Mbeçë more Gërdec mbeçë – Aksident teknologjik me konsensus
Qëndrimi i Gardës nuk është i pari në radhën e qëndrimeve të qeverisë Rama ndaj çështjeve të bujshme të qeverisë së mëparshme. Një qëndrim të njëjtë ka mbajtur qeveria Rama sikurse qeveria Berisha edhe për çështjen e Gërdecit. Në ankimimin e dorëzuar në gjykatë një vit më parë, një dokument që mban firmën e zv.ministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi, tragjedia e Gërdecit përshkruhet të ketë ndodhur për shkak të një aksidenti teknologjik gjatë demontimit të municioneve. Por ndërsa shkalla e parë Administrative ka vendosur dëmshëprblimin e familjarëve të Hysen Canit edhe nga Ministria e Mbrojtjes, kjo e fundit kërkon që të rrëzohet ky vendim pasi, sipas saj, ky dëm ka ardhur nga kompania “Albademil” dhe amerikania “Sac”. Ashtu si edhe në qëndrimin e Gardës, Ministria e Mbrojtjes sjell si arsyetim faktin që ekziston një VKM i kohës së Berishës që i ka dëmshpërblyer këto familje të dëmtuara, çka do të thotë sipas Ministrisë së Mbrojtjes se ato janë trajtuar njëherë me ndihmë financiare. Nuk rezulton në asnjë dokument, thuhet tek apelimi, që Ministria e Mbrojtjes të jetë implikuar apo të jetë pjesëmarrëse në ndonjë nga kontratat dhe gjykata në vendimin penal i ka gjetur fajtorët përkatës. Rezulton, thuhet më tej, se Ministria e Mbrojtjes, si person juridik, nuk është gjetur me faj për veprimet dhe mosveprimet e saj. Por, edhe pse politikisht është lakuar mënyra sesi është lidhur kontrata për demontimin, gjyqësisht Ministria e Mbrojtjes ngul këmbë se ajo i ka shitur një sasi municionesh të dala jashtë përdorimit shoqërisë amerikane “Sac”, e cila meqënëse nuk mund të krijonte aktivitet në Shqipëri krijuan “Albademil”. (TCH)