Albspirit

Media/News/Publishing

Deputetja shqiptare që shkon në xhami 

Ajo konsiderohet një nga deputetet më bukuroshe në Kuvendin e Shqipërisë. Është 32 vjeçe, e diplomuar në Menaxhim Biznes, me Master për të Drejtë Ndërkombëtare Tregtare, është specializuar në Gjermani për Menaxhim Kulture. Ka qenë e orientuar drejt bindjeve të majta dhe ka dashur të ndihmojë njerëz. Rrugën e saj drejt politikës e ka filluar si vullnetare e Forumit Rinor Socialist për qytetin e Durrësit dhe tre vite më parë është betuar në parlament si deputete.

Bëhet fjalë për Esmeralda Shkjaun, vajzën e lindur në Pukë, por që është rritur në Durrës.

Përveç politikës, në një intervistë për gazetën “Dita”, ajo tregon se është besimtare myslimane, praktikante, dhe thotë se konsideron besimin si diçka që i jep stimul për t’i bërë me zemër gjërat në të cilat angazhohet.

Në këtë angazhim, të cilin e quan mision, dëshiron që njerëzit ta mbajnë mend për mirë në gjërat që bën.

Esmeralda, duke qenë se jeni rritur në qytetin e Durrësit, cila është marrëdhënia juaj me detin?

Padyshim shumë e veçantë dhe speciale. Durrësi është një qytet i adhurueshëm për mua. Pavarësisht se në periudha të ndryshme të jetës më është dashur të jem jashtë vendit me studime, mund të them se e kam përjetuar forcën e ndryshimeve dhe transformimit që Durrësi ka pësuar. Në vitet e fundit falë investimeve të Bashkisë së Durrësit, qyteti ka marrë një fytyrë tërësisht të re dhe të denjë për çdo qytet bregdetar. Nuk mund të them se është perfekt pasi zhvillimi, shpejtësia përmes së cilës qyteti ka ndryshuar dhe urbanizimi i tij domosdoshmërisht kanë sjellë edhe efekte jo pozitive. Megjithatë jo çdo gjë është e pakorrigjueshme dhe jo në çdo gjë ka nevojë të kryhen ndërhyrje. Restaurimi dhe modernizimi i shëtitores kryesore të qytetit është ndoshta zhvillimi më pozitiv që ka ndodhur vitet e fundit në Durrës. Gjithashtu pastrimi i plazhit dhe investimet në kanalizime janë një meritë e pamohueshme e Bashkisë për të cilat të gjithë kanë nevojë dhe sidomos në sezonin turistik. Marrëdhënia ime me detin, besoj se është ajo e çdo durrsaku. Më pëlqen që përgjithësisht ta shijoj vijën bregdetare mëngjeseve dhe mbrëmjeve. Por nuk mund të mohoj se pavarësisht masivitetit dhe mbipopullimit, Durrësi është edhe më i bukur gjatë verës.

Për qytete si Tirana dhe Durrësi thuhet shpesh që janë kthyer në fjetore dhe gati-gati janë qytete të pajetueshme për shkak të numrit të madh të ndërtimeve, jeni ju dakord me këtë?

Pjesërisht jam dakord me konstatimin tuaj. Them pjesërisht pasi jemi duke folur për dy qendrat urbane më të mëdha në vend. Tirana është metropoli shqiptar dhe si e tillë, është gjithmonë në ndryshim. Në të njëjtin linjë është zhvilluar edhe Durrësi, duke shfrytëzuar edhe faktin e të qenurit një qytet bregdetar. Mos harrojmë se po flasim për dy qendra urbane që prej shumë vitesh nuk i përkasin më banorëve të tyre autoktonë. Tirana dhe Durrësi janë kthyer në dy qytete që shihen si destinacione të vetme në gjithë vendin për një punë më të mirë, për një jetesë më të mirë, si një mundësi për t’u integruar më mirë në shoqëri. Dhe në këtë kontekst ndërtimet kanë qenë një domosdoshmëri për të përballur një fluks gjithnjë e në rritje të qytetarëve të ardhur nga i gjithë vendi. Padyshim ka qenë një gabim jo i vogël mungesa e dashamirësisë që në të gjithë vendin është treguar ndaj natyrës. Por me hapësirat që kemi ruajtur dhe hapësirat e reja që po krijohen, si Tirana ashtu edhe Durrësi po bëhen çdo ditë e më shumë qytete më të jetueshme për banorët e tyre.

Në periudha të ndryshme të jetës ju është dashur të jetoni jashtë vendit. Keni menduar ta ndërtoni jetën tuaj larg Shqipërisë?

