Zgjidhet misteri i Mona Lisës
Buzëqeshja e saj enigmatike e ka magjepsur botën gjithmonë, por prej kohësh, në diskutim është e gjithë fytyra e Mona Lisës: Leonardo da Vinci pati si modele një femër, për të krijuar tiparet e njërës prej grave më të famshme të artit, apo një djalë të ri, siç pretendojnë disa.
Silvano Vinceti, drejtues i Komitetit Kombëtar italian të Promovimit të Historisë dhe Trashëgimisë Kulturore, është i bindur se mjeshtri i madh i përdori që të dy. Argumentet që ai ofron mbështeten te verifikimet e bëra trupit të Lisa Gherardinit, që pretendohet të ketë qenë modelja e piktorit për këtë portret, të cilat – sipas Vincetit, – tregojnë se nuk ishte ajo muza e vetme e Leonardos.
“Pas një pune kërkimore jashtëzakonisht të kujdesshme, në të cilën kemi kombinuar metodat historike me teknologjinë më të avancuar që ekziston, më në fund ne mund të zgjidhim një mister të hershëm, atë të identitetit të vërtetë të Mona Lisës. Realiteti është se, Leonardo përdori dy modele të ndryshme. E para ishte Lisa Gherardini, e njohur si Mona Lisa del Giocondo. Modeli i dytë ishte një djalë, Gian Giacomo Caprotti, që njihej edhe me emrin Salai. Falë rrezeve infra të kuqe zbuluam gjithashtu se, në shtresën e parë të bojës në telajo, Mona Lisa nuk shihet duke buzëqeshur, por është melankolike dhe e trishtuar”, tha Silvano Vinceti, ekspert arti.
“Mona Lisa”, apo “Gioconda” siç e quajnë italianët, ndodhet sot në Muzeun e Luvrit në Paris, e mund të cilësohet ndoshta edhe si piktura më e famshme në botë.