Mbërrin gazi amerikan në Europë, thyhet dominimi rus
Mbërrin gazi amerikan në Europë, thyhet dominimi rus
Dërgesa e parë e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara mbërriti në Portugali, një zhvillim ky që mund të pengojnë dominimin e Rusisë në tregun europian të gazit e të ulë çmimet për konsumatorët. Çisterna amerikane “Creole Spirit” mbërriti të mërkurën në portin e Sines, në Portugali, me një ngarkesë nga kompania “Cheniere Energy” me bazë në Hjuston të Teksasit. Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe zgjerimin e eksportit në tregjet jashtë vendit e nisën në fillim të këtij viti. Kjo është ngarkesa e parë që mbërrin në kontinentin e vjetër, por prodhuesit amerikanë kanë dërguar tashmë gaz në Argjentinë, Brazil dhe Indi. Nga përllogaritjet e “Deutsche Bank”, brenda 10 vjetësh Amerika mund të kthehet në furnizuesin kryesor të Europës me gaz natyror. Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë kanë mbyllur kanalet e zakonshme me të cilat Europa merrte një të tretën e gazit që i nevojitej, duke e lënë tregun e hapur për eksportuesit amerikanë. Moska e furnizon kontinentin e vjetër me afro 40% të energjisë, ndërsa gazsjellësit e saj kryesorë kalojnë në Ukrainë. Falë kthesës së madhe në teknologjinë e thyerjes hidraulike dhe “revolucionit të gazit argjilor”, Amerika arriti të kthehej vitet e fundit në prodhuesin më të madh të gazit natyror në botë, por meqenëse nuk ka gazsjellës nëpër Atlantik, me qëllim që ai të eksportohet në Europë, asaj i duhet ta konvertojë gazin e vet në gjendje të lëngët dhe ta transportoje me anije cisternë.