Albspirit

Media/News/Publishing

Hetimi mbi Hitlerin: Vërtet vdiq në bunker?

 

 

Mungojnë prova të vdekjes së diktatorit. Dossierët e fundit të deklasifikuar të FBI-së përshkruajnë arratisjen e tij nga Berlini. History Channel i ka ekzaminuar nga një ish-agjent i CIA-s dhe nga një nga gjuetarët e Bin Laden. Zbulimi i prezencës së tij që u raportua në Argjentinë në vitet ’50.

Nga Gianluca Di Feo

Një tunel ku një person arrin të ecë veç duke u përkulur, segmenti final për të kompletuar një mister kalimesh nëntokësore. Dhe të kërkosh të gjesh një çelës të fshehur për të rihapur misterin e shekullit të XX, që reziston i paprekur prej 70 vitesh. Sepse as teknologjitë e fundit nuk arrijnë të japin një provë të vetme objektive për vdekjen e Adolf Hitler.

Historianët kanë pak dyshime. Për ta Fuhreri u vetëvra më 30 prill 1945 në bunker, me një plumb pistoletë në kokë dhe ndoshta edhe një dozë helmimi. Edhe dëshmitarët direkt të epilogut u zhdukën në apokalipsin e Rajhut të Tretë: ngelën vetëm rrëfime të dorës së dytë ose të figurave me një besueshmëri relative. Asgjë që sot do ti lejonte një gjykatësi të vërtetonte vdekjen.

Jo rastësisht Thomas J. Dodd, shef i delegacionit amerikan në procesin e Nurimbergut përdori fjalë të qarta: “Asnjë nuk mund të thotë me siguri që Hitleri ka vdekur”. Ka një boshllëk përgjigjesh, shkencore dhe fotografike: pjesët e trupit të diktatorit dhe të gruas (Eva Braun) që u martuan në vigjilje të fundit u dogjën dhe u shpërndanë nga KGB në vitin 1970. 23 vite më vonë në arkivat e shtetit moskovit u rishfaqën dy fragmente kafke, që testi i ADN-së i realizuar në laboratorët amerikanë në 2009 ia atribuuan një gruaje në moshe të re në përputhje me ADN-në e Eva Braun.

Ndërkohë që në kafkë është edhe shenja e një plumbi në dalje, ndërsa tregimet e dala nga bunkeri kanë folur gjithnjë për një helmim. Dokumentet e deklasifikuara në kursin e kohës nuk ndihmojnë të bësh dritë në zgjidhjen e misterit, madje rrisin edhe më tej enigmën.

Dokumentet që dolën një vit më parë nga skedarët amerikanë janë pjesë nga raportet e FBI-së që i janë dorëzuar personalisht shefit të madh Edgar Hoover dhe që tregonin prezencën e Fuhrerit në vende të ndryshme.

Gjithçka nisi kur detektivët federalë, monopolistë të inteligjencës amerikane besuan fjalët e Stalinit pas luftës. Ajo “jo” që Stalini i dha si përgjigje në konferencën Potsdam pyetjes së presidentit Truman: “Hitleri është i vdekur?”.

Që nga atëherë dhjetëra eseistë, shkrimtarë kanë shkruar për hipotezën e një odiseje të nazistit të fshehur në ndonjë cep duke pritur rilindjen e çmendurisë ariane. Për ta marrë çështjen në një këndvështrim ndryshe vjen një dokumentar i History Channel”.

Netuorku i dokumentarëve nuk ia la çështjen një skuadre akademikësh, por zbriti në fushë një skuadër investigatorësh të gjeneratës së fundit.

Drejtimin e saj e ka një legjendë e CIA-s Robert Baer, që inspiroi agjentin e interpretuar nga George Clooney në filmin “Siriana”.

Një veteran ende në aktivitet: misioni i fundit ishte në Bejrut, ku hetoi për vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri për llogari të Tribunalit special të Libanit. John Cencich është ndërkohë një ekspert i hetimeve shkencore dhe qe regjisori i hetimit ndërkombëtar që çoi drejt hekurave presidentin serb Sllobodan Milloveçi. Në krahun e tyre edhe një sulmues: Tim Kennedy, një rreshter i rangers-ave amerikanë që ka marrë pjesë në misionet e forcave speciale në Afganistan për të zbuluar strehën Osama Bin Laden dhe në Irak për të kapur Zarqawi. Një skuadër pragmatike që ndihmohet nga ekspertë të specializuar për të përballuar çdo problem: gazetarë investigativë britanikë, gjuetarë izraelitë të kriminelëve, studiues argjentinas të komuniteteve gjermane dhe studiues spanjollë që kanë hetuar mbi raportet mes Frankos dhe Rajhut të Tretë.

