Albspirit

Media/News/Publishing

Pekini, metropol i universiteteve

Universitetet e Pekinit

Pekini është shquar ndër vite për universitetet e tij, por dhe për institutet dhe akademitë shkencore dhe studimore, të cilat përveç rritjes së numrit të studentëve vendës janë bërë vatra dije dhe për të rinj nga e mbarë bota. Pjesa më e madhe e kampuseve universitare pekinase ndodhen në distriktet Haidian dhe Xicheng. Në Haidian ndodhen universitetet e njohura Universiteti i Pekinit dhe ai Tsinghua. Ndërsa universitetet e tjera i kanë kampuset në Changping, Chaoyang dhe Liangxiang.

Universiteti i Pekinit

Kampusi i tij ndodhet pranë Pallatit të Vjetër të Verës dhe Pallatit të Verës. Ai u ndërtua si Universiteti Perandorak i Pekinit në vitin 1889, ndërsa emrin aktual e ruan që nga viti 1912. Kampusi universitar shtrihet në një sipërfaqe prej 2,743,532 metrash katrorë. Qysh prej themelimit të tij Universiteti i Pekinit ka qenë një nga shkollat e larta më të rëndësishme në nivel kombëtar. Kohët e fundit ky universitet është bërë një qendër akademike në kërkim të talenteve, rekrutim të pedagogëve të nivelit të lartë dhe të studjuesve të njohur. Universiteti i Pekinit është një qendër akademike dhe kërkimore shkencore si dhe një urë e rëndësishme bashkëpunimi me universitetet ndërkombëtare.

Website: http://english.pku.edu.cn

Universiteti Tsinghua

I themeluar në vitin 1911 fillimisht ky universitet njihet me emërtesën “Tsinghua Xuetang”, ndërsa emrin aktual e mori që në vitin 1928.Ky universitet është shumëdisiplinor, fokusohet kryesisht në specialitetet inxhinierike, formimin e personelit teknik dhe njihet si një vatër e rëndësishme e shkencave inxhinierike jo vetëm brenda Kinës, por dhe jashtë saj. Pas hapjes së Kinës në vitin 1978 Universiteti Tsinghua hyri në rrugën e zhvillimit të pandërprerë. Aktualisht në këtë institucion të arsimit të lartë studjojnë mbi 25.900 të rinj, përfshirë 13.100 që ndjekin studimet dhe 12.800 që janë diplomuar. Si një nga universitetet e mirënjohura të Kinës, Tsingua është shndërruar në një institucion i rëndësishëm për thithjen e talenteve në fushën e arsimimit dhe të mësimdhënies por dhe të mbledhjes së talenteve në fushën kërkimore dhe shkencore.

Website: http://www.tsinghua.edu.cn

Universiteti Renmin (RUC)

Ky universitet njihet si Universiteti I Popullit iKinës dhe është themeluar në vitin 1937, si një qendër e rëndësishme mësimore dhe kërkimore për shkencat shoqërore dhe të menaxhimit. Emrin aktual ky institucion e ka marrë në 3 tetor të vitit 1950. Universiteti ofron një mjedis mjaft të mirë për studentët vendës dhe të huaj, përsa i përket autoditoreve por dhe konvikteve të tij. Nga auditoret e Universitetit Renmin kanë dale kuadro të specializuara në fusha të ndryshme të jetës. Aktualisht në këtë universitet janë përfshirë 18.750 studentë, ndër të vilët 9 260 ndjekin studimet ndërsa 9,490 ato pasuniversitare.

Universiteti Normal i Pekinit (BNU)

U themelua si Fakultet i Edukimit pranë Universitetit Metropolitan në vitin 1902. Eshte ndër universitetet më të vjetër të Kinës me një histori të gjatë të arsimit të lartë. Ky institucion shquhet për nivelin e lartë të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në nivel kombëtar me institucione të tjera akademike, por dhe për prestigj në nivel ndërkombëtar. Në Universitetin Normal të Pekinit aktualisht studjojnë me kohë të plotë 19.500 studentë, 9000 studentë të diplomuar si dhe 3,370 studentë të huaj, por dhe 31,650 studentë part-time. Ky universitet është pjesë e Programit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe ka marrëveshje bashkëpunimi me 164 institucione të arsimit të lartë në 30 vende të botës.

Universiteti Beihang (BUAA)

Më parë ky universitet njihej si Instituti i Aeronautikës i Pekinit dhe u krijua më 25 tetor të vitit 1952. Me një sipërfaqe prej mbi 100 ha Universiteti Beihang është i pari për inxhinierinë aeronautike dhe astronautike në Kinë. Në këtë universitet janë realizuar me sukses mbi 40 projekte në fushën e aeronautikës. Universiteti Beihang e ka fokusuar veprimtarinë e tij në shkëmbimet e programeve dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar me 152 kolegje dhe institucione kërkimore dhe shkencore nga 40 vende të botës, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Francln, Gjermaninë dhe Rusinë. Numri i studentëve të këtij universiteti është 26 mijë, ndër të cilët 300 janë studentë nga vende të ndryshme të botës.

Universiteti i Studimeve të Huaja i Pekinit

Qysh me krijimin e tij në vitin 1941 ky universitet njihej me emërtesën “Yan’an School for Foreing Languages (Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit). Ai e mori emrin aktual në vitin 1994, duke përfaqësuar qendrën e mësimit të gjuhëve të huaja dhe duke qenë një degë e Ministrisë së Jashtme të Kinës nga viti 1980, ndërsa aktualisht varet nga Ministria e Arsimit.Ky universitet ka marrëdhënie bashkëpunimi me 320 kolegje dhe institucione kulturore nga 65 vende të botës.

Universiteti i Studimeve Ndërkombëtare I Pekinit (BISU)

U themelua në vitin 1964 si Instituti i Dytë i Gjuhëve të Huaja i Pekinit, falë kujdesit të ish kryeministrit Zhou En Lai për studimin e gjihëve të huaja nga të rinjtë kinezë. Në këtë universitet ofrohen 13 kurse të autorizuara në gjuhë të huaja si dhe rekrutohen studentë nga vende të ndryshme të botës për nivele të ndryshme studimi, qoftë për studime afatshkurtëra por edhe për master e doktoraturë. Stafi akademik i universitetit i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ka programe shkëmbimesh me 114 kolegje nga Japonia, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Kanadaja, Korea e Jugut, Australia, Rusia, Spanja, Zvicra, Egjipti, Malajzia, Siria etj.

Universiteti i Kulturës dhe Gjuhëve i Pekinit (BLCU)

U themelua në vitin 1962 dhe kishte emërtesën shkolla e lartë përgatitore për studentët e huaj. Emërtesën aktuale e mori në vitin 1996 kur u bë i vetmi universitet ndërkombëtar në Kinë, për mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës kineze për studentët e huaj. Kjo shkollë e arsimit të lartë njihet për shkëmbimet ndërkombëtare me shumë vende të huaja. Universiteti ka partneritet bashkëpunimi me 210 kolegje nga 39 vende të botës. Pekini si vatër e dijes jo vetëm për të rinjtë nga e mbarë Kina por dhe të huajt ka dhe universitete të tjera si Universiteti i Komunikimit (CUC), Universiteti Ndërkombëtar i Biznesit dhe Ekonomisë si dhe Universiteti Qendror i Financës dhe Ekonomisë (CUFE).

Please follow and like us: