Sardenjë, ku shtëpitë kushtojnë 1 euro
Atje, kryetari i komunës ka nxjerrë një vendim, sipas të cilit, shtëpitë e komunës shiten për një çmim simbolik. Me vetëm një euro mund të blesh një shtëpi të vjetër në Ollolai, komunë në zonën e Sardenjës, në Itali. Kjo komunë, si shumë të tjera në Sardenja, po boshatiset dita-ditës, pasi banorët po spostohen drejt zonave bregdetare.
Llogaritet që brenda vitit 2050, gjysma e komunave të Sardenjës do të jenë tërësisht të pabanuara, ndërsa në të gjithë ishullin do të jenë pak më shumë se një milion banorë.
Për të shmangur këtë braktisje, kryetari i komunës, Efisio Arbau, ka propozuar shitjen e banesave me vetëm 1 euro.
Kësaj thirrjeje i është përgjigjur qytetari i parë. Ai është Vito Casula, 64 vjeç, nga Calasetta. I moshuari thotë se banesa e tij ndodhet në qendrën historike të qytetit, në një prej rrugëve kryesore, ku kalimtarët numërohen me gishtat e dorës.
Kryekomunari thotë se ky është hapi i parë i realizimit të projektit për të ripopulluar zonën. Ai shprehet dhe shumë shtëpi të tjera janë në pritje, pasi ish-pronarët ia kanë dhuruar komunës para se të largoheshin.
Komuna e Ollolait ka publikuar projektin “Shtëpi për një euro”, sipas të cili banesat në qendrën historike mund të blihen me këtë çmim simbolik nga qytetarët italianë apo të huaj, kompani apo biznese që kanë projekte sociale dhe që i shërbejnë nxitjes së turizmit.