Puna e kësaj skuadre zgjati një vit, me një buxhet multimilioner dhe me mjetet të teknologjisë së lartë, gjeoradarët tek dronet. Burime që vështirë se shkencëtarët universitarë do ti posedonin.

Rezultati është një dokumentar i gjatë i titulluar “Hunting Hitler”, me tetë pjesë, nga një orë secila.

Rrjeti televiziv që njihet për dinamikën e tij drejt filmit aksion, sigurisht që nuk ka kohë të marrë edhe konsensusin e historianëve, por është një produkt cilësor dhe është një investim për publikun e gjerë.

Çështja është të kuptojmë nëse pas spektaklit ka substancë, nëse ky prodhim mund të japë një kontribut real kërkimeve. Rezultatet duken interesante, edhe pse teknologjitë më të fundit që përdoren kundër Al Kaedës nuk arrijnë të japin një fjalë finale mbi fundin e Hitlerit.

Është e habitshme për shembull të vëresh se si studime në terren akoma edhe sot duhet të bëjnë llogaritë me muret e rezistencës në shumë vende. Ata kërkojnë më vullnet që të mos hapin një kapitull që preferojnë ta harrojnë: siç është rasti i familjarëve të fundit të Eva Braun, që nuk pranojnë krahasimin e kodit të tyre gjenetik me pjesët e gjetura në Moskë. “Kemi lindur pas luftës, për ne ajo histori është e mbyllur”, shpjegojnë.

Arkivi bazë i hetimeve janë skedarët e FBI-së që u bënë të disponueshme vitin e kaluar. Dhjetëra raporte pak a shumë të sakta mbi arratisjen e Hitlerit të transmetuara mes viteve 1945-1950. Baer i ka analizuar me programet informative që CIA përdor për të zbuluar gjurmët e terroristëve islamikë.

Agjenti i CIA-s i ka kryqëzuar ato me lajmet e mbledhura nga historianët dhe me database-t marrjes në pyetje të aleatëve deri në krijimin e një harte e vendeve të mundshme ku mund të ishte fshehur Hitleri dhe më pas shkonte në terren për të verifikuar çdo lloj informacioni.

Investigimi nis nga rrugët për të lënë bunkerin në Berlin pa u vënë re. Në Berlinin që po bombardohej ekzistonin qindra kilometra të kalimeve nëntokësore, të vetme kalime të sigurta gjatë sulmit të Armatës së Kuqe.

Janë katakombe që nga viti 1999 janë eksploruar nga një shoqatë speleologjistësh. Por deri tani mungonte lidhja finale i itinerarit nga bunkeri i Fuhrerit deri në aeroportin e Tempelhof: i vetmi instalim nazist i kursyer nga bombardimet e aleatëve dhe topat sovjetikë.

Hangari ruhej nga aeroplanët bombardues Kondor që ishin në gjendje të bënin fluturime direkte deri në Spanjë.

Nën aeroport kishte vende të blinduara me impiante hidrikë dhe elektrikë të pavarur, një lloj manastiri prej betonin dhe çeliku. Një lloj bunkeri që i rezistoi prej ditësh sulmeve sovjetike deri sa u dogj i tëri.

“Pa rrugë arratisjeje, një bunker kthehet në një kurth”, nënvizon Baer.

Në fakt nga komanda e Kancelarit hyhej në tunelet e metros. Të mbijetuarit e rrethit të afërt të Hitlerit kanë mohuar që ekzistonte një rrugë direkte nga bunkeri deri në aeroportin e Tempelhof.

Duke përdorur një gjeoradar taktik, identik me atë që u përdor të inspektuar shpellat e Tora Bora ku prej një kohe të gjatë mendohej se kishte vdekur Bin Ladeni, skuadra e History zbuloi një tunel që lidh aeroportin me stacionin metros.

