Çabej i plotë: Për herë të parë, 7 veprat studimore
Akademia e Shkencave, gati veprën e plotë të studimeve etimologjike të gjuhëtarit Eqrem Çabej. Kryetarja e Seksionit Akademik, Floresha Dado, ka bërë me dije se ka planifikuar të organizojë promovimin e veprës së plotë të Çabejt në Akademi, bashkë me vendosjen e bustit të gjuhëtarit, që është në proces.
Duket se do të mbarojë “aventura” e botimit të plotë të veprës gjuhësore të Eqrem Çabejt. Për herë të parë, korpusi studimor në fushën etimologjike nga ky gjuhëtar do të jetë në bibliotekën shqiptare. Para pak ditësh kur Akademia e Shkencave publikoi editorinë e saj për vitin 2016, duke bërë me dije se mbyllet vëllimi i tretë i studimeve etimologjike, lajmëron njëkohësisht se do të botohet e plotë vepra e Eqrem Çabejt. Ndonëse është një punë e vonë nga shkencat në Shqipëri, në Kosovë kjo vepër e gjuhëtarit është botuar prej kohësh e plotë. Seksioni i Shkencave Shoqërore Albanologjike përcjell për mediat se tani ka përfunduar përgatitja e shtatë vëllimeve të veprës së Eqrem Çabejt, ndonëse kolona ka qenë zvarritur për probleme gjithnjë teknike, siç ishte edhe rasti i vëllimit V.
Me daljen e vëllimit të pestë është plotësuar botimi i gjithë kolanës së kësaj vepre themelore prej shtatë vëllimesh, konsideruar një vepër madhore, me vlera të shumta gjuhësore, historike e kulturore kombëtare, nga ky mjeshtër i gjuhës dhe kulturës shqiptare.
“Kanë përfunduar 7 vëllimet e veprës së Eqrem Çabejt. Ka pasur një problem vëllimi V dhe çdo gjë u realizua” është njoftimi që vjen nga seksioni i Shkencave shoqërore albanologjike, si duket një “strukturë” e re në Akademinë e Shkencave, pas vendimit të shkrirjes së Qendrës së Studimeve Albanologjike. Nga ana tjetër, kryetarja e Seksionit Akademik, Floresha Dado, bën me dije se ka planifikuar të organizojë promovimin e veprës së plotë të Çabejt në Akademi, ndoshta bashkë me bustin e Çabejt, që thuhet se është në proces. Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysmëshekulli, kanë zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës historike etj. Por veprat themelore në këto fusha mbeten: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, të Çabejt.
Ashtu siç na njeh gjuhëtari Seit Mansaku, një pjesë e lëndës së vëllimit të pestë ka qenë botuar në formë studimesh me titull “Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe” në “Buletin i Universitetit të Tiranës”, seria shkencat shoqërore (1960-1963) dhe ribotuar më pas në vëllimin I të veprës “Studime gjuhësore” të Eqrem Çabejt, Prishtinë 1976. Një pjesë e mirë e etimologjive të këtij vëllimi botohen për herë të parë sipas dorëshkrimeve të lëna nga autori.
Sipas Mansakut, një interes të veçantë historiko-etimologjik paraqesin fjalët e trashëguara nga ilirishtja ose nga një periudhë e hershme indoevropiane, të cilat dëshmojnë për pasurinë vetjake të gjuhës shqipe, për lashtësinë e saj, për karakterin indoeuropian të saj dhe për vendin që ajo zë në familjen e gjuhëve indoeuropiane.
Kështu, “Studimet etimologjike në fushë të shqipes” e Çabejt, si për nga konceptimi i gjerë i përmbajtjes së kësaj dege të dijes gjuhësore, si për pasurinë dhe cilësinë e lëndës që trajtojnë, ashtu edhe për nga metoda dhe thellësia e studimit të kësaj lënde, thuhet se dallohen qenësisht nga “Fjalori etimologjik” i Gustav Majerit dhe nga shumë studime të tjera në këtë fushë.
Në pikëpamje të metodës shkencore, Mansaku bën me dije se E. Çabej në studimet e tij etimologjike të leksikut të shqipes, niset në radhë të parë nga vetë gjuha shqipe, nga të dhënat dhe burimet e brendshme të gjuhës shqipe, të të folmeve dhe dialekteve të saj në të gjitha trojet, duke përfshirë edhe ngulimet arbëreshe, nga të dhënat që vijnë nga tekstet e vjetra të shekujve XVI-XVII dhe nga botimet e mëvonshme të Rilindjes Kombëtare dhe të kohëve të reja.
Nuk ka mbetur jashtë vështrimit të autorit edhe synimi për të ndjekur shtegtimin e fjalëve të shqipes në gjuhë të tjera, me të cilat shqipja ka qenë në kontakt, për të vënë në dukje krahas huazimeve edhe rolin dhënës të saj si bartëse e një qytetërimi të lashtë e të veçantë.
“Vepra e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, thellësisht shkencore nga metoda e trajtimit, për nga gjerësia dhe larmia e lëndës, nga përmbajtja e pasur dhe ndërthurja e fakteve gjuhësore me elemente historike, kulturore, onomastike, etnografike etj., ka marrë trajtën e një enciklopedie me vlera të shumanshme për shumë fusha të dijes. Ajo është një burim themelor për studime të mëtejshme në fushë të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, të leksikologjisë historike, për studime onomastike, për studime etnokulturore etj. Përtej shqipes, këto studime janë një mbështetje e rëndësishme edhe për gjuhësinë ballkanike dhe indoeuropiane”. Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), Eqrem Çabej studimet e larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto fusha për një gjysmë shekulli, duke lënë një trashëgimi të pasur shkencore. Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968), “Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes” (1944). Ai është bashkautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”. Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore brenda e jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetëra referate e kumtesa në kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të njohura arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu prestigjin e saj.