Raportimi financiar cilësor – katalizator i rritjes
Raportimi financiar cilësor – katalizator i rritjes
Vendimmarrës të politikave dhe ekspertë marrin pjesë në Konferencën Ministrore
VJENË, 27 prill 2016 – Ministra të financave, përfaqësues të lartë qeveritarë dhe përfaqësues nga komunitetet e biznesit, ato profesionale dhe akademike të rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore, së bashku me ekspertë të institucioneve më kryesore ndërkombëtare u mblodhën në Vjenë për Konferencën Ministrore që mbahet çdo dy vjet, të organizuar nga Qendra e Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar (CFRR)*.
Tema kryesore e Konferencës ishte efekti që ka raportimi cilësor financiar te përshpejtimi i rritjes së investimeve dhe ekonomive. Duke u uruar mirëseardhjen 250 delegatëve të Konferencës, me anë të një mesazhi me video, Hans Jörg Schelling, Ministri Austriak i Financave, ritheksoi mbështetjen që i jep Austria kësaj axhende: “Jemi të interesuar për një mjedis të favorshëm për rritjen dhe stabilitetin në vendet fqinje. Sistemet e fuqishme të raportimit financiar të shoqërive tregtare kontribojnë në rritjen e sektorit privat, zhvillimin e tregjeve financiare dhe duke kontribuar kështu, në stabilitetin financiar.”
Gjatë diskutimit në një panel të nivelit të lartë, ministrat e financave nga Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Serbia folën se si mund të veprojë një raportim financiar i cilësisë së lartë si katalizator i rritjes së besimit dhe transparencës—të cilat, nga ana e tyre, do të krijojnë një mjedis të favorshëm për një rritje ekonomike të qëndrueshme, krijim të vendeve të reja të punës dhe zhvillim në mbarë rajonin.
Duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive për rritje dhe investim në Europë, Katarína Mathernová, Zëvendësdrejtore e Përgjithshme, Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim në Komisionin Europian, tha: “Pasqyrat dhe sistemet financiare të besueshme ua bëjnë më të lehtë investitorëve marrjen e vendimeve dhe mundësojnë hartim më të mirë të politikave publike. Komisioni Europian është i interesuar të mbështesë zhvillimin e sistemeve të përditësuara të raportimit financiar në vendet partnere, për të ndihmuar në nxitjen dhe promovimin e aftësisë konkurruese dhe rritjes së tyre ekonomike.”
Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Rajonit të Europës dhe Azinë Qendrore në Grupin e Bankës Botërore, u tha të pranishme se kur infrastruktura e tregjeve financiare dhe të kapitalit është e harmonizuar me Acquis të BE-së, atëherë bëhet më i lehtë tregtimi dhe investimi i kapitalit dhe zvogëlohen barrierat mes vendeve.“Thellësia e tregjeve të kapitalit ofron një mjedis të qëndrueshëm në kohë për të menaxhuar dhe mbajtur në kontroll riskun. Me angazhim të vazhdueshëm, informacioni financiar ka aftësitë të zhvillohet edhe më tej si një instrument i vyer dhe i rëndësishëm, duke kontribuar në rritjen e të gjithë rajonit,” tha Muller.
Ky aktivitet ofroi një forum unik ku përdorues të ndryshëm të informacionit financiar mund të diskutonin për shembujt e suksesshëm, si edhe për punën në të ardhmen për ta përmirësuar cilësinë, besueshmërinë dhe disponueshmërinë e informacionit financiar. Pjesëmarrësit diskutuan edhe për rolin që luan reforma e kontabilitetit publik në nxitjen e transparencës dhe llogaridhënies së qeverive, menaxhimin e riskut fiskal dhe rritjen gjithëpërfshirëse.
“Banka Botërore është e lumtur për investimin që ka bërë, së bashku me partnerë kryesorë, për ngritjen e CFRR-së, e cila synon t’i kushtojë vëmendje të veçantë cilësisë së informacionit financiar dhe të mbështesë vendet për të rritur besimin përmes përmirësimit të transparencës në njësitë ekonomike me interes publik,” u tha të pranishme në Konferencë, në fjalën e saj mbyllëse, Samia Msadek, Drejtoreshë e Departamentit, Departamenti Global për Qeverisjen në Bankën Botërore.“Edhe pse mbetet ende për të bërë, arritjet e viteve të fundit konfirmojnë angazhimin e fuqishëm të vendimmarrësve të politikave për t’u dalë përpara problemeve në funksion të arritjes së stabilitetit financiar dhe të tregjeve funksionale të kapitalit.”
Krahas Konferencës, u zhvilluan edhe dy aktivitete shoqëruese. Në të parin, në Seminarin e Zyrtarëve të Nivelit të Lartë, morën pjesë përfaqësues nga Europa Qendrore, Juglindore dhe Lindore për të diskutuar për progresin e reformave dhe mësimet e nxjerra në fushën e raportimit financiar. Pjesëmarrësit diskutuan edhe mbi çështjet më kryesore ndërsektoriale dhe ndikimin që ka raportimi financiar te zhvillimi ekonomik. Në seminar, Irena Beqiraj, Zevendësministre e Financave të Shqipërisë, tha: “Raportimi Financiar luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, duke qenë ndërkohë një motorr dinamik i reformës kundër informalitetit të ndërmarrë së fundmi nga Qeveria Shqiptare. Raportimi financiar i një cilësie të lartë është kyç në përmirësimin e transparencës, krijimin e një mjedisi të qendrueshëm për investimet dhe forcimin e besimit të investitorëve të huaj, duke lehtësuar kështu mobilizimin e fondeve vendase dhe ndërkombëtare si dhe duke promovuar stabilitetin financiar. Ne besojmë fuqimisht se një sistem i fortë financiar, i mbështetur nga kontabilitet i cilësisë së lartë dhe standarte cilësore auditimi, si dhe nga një kuadër i qëndrueshëm rregullator dhe etik, është një parakusht për rritjen e qendrueshme ekonomike,”.
Më 28 prill, në aktivitetin tjetër shoqërues të Konferencës, Forumin e Organizatave Profesionale në Fushën e Kontabilitetit, do të marrin pjesë përfaqësues nga mbi 20 vende për të diskutuar se si mund të kontribuojë ky profesion në rritjen ekonomike.
————————————————————-
*Aktivitetet janë organizuar në kuadër të dy programeve nënrajonale:
- Rruga drejt Europës: Programi i Reformës së Kontabilitetit dhe Fuqizimit Institucional (EU-REPARIS) realizohet në partneritet me Bashkimin Europian dhe Fondin për Novacion dhe Zhvillim të Ndërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF).
- Fuqizimi i Auditimit dhe Raportimit në Vendet e Partneritetit Lindor (STAREP) zbatohet në partneritet me: Ministrinë Austriake të Financave; Agjencinë Austriake për Zhvillim; Bashkimin Europian; Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike; Ministrinë e Financave të Luksemburgut.
————————————————————-
Njoftim për shtyp
2016/ECA/126
Kontaktoni:
Në Vjenë: Reinhard Haslinger, +43 (1) 2170-711, rhaslinger@worldbank.org
Në Tiranë:Ana Gjokutaj, (+355-4) 80-655, agjokutaj@worldbank.org
Në Uashington: Elena Karaban, +1 (202) 473-9277, ekaraban@worldbank.org
Për më shumë informacion për Qendrën e Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar (CFRR), jeni të lutur të vizitoni:
Për më shumë informacion në lidhje me veprimtaritë e Bankës Botërore në ekonomitë e reja në Europë dhe Azinë Qendrore, jeni të lutur të vizitoni:
Për më shumë informacion mbi Departamentin Global të Qeverisjes, të Bankës Botërore, jeni të lutur të vizitoni:
www.worldbank.org/en/topic/governance
Na vizitoni në Facebook: https://www.facebook.com/WorldBankEuropeCentralAsia
Merrini lajmet më të fundit në Twitter: http://www.twitter.com/worldbank
Vizitoni kanalin tonë në YouTube: http://www.youtube.com/worldbank