Kriza me migrantë: Austria miraton ligj të ri
Austria ka miratuar një ligj, i cili kufizon të drejtën e azilit dhe lejon që aplikuesit të refuzohen në kufi.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se ligji minon parimet për mbrojtje nga lufta dhe persekutimi.
Ai vjen disa ditë pasi ekstremi i djathtë ka dalë në krye të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Austri.
Zyrtarët austriakë kanë thënë po ashtu se janë duke konsideruar ndërtimin e një gardhi në kalimin kryesor kufitar me Italinë.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Wolfgang Sobotka, ka thënë se Austria nuk ka zgjidhje tjetër pasi “shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian kanë dështuar të bëjnë punën e tyre” për të kufizuar fluksin e migrantëve dhe të refugjatëve.
“Ne nuk mund të mbajmë mbi supe barrën e gjithë botës”, ka thënë ai.
Austria ka marrë 90,000 kërkesa për azil në vitin 2015.
Shumica e azilkërkuesve janë të ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme.