Albspirit

Media/News/Publishing

Bonaparti, perandori që hante edhe me duar

Pjatat e preferuara të udhëheqësve historikë

Siç shkruante shkrimtari francez Aleksandër Djuma (Alexandre Dumas), Napoleoni nuk ishte hamës, qejfli të ngrënash. Ushtari francez është i vetmi që mund të luftojë me barkun bosh – shprehej me mburrje Napoleoni. Një komfirmim i diskutueshëm ky, por megjithatë duhet thënë se ushtarët e luftërave napoleoniane shpesh herë nuk e kishin aspak të lehtë jetën. Dhe Napoleoni në mënyrë demonstrative ndante me ta vështirësitë e jetës së fushatave ushtarake. Duke ndenjur ulur pranë zjarrit nën qiell të hapur së bashku me grenadierët Perandori piqte në prush patatet e sjella atij prej ushtarëve dhe ua ndante adjutantëve të vet. Kështu thotë legjenda.

Kurse në të vërtetë, Napoleoni bile edhe gjatë fushatave ushtarake hante me takëm prej floriri, në tavolinë kishte gjithmonë bukë të bardhë, mish të mirë viçi apo qengji, oriz, fasule ose thjerrëza, perimet e tij më të preferuara. Pëlqente ai shumë supën e nxehtë dhe mishin e zier të viçit. Perandori e kishte zakon të hante me shumë nxitim, ndërsa në vend të pirunit apo lugës përdorte duart e veta. Mund ta përfundonte drekën Napoleoni me një copë dhjathë Parmigiano ose Roquefort (rokfor-dhjathë blu). Në qoftë se pas buke hante ndonjë frut e merrte atë në sasi shumë të vogël, për shembull, një çerek dardhe apo disa kokrra rrush. Shërbyesi i Napoleonit kujtonte: se nga të gjitha verërat ai pinte vetëm atë të markës Chambertin dhe rrallëherë të pa holluar me ujë, meqenëse nuk e donte fort verën dhe ishte njohës i keq i tyre.

Në vitin 1800 në afërsi të fshatit Marengo në veri të Italisë u zhvillua dyluftimi i ashpër midis trupave franceze dhe atyre austriake. Në historikun gastronomik kjo beteje la edhe një gjurmë në formën e gjellës së famshme të quajtur “Pulë ala Marengo” (piatto”Chicken Marengo”). Pasi korri një nga fitoret e veta më të shkëlqyera, Konsulli i Parë i Francës Napoleon Bonapart, i cili nuk hante kurrë përpara luftimit, kërkoi që pas betejës ti përgatisnin atij sa më shpejt ndonjë gjë për të ngrënë. Gjelbërsi i tij arriti të gjejë një pulë, disa kokrra vezë, domate, qepë dhe hudhër, kopër e majdanoz, vaj ulliri dhe karavidhe. Kuzhinieri e preu copa-copa pulën me shpatë, i skuqi ato në vaj ulliri, bëri salcën me domate, hudhër dhe qepë, i shtoi pak konjak nga faqorja e Napoleonit, zjeu karavidhet, skuqi vezët dhe i serviri si garniturë mbi copa buke nga racioni i ushtarëve.

Thonë, se kjo gjellë i pëlqeu shumë Napoleonit dhe me marrjen parasysh të arritjes së fitores nga ai në këtë betejë të madhe, gatimin e sipërpërmendur ai filloi ta quajë me fat për veten. Legjenda thotë, se përpara betejës në Vaterlo (Waterloo) Perandorit i servirën në tryezë “Pulë ala Marengo” por kësaj here pa karavidhe. Dhe sikur kjo gjoja u bë shenjë ogurzezë: betejën Napoleoni e humbi.

Njerëzit, të cilët e patën parë të mposhtur Napoleonin në ditët e syrgjynosjes së tij në kujtojnë: se dreka e robit të luftës të anglezëve përbëhej ngandonjëherë nga thjerrëzat e ziera. Rojet angleze talleshin me gjellën e Bonapartit duke thënë se në Angli ata me thjerrëza ushqejnë kuajt. Nga ana e vet kjo gjë e zbaviste fort Napoleonin. Në fakt, duhet thënë, se Pushtuesit të mposhtur nuk i jepej shpesh rasti për t’u argëtuar.

Please follow and like us: