Angazhimi për një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Parisit në Nju Jork të premten do të jetë një event historik dhe një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes së parë botërore për klimën globale.
Një numër rekord shtetesh pritet të marrin pjesë: e gjithë bota është e zotuar ta kthejë premtimin që bëmë në Paris në realitet. Shpirti i Parisit është gjallë dhe po përparon.
Në vitet e fundit kishim dëgjuar kaq shumë parashikime të zymta se një marrëveshje universale do të ishte e pamundur të arrihej. Ç’është e vërteta, ka pasur arsye të forta për të qenë skeptikë. Por besimi ynë në diplomaci dhe në bashkëpunimin multilateral u shpërblye. Dhe duhet të themi me zë të lartë se Europa ka luajtur një rol vendimtar në krijimin e konsensusit rreth një marrëveshjeje mes 195 vendeve.
Në prag të konferencës së klimës në Paris, Bashkimi jonë mobilizoi rrjetin e vet të 3000 delegacioneve të BE-së dhe ambasadave të Shteteve Anëtare në të gjithë globin. Ky dialog me vendet partnere, publikun e gjerë, komunitetin e biznesit dhe organizatat e shoqërisë civile ka ndihmuar të ndërtojë një koalicion global për të luftuar ndryshimet klimatike. Kjo është diplomacia europiane në formën e saj më të mirë: duke punuar së bashku për të mirën e Europës dhe të të gjithë botës.
Gjatë konferencës, Europa ishte një zë i fuqishëm për ambicie. Diplomacia jonë e mbështetur mbi klimën ka ngritur një rrjet aleancash me grupin prej 79 shtetesh të Afrikës, Karaibeve dhe Paqësorit (ACP).
Ne jemi të angazhuar si me lojtarët e mëdhenj dhe me vendet më të vogla në zhvillim për të arritur nivelin më të lartë të ambicies. Ky Koalicion i Ambicieve të Larta, tashmë i njohur ishte thelbësor në Paris.
Dhe puna jonë vazhdon. Paris ishte vetëm fillimi. Vazhdimësia mbi aleancat e suksesshme që kemi bërë deri më tani dhe gjatë Parisit do të jetë vendimtare: ne do të kemi nevojë për ndihmën e njëri-tjetrit për të mbajtur në rrugën e duhur tranzicionin global të energjisë së pastër.
Kjo është e vetmja mënyrë për të kufizuar ngrohjen globale nën 2°C dhe për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5°C.
Temperaturat globale kanë arritur nivele rekord. Ndikimi i ndryshimeve klimatike vazhdon të kërcënojë jetën dhe të destabilizojë rajone të tëra. Veprimi kolektiv në të gjithë botën është më i rëndësishëm se kurrë.
Shkretëtirëzimi dhe thatësira vazhdon të nxisë lëvizje masive të njerëzve, të përhapë epidemitë dhe të krijojë konflikte për kontrollin e burimeve. Ndryshimi i klimës është tashmë një çështje e politikës së jashtme: ajo ndikon në sigurinë tonë në të tashmen, jo në një të ardhme të largët.
Zgjidhja e këtij kërcënimi global duhet të vazhdojë të jetë në qendër të veprimit të jashtëm Europian –ku të gjithë 28 ministrat e jashtëm të BE-së kanë rënë dakord. Zgjidhja e efekteve direkte dhe indirekte ndaj sigurisë që vijnë prej ndryshimeve klimatike do të jetë një pjesë e rëndësishme e Strategjisë së re të BE-së për Politikën e jashtme dhe sigurinë që do të paraqitet në Këshillin Europian qershorin e ardhshëm.
Është një kërcënim i ndërlikuar, por tashmë kemi shumë nga mjetet e nevojshme për të zgjidhur brishtësisë klimatike dhe për të kufizuar rreziqet ndaj paqes. Partnerët tanë në G7 gjithashtu janë duke punuar shumë për të identifikuar fushat konkrete të veprimit. E megjithatë, strategjitë tona për ndryshimin e klimës, zhvillimin, ndihmën humanitare dhe çështjet e ndërtimit të paqes duhet të integrohen më fort.
Të gjitha politikat tona duhet kenë parasysh çështjet e ndryshimeve klimatike, siç sugjerohet nga Axhenda e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara 2030.
Kur koha është e shkurtër dhe burimet financiare janë të kufizuara, nuk mund të përballojmë përsëritjen dhe mospërputhjet. Programet kombëtare të përshtatjes klimatike mund të identifikojnë dhe të promovojnë përfitimet e përbashkëta dhe sinergjitë me fusha të tjera, si zhvillimi ekonomik dhe social, shëndeti, mjedisi dhe gjithashtu paqja.
Prioriteti ynë tani është të bëjmë një ratifikim të shpejtë dhe të fusim në fuqi Marrëveshjen e Parisit. Kjo do të dërgonte një sinjal të rëndësishëm në botë: Qeveritë europiane janë serioze në lidhje me ndryshimin klimatik dhe do të vënë në praktikë atë që është rënë dakord në letër.
Për të njëjtën arsye nuk mund të humbasim kohë për të futur në lojë planet e veprimit për klimën që kemi përgatitur përpara Parisit. Ne do të mbështesim partnerët tanë në të gjithë botën teksa ata të përgatiten për implementim dhe do të vazhdojmë të angazhohemi me aktorët jo-shtetërorë, si biznese, qytete dhe shumë të tjerë. Të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre në përpjekjen kolektive globale.
Është koha t’i hymë punës së vështirë në arritjen e premtimeve të Parisit. Do të na duhet e njëjta ambicie dhe sens i përbashkët i drejtimit, që na solli te arritja e marrëveshjes. Bashkimi ynë do të vazhdojë të kryesojë – siç ka bërë gjithmonë – drejt një planeti më të gjelbër dhe më të sigurt.