Admirali amerikan Mark Ferguson viziton Prishtinën

Admirali i Flotës Ushtarake Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark E. Ferguson III po qëndron në Kosovë. Në agjendën e vizitës së tij, ishte edhe takimi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas një komunikate për media, admirali amerikan ka thënë se Kosova ka gjithnjë e më pak kërcënime për të cilat duhet të përgjigjet NATO. Andaj, ka vijuar ai, Kosova tani duhet të fokusohet në prioritetet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtës si dhe të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi, sipas komunikatës, ka potencuar se Kosova është vend lider në rajon në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.
“Kosova është shteti i vetëm në rajon që ka ndërmarrë hapa konkretë. E kemi miratuar legjislacionin që sanksionon pjesëmarrjen në konflikte të armatosura jashtë Kosovë”, ka thënë Thaçi.
“Kemi realizuar fushata të vetëdijesimit të opinionit publik që të mos mashtrohen nga organizata terroriste e kriminale të tilla si ISIS. Asnjë kosovar nuk i është bashkuar grupeve terroriste në gjashtë muajt e fundit”, është shprehur presidenti i Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit kanë trajtuar edhe çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovësnë Forca të Armatosura të Kosovës, si një forcë shumë-etnike.
“Forcat e Armatosura do të jenë të gatshme për programin Partneriteti për Paqe të NATO-s”, ka thënë me këtë rast Thaçi.