Po është e vërtetë që për shkak të studimeve më është dashur që disa vite të jetoj dhe punoj jashtë vendit. Pas diplomimit për Menaxhim Biznesi, unë kam jetuar në Gjermani ku edhe jam specializuar për Menaxhim Kulture. Gjithashtu edhe në periudha të ndryshme të jetës më është dashur të jetoj jashtë për kohë jo shumë të gjata, por nuk kam menduar të jetoj jashtë Shqipërisë. Dua të jem e sinqertë që formimin, karrierën time dhe gjithçka tjetër që kam fituar në jetë e kam falë përpjekjeve personale dhe mbështetjes së familjes sime, fakt i cili nuk më ka penguar që të kem forcë për të punuar vetë dhe t’ia dal mbanë për të bërë siç duhet gjërat. Nuk më ka pëlqyer të jetoj jashtë vendit për shkak se gjithmonë investimin që kam bërë për formimin tim dhe punën e kam ideuar që ta përdor në vendin tim, pranë familjes sime dhe njerëzve të mi.

E kishit menduar që e ardhmja juaj një ditë do të ishte në politikë?

Gjatë kohës që kam qenë e fokusuar te studimet, jo. Por që nga viti 2008 kur u angazhova si Koordinatore e rrjetit të vullnetareve të Partisë Socialiste në zgjedhjet elektorale të vitit 2009 e në vazhdim, angazhimi im në politikë ka qenë gjithnjë e më shumë intensiv. Me kalimin e viteve, mora edhe ca përgjegjësi më shumë të cilat e shtonin akoma më tepër këtë angazhim. Kështu në vitin 2011 kam qenë koordinatore e rinisë në PS-në e Durrësit për fushatën e zgjedhjeve lokale dhe një vit më pas si Koordinatore e Forumit Rinor Eurosocialist në Durrës. Ndërkohë që në 2013 erdhi edhe angazhimi më madhor të cilin jam duke e vijuar edhe tani, si deputete e Kuvendit.

Tani që jeni brenda parlamentit, si ju duket?

Patjetër që jo çdo gjë nuk është siç duket në ekranin e televizorit çdo të enjte. Por patjetër që veç zhgënjimit për situata të caktuara që ndodhin gjatë seancave plenare, parlamenti ja ka dalë të prodhojë ligje shumë të mira gjatë këtyre viteve që unë kam qenë pjesë e tij. E kam theksuar edhe më parë, kënaqësia ime më e madhe dhe obligimi më i madh do të ishte miratimi i reformës në drejtësi. Është një obligim që e ka çdo ligjvënës në atë parlament ndaj shqiptarëve që vijojnë të jenë çdo ditë e më shumë të pakënaqur dhe të zhgënjyer nga ky sistem drejtësie. Shpresoj shumë që faza finale në të cilën ka ngelur reforma të përmbyllet sa më shpejt dhe ajo të kalojë në parlament.

Duket se politika është një terren i vrazhdë, sidomos në vendin tonë, ju tremb kjo gjë?

Gjatë seancave plenare jam përballur me situata të pakëndshme, jo për mua personalisht, por për shqiptarët që e ndjekin atë parlament. Janë të gjitha këto situata që kanë ulur ndjeshëm besimin e qytetarëve te politika, sidomos për qasjen që opozita ka pasur ndaj shumicës në këtë parlament. Nga përvoja ime politike dhe nga ajo që unë kam parë përpara se të isha pjesë e Parlamentit e them me bindje se nuk ka pasur asnjëherë trajtim të atillë të përfaqësuesve të opozitës në sallën e kuvendit. Por edhe kjo nuk ka shërbyer në shmangien e situatave të papëlqyeshme që janë prodhuar në Parlament. Nuk më tremb aspak terreni i vrazhdë i politikës, por nuk e fsheh se do ta doja të ishte më i moderuar.

Ju jeni deputete e re në qarkun e Durrësit, njerëzit kanë shumë halle, shpesh përplasen te politikanët duke kërkuar ndihmë… je ndjerë ndonjëherë e pafuqishme për t’i ndihmuar?

Patjetër që përballem çdo ditë me shqetësimin dhe problematikat e shumë qytetarëve jo vetëm të Durrësit por nga i gjithë vendi. Megjithatë ndihma që përpiqem të jap nuk lidhet me mandatin tim si deputete. E kam bërë edhe kur nuk e kam pasur mandatin dhe do ta vijoj edhe nëse një ditë do të vendos të distancohem nga politika. Aktualisht të qenurit deputete më ndihmon që nëpërmjet rrugëve institucionale të ndihmoj persona që realisht kanë nevojë për mbështetje. Por edhe atëherë kur nuk mundem ta bëj personalisht, përpiqem të gjej çdo mundësi që nëpërmjet organizatave joqeveritare, fondacioneve të ndryshme t’u gjendem pranë njerëzve në nevojë.

Pse zgjodhët Partinë Socialiste?

Bindjet e mia kanë qenë gjithnjë të majta. E thashë, gjatë studimeve të mia nuk e mendoja përfshirjen time në politikë, por bindjet e mia dhe orientimin politik e kisha të qartë. Pra Partia Socialiste nuk ka qenë një zgjedhje, ka qenë një bindje. Kam qenë gjithmonë besimplotë se në pozitat e kryeministrit të vendit Edi Rama do të sillte një frymë europiane, do të forconte një shtet ligjor dhe do të ndërtonte një vend më të mirë për të gjithë ne. Në gjykimin tim, jemi në rrugën e duhur. Them jemi në rrugë e duhur, pasi kam bindjen se është vetëm 3-vjeçari i një pune që do të vazhdojë gjatë…

Esmeralda, një njeri i suksesshëm ka pranë një mentor, dike që e ka këshilluar, e ka ndihmuar. Ju keni një njeri që ju ka ndihmuar në rrugëtimin tuaj?

Po kam edhe unë. Është familja ime. Ata më kanë mbështetur, sidomos nga ana morale. Mbështetje që më ka bërë shumë besimplotë për të vijuar angazhimet e mia.

Cili është raporti juaj me Vangjush Dakon, jo rrallëherë thuhet se jeni investim politik i tij?

Me kryebashkiakun e Durrësit kam marrëdhënie shumë të mira. Puna e tij është vlerësuar në mënyrë konstante nga socialistët dhe nga qytetarët e tij të cilët e kanë rikonfirmuar për tre mandate. Kam bashkëpunim të plotë me kryebashkiakun për t’i dhënë sa më shumë investime qytetit, për të ndihmuar sa më shumë qytetarë dhe për të qenë sa më pranë njerëzve që na kanë besuar dhe zgjedhur.

Ditët e fundit kemi pas dy deklarata nga dy kryeministra që kanë trazuar disi skenën politike. E para është ajo e kryeministrit Rama i cili propozoi futjen e një lënde për kulturën fetare në shkolla, dhe e dyta ishte ajo e ish-kryeministrit Berisha, ku u bëri thirrje shqiptarëve të armatosen për t’u mbrojtur nga bandat? Si i komentoni këto deklarata?

Janë deklarata ekstremisht të kundërta. Propozimi i kryeministrit Rama ka për synim t’i japë fund ekstremizmit me anë të të cilit janë përdorur besimet fetare, ndërkohë deklarata e ish-kryeministrit Berisha për armatosjen e shqiptarëve në thelb është një deklaratë ekstreme. Kam ngelur e shokuar kur e kam dëgjuar deklaratën e Berishës, pavarësisht arsyetimit të mëvonshëm që i bëri në seancë. Vendi ynë ka vuajtur gjithmonë faktin se një pjesë e madhe e popullatës ka pasur në zotërim armë, rrjedhojë e së cilave ka pasur ngjarje të pafundme kriminale. Të kërkosh të marrësh pushtet përmes armëve, kjo besoj është një betejë që do të lërë në baltë edhe vetë Partinë Demokratike. Ndërsa sa i takon futjes së mësimeve fetare në shkolla është një projekt që ashtu siç është arsyetuar nga kryeministri dhe ministrja Nikolla, konsiston jo në cenimin e laicitetit të shkollës, por në forcimin e themeleve të kulturës laike.

Si ka ndikuar feja tek ty dhe a je besimtare praktikante duke qenë se në disa raste kemi parë edhe foto tuajat me shami?

Ne jetojmë në një vend ku besimi dhe kulturat e ndryshme fetare bashkëjetojnë dhe ndërthuren shumë mirë me njëra-tjetrën. Në këtë kontekst unë se kam parë asnjëherë nevojën pse duhet të fsheh bindjet dhe aq më tepër besimin tim fetar. Po. Jam besimtare praktikante. Por e konsideroj besimin si diçka që më jep një stimul për t’i bërë me zemër gjërat në të cilat angazhohem.

Cili është qëllimi juaj në politikë? Ku doni të arrini?

Qëllimi im në politik është që t’i qëndroj koherente bindjeve të mia dhe t’i shërbej sa më shumë njerëzve që më kanë zgjedhur në qytetin tim. Përfshirja në politikë nuk ka qenë si një qëllim për mua por si një obligim që ka ardhur natyrshëm. Dua që njerëzit të më mbajnë mend për mirë për gjërat që po bëj, asgjë më shumë.

 

Please follow and like us: