa të lehtë e pata ta falja sjelljen time të shthurur, ndërsa burrin tim s’kisha qenë e zonja ta falja! Ti e nxore nga goja fjalën “mëkatar” për herë të parë në hotel “Atami” dhe the: “Le të jemi mëkatarë”. Të kujtohet?

Natën, në dhomën tonë që binte mbi det, grilat prej druri filluan të përplasen nga era dhe, kur ti u ngrite në mesnatë për t’i hapur, që të mos bënin zhurmë, pashë në vendkalimin e anijeve një barkë peshkatarësh që digjej, si një zjarr feste.

Sigurisht shumë jetë njerëzish ishin pranë vdekjes, por ne nuk provuam as më të voglin tmerr. Vetëm bukuria e skenës na habiti. Megjithatë, kur ti mbylle grilat, unë ndjeva një si ankth. I hapa përsëri ato, por barka duhej të ishte bërë shkrumb e hi, sepse nuk shquhej as drita më e vogël. Dukej vetëm sipërfaqja e gjerë dhe e qetë, si vaj i detit të errët.

Deri atë natë isha përpjekur të shkëputesha nga ty. Por, pasi pashë djegien e barkës së peshkimit hoqa dorë nga kjo luftë dhe e lashë veten në duart e fatit tim. Kur ti më the: “Nuk do të më pengosh ta mashtrojmë Midorin sa kohë që do të jemi në këtë jetë?”, unë t’u përgjigja pa ngurruar: Meqenëse ne nuk mund ta shmangim faktin që jemi mëkatarë, atëherë le të jemi të paktën mëkatarë të mëdhenj. Dhe aq sa të jetojmë do të mashtrojmë jo vetëm Midorin, por gjithë botën.

Dhe atë natë, për herë të parë qëkurse kishim filluar të takoheshim fshehurazi nga të gjithë, bëra një gjumë të patrazuar. Në spektaklin e barkës që kishte marrë flakë dhe që deti e kishte gëlltitur pa e vënë re askush, m’u duk se kisha pare simbolin e fundit të dashurisë sonë të pashpresë.

Edhe tani që po të shkruaj këto fjalë ende kam në sy barkën e përflakur, që ndrinte në terr. Ajo që pashë atë natë në sipërfaqen e detit ishte, pa dyshim, tortura sa e shkurtër aq dhe patetike e një gruaje të shkrumbuar nga zjarri i dashurisë.

Po përse i sjell ndër mend këto kujtime? Të trembëdhjetë vitet që filluan me këtë ngjarje, nuk ishin pa hidhërime e pa ankthe. Megjithatë unë mendoj ende se lumturia ime ishte më e plotë se e kujtdo tjetër. Përqafimet, përkëdheljet që të frymëzonte pasioni yt i çmendur më bënë të njoh, mund ta them me gojën plot, një lumturi shumë më të madhe se ç’mund të ëndërronin të gjitha qeniet e tjera në këtë botë.

Sot, që pa gdhirë, shfletova faqet e ditarit dhe thashë me vete se i kisha përdorur shumë fjalët “vdekje”, “mëkat” dhe “dashuri”. Ato më kujtuan edhe njëherë se rruga që kisha zgjedhur me ty ishte më e vështira.

Por, pesha e kësaj fletoreje të trashë ishte po aq sa pesha e lumturisë sime. “Mëkat”, “mëkat”, “mëkat”. Më ishte bërë fiksim kjo fjalë dhe në çdo çast imazhi i vdekjes më dilte para sysh. Mendoja se, në qoftë se Midori-san do ta merrte vesh dashurinë tonë, unë duhet ta paguaja mëkatin me vdekjen time.

Por thellë-thellë lumturia ime dilte e fituar. Kush mund ta përfytyronte ekzistencën e një uni të dytë tek unë, një uni të ndryshëm nga ai që përshkruhet në këto faqe?

Të paraqesësh gjërat kështu, është mungesë modestie dhe delikatese do të mendosh ti. Por unë nuk gjej mënyrë tjetër se si të shprehem. Kështu, pra! Në këtë grua të quajtur Saiko, ka ekzistuar një tjetër grua, që unë nuk e njihja, një tjetër grua, që ti as s’e ke njohur as s’e ke imagjinuar kurrë.

Një ditë ti më the se çdo qenie fsheh një gjarpër në trupin e vet. Ishte dita kur shkove të shihje doktor Takedanë, në Seksionin Shkencor të Universitetit të Kyoto-s. Ndërsa ti bisedoje me të, unë prisja në korridorin e gjatë të ndërtesës së zymtë me tulla të kuqe dhe po kaloja kohën duke parë njëri pas tjetrit gjarpërinjtë e ekspozuar në vitrinë. Kur ti erdhe gjysmë ore më vonë, mua më vinte për të vjellë nga ato që pashë.

Ti hodhe një sy në vitrinë dhe më the me shaka: “Ja Saiko, ja Midori, ja dhe unë. Secili nga ne mban brenda vetes nga një gjarpër. Nuk ke pse të kesh frikë”. Gjarpri i Midorit ishte i vogël, në ngjyrë të sepjes dhe vinte nga Azia Jugore. Ai për të cilin thoshe se ishte imi, ishte i hollë, me origjinë australiane, krejtësisht i mbuluar me luspa të bardha, me një kokë të ngushtë, si një presë.

Ç’deshe të thoshe ti në të vërtetë? S’të pyeta kurrë për këtë gjë, por fjalët e tua m’u dukën të mbushura me mister dhe s’munda kurrë t’i harroj.

Kam pyetur shpesh veten për këtë gjarpër, që siç thua ti, secili e mban brenda vetes, dhe kam ardhur në përfundim se ai herë simbolizon egoizmin, herë xhelozinë, e herë fatin.

Edhe tani unë nuk mund të zgjedh midis këtyre interpretimeve të ndryshme, por është e sigurt, siç the dhe ti atëherë, që një gjarpër jeton tek unë dhe ai u shfaq sot për herë të parë. Ky gjarpër është uni im tjetër, që as unë nuk e njihja …

Ai u shfaq këtë pasdite. Kur Midori-san erdhi të më pyeste për shëndetin dhe hyri në dhomë, unë kisha veshur haorinë prej mëndafshi jargavan, që ti e kishe sjellë për mua nga Mito City kohë më parë, që kur qeshë e re e pëlqeja më shumë se të gjitha veshjet e tjera.

Midori-san e vuri re sapo hyri. Ajo dukej e çuditur, sepse e la në mes atë që kishte nisur të thoshte dhe ndenji një çast e heshtur. Unë thashë me vete se ajo duhej të qe çuditur nga kjo veshje e çuditshme për vajza të reja dhe me një fije djallëzie, unë gjithashtu nuk nxora asnjë fjalë nga goja.

Atëherë ajo më pa në sy me një ftohtësi të çuditshme e më tha: “Kjo është haorija që ju kishit veshur kur ishit në Misugin në Atami apo jo? Unë ju pashë atë ditë”. Fytyra e saj ishte çuditërisht e zbehtë dhe e rëndë dhe zëri i saj ishte therës, si një teh thike që donte të më përshkonte. Atë çast nuk kuptova mirë se ç’donte të më thoshte. Por pak më vonë, kur kuptova rëndësinë e vërejtjes së saj, ngrita jakën e kimonosë, pa ndonjë arsye dhe u ngurosa si një automat.

“Ajo i di të gjitha, mendova. Dhe prej shumë kohësh”.

Për çudi, ndihesha e qetë, si të ndodhesha në breg të detit në mbrëmje, duke vështruar baticën që ngrihej drejt meje nga larg. Unë pothuajse e pashë çastin kur, duke i marrë dorën, i shprehja simpatinë time dhe i thosha: “Ah, ashtu, ju e dini, pra. Ju i dini të gjitha”. Katastrofa, së cilës i kisha pasur aq shumë frikën, kishte ndodhur, por unë nuk isha e tmerruar. Ishte sikur zhurma shurdhuese e plazhit mbushte hapësirën midis nesh. Një çast kishte mjaftuar që veli i së fshehtës që ti dhe unë e kishim ruajtur me aq xhelozi gjatë trembëdhjetë vjetëve, të ishte ngritur brutalisht, por ajo që po shihja ishte fare ndryshe nga ajo vdekja që kisha pritur. Kjo ngjante, si ta them, me paqtimin, me qetësinë. Në të vërtetë, ishte një paqe e çuditshme.

Unë ndihesha e çliruar. Barra e trishtë dhe e rëndë që kishte peshuar mbi supet e mia nuk ishte më. Në vend të saj ishte një boshllëk që më mbushte sytë me lot. Më duhej të mendoja për kaq shumë gjëra. Jo gjëra të zymta, të trishtuara, të tmerrshme, por gjëra të mëdha, të papërcaktuara, të qashtra, paqësore. Ndihesha si e ngritur peshë nga një ndjenjë ngazëllimi ose më mirë, nga një ndjenjë çlirimi.

Rrija ulur me mendje gjetkë, e me sy të ngulur te Midori-san e megjithatë nuk shihja gjë. Madje nuk dëgjova se ç’më tha. Kur erdha në vete, Midori-san kish dale tashmë nga dhoma dhe ecte në corridor me hapa të shpejtë.

“Midori-san”, thirra. Përse kjo thirrje? Nuk e di. Ndoshta dëshiroja që ajo të vinte e të ulej pak më gjatë përballë meje? Nëse ajo do të kthehej tek unë, do të kisha mundur t’I thosha fare thjeshtë: “Dëshiron të ma japësh burrin tënd pa ceremonira?”. Do të kisha mundur gjithashtu t’i thosha, me të njëjtin sinqeritet: “Tani erdhi koha të ta kthej burrin tënd”…

 

Përktheu Helena Kadare [Pjesë nga libri: “Tri gra”, Onufri]

Please follow and like us: