Albspirit

Media/News/Publishing

Largohen hebrenjtë, sinagoga do të kthehet në xhami

Francë – Sinagoga Or Thora ka një histori të gjatë në Marsejë. Ajo u themelua nga hebrenjtë, të cilët emigruan nga Algjeria pas trazirave dhe luftës për pavarësi të vendit në vitin 1962. Ndërsa sinagoga ka lulëzuar në vitet e kaluara, numri i anëtarëve të saj është ulur në muajt e fundit. Për këtë arsye, u vendos që objekti hebre i kultit t’u shitej besimtarëve myslimanë, që do ta kthejnë në xhami

Një sinagogë në qytetin francez të Marsejës po mbyllet, pasi komuniteti i hebrenjve i cili për dekada me radhë ka jetuar aty, vendosi që të largohet nga Franca. Në vend të saj, ndërtesa shumë shpejt do të riformësohet dhe kthehet në xhami, duke iu shërbyer një numri të madh besimtarësh myslimanë në lagje.

Shoqata myslimane al-Badr ka paguar rreth $450,000 për sinagogën Or Thora, e cila ndodhet afër stacionit të trenit të qytetit, “Saint-Charles”. Lideri i komunitetit lokal, Zvi Ammar e konfirmoi lajmin, pro theksoi se kjo duhet parë në një këndvështrim pozitiv. “Ne të gjithë kemi të njëjtin Zot. Ajo që ka më shumë rëndësi nga gjithçka është që jeta të vazhdojë në harmoni”, tha ai.

Sinagoga Or Thora ka një histori të gjatë në Marsejë. Ajo u themelua nga hebrenjtë të cilët emigruan nga Algjeria pa trazirave dhe pavarësimit të vendit në vitin 1962. Ndërsa sinagoga ka lulëzuar në vitet e kaluara, numri i anëtarëve të saj është ulur në muajt e fundit.

Ndërtesa ka një kapacitet prej 250 personash, por aktualisht njerëzit të cilët shkonin dhe faleshin aty përpara se të mbyllej, mund të numëroheshin me gishta.

Ndërkohë që një xhami e vogël aty afër e drejtuar nga shoqata al-Badr, ishte plot e përplot gjatë shërbimeve të saj për besimtarët. Rreth 220 mijë myslimanë jetojnë në Marsejë, një qytet me rreth 2 milionë banorë, ndërkohë që