DAP zgjat oraret e sporteleve të vetdeklarimit te dekriminalizimit
Departamenti i Administratës Publike, njofton sot se ka zgjatur oraret e sporteleve për grumbullimin e formularëve të vetdeklarimit në kuadër të procesit të dekriminalizimit.
Në datën 4 maj 2016 mbyllet afati i përcaktuar me ligj për dorëzimin e formularëve të vetdeklarimit në funksion të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Departamenti i Administratës Publik, në permbushje të detyrimit ligjor për pranimin e këtyre formularëve, ka marrë të gjitha masat për t’u krijuar lehtësitë e duhura subjekteve që mbartin detyrimin për vetdeklarim”, thekson DAP.
Për këtë qëllim sportelet e DAP për dorëzimin e vetdeklarimit do të jenë të hapura jashtë orarit zyrtar të punës në datën 2 maj në orarin 09:00 – 14:00, në datat 3 dhe 4 maj në orarin 08:00 – 18:00.
Pranë Deparmatentit të Administratës Publike duhet të dorëzojnë formularin vetdeklarues të gjithë punonjësit pjesë e Shërbimit Civil në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavaruara dhe njësitë e qeverisjes vendore; Punonjesit e trupit të shërbimit të jashtëm; Drejtuesit e çdo niveli (nga përgjegjësi i sektorit/zyres tek drejtori i drejtorisë, etj.) në të gjitha institucionet që nuk janë pjesë e shërbimit civil.
DAP përsërit ftesën për të gjithë nëpunësit që janë subjekt i ligjit të lartpërmendur që të nxitojnë me dorëzimin e formularëve të vetdeklarimit, pasi mos plotesimi i kësaj kërkese të ligjit do të çojë në largimin e tyre të menjëhershëm nga detyra.