Është bllokuar që nga ajo betejë dhe tani pritet leje për ta eksploruar. Në çdo rast ka patur edhe rrugë të tjera për ti shpëtuar sulmit sovjetik. Robert Ritter von Greim dhe Hanna Reitsch u ulën në një pistë të improvizuar pak metra nga porta Brandeburgut dhe u rinisën më 30 prill pasi kishin takuar Hitlerin brenda në tunel.

Por ku mund të arratisej një njeri aq i famshëm dhe aq i urryer? Ekzaminimi i dokumentave të FBI-së përjashtojnë mundësinë që ai mund të ketë përdorur rrugën e Tirolit Jugor, e shfrytëzuar nga shumë nazistë për të arritur Amerikën Jugore nëpërmjet porteve italiane dhe mbulimit të hierarkisë katolike. Në rastin e Hitlerit rreziku duhej eliminuar në minimum, duke llogaritur strehimore të fshehta në vendet akoma mike. Siç ishte Spanja e Françisko Frankos. Nga Spanja vijnë edhe të dhënat e mbledhura nga detektivët e Hoover-it dhe këto gjurmë e çuan skuadrën e Robert Baer në një manastir shumë të veçantë, sepse kishte një vendkalim sekret nëntokësor që lidhej direkt me komandën e policisë ushtarake.

Pastaj Ishujt Kanarie, vendi ku qëndruan U-boot që nuk donin t’u dorëzoheshin aleatëve. Tre ikën nga Gjermania menjëherë sapo u shpall dorëzimi dhe u dorëzuan vetëm tre muaj më vonë në Argjentinë. Pikërisht në vendin amerikanojugor ku erdhën të dhëna me shumicë për një vendndodhje të Hitlerit.

Analiza e skedarëve e çoi skuadrën në një qytet të izoluar, Charata, dhe në një tjetër bunker i ndërtuar në një fermë qindra kilometra larg gjithçkaje.

Aty në vitet ’40 një jetonte një koloni e gjerë gjermanësh. Por dossierët e FBI-së tregonin edhe një tjetër vend të fshehtë, akoma më shumë në veri, në Misiones, vendi i predikuesve jezuitë në kufi të tre shteteve: një pozicion gjithnjë i shfrytëzuar për trafiqe dhe kontrabandë.

Në Misiones nga marsi i kaluar një ekspeditë arkeologjikë po eksploron mbetjet e tre godinave të ndërtuara në vitet ’40 në zemër të xhunglës.

Njëra është një banesë cilësore, me vaske banjoje dhe dekorime. Tjetra ishte një impiant hidroelektrik me disa zyra. Pra, një rezidencë e pavarur. Arkeologët kanë zbuluar rezerva ushqimesh të konservuara dhe ilaçe të saj kohe.

Në një mur ishte vulosur një kuti biskotash që mbante brenda monedha të Rajhut të Tretë dhe disa foto. Në njërën duket një rekrut i ri forcave SS, ndoshta jo gjerman, ndoshta një nga vullnetarët europianë që kërkonin të luftonin për kryqin e thyer. Një foto tjetër tregonte takimin e parë të Hitlerit me Benito Musolinin në Venecia, i vetmi takim ku diktatori gjerman ishte me rroba civile.  Pra, një mori të dhënash të vogla dhe të mëdha të mbështetjes të të arratisurve nazistë, por që nuk e heqin misterin e shekullit.

Baer pranon që fillimisht edhe ai ka qenë skeptik dhe rreth mundësisë se Hitleri mund të kishte lënë Gjermaninë naziste i padiktuar. Si çdo njeri tjetër edhe ai kishte dëgjuar thashethemet, por kurrë nuk i kishte besuar.

Por tani pas gjithë këtyre zbulimeve ai ka ndryshuar mendje rreth kësaj çështje.

“Nuk mund ti rezistoja kësaj historie”, deklaroi ai. “Dhe nuk mund ti rezistoja oportunitetit për ti përdorur njohuritë për njerëzit arratisur në mundësinë që Hitleri mund të ishte arratisur nga Berlini më 21 prill 1945 dhe të largohej drejt Amerikës së Jugut. A ishte kjo e mundur? Po”.

Please follow and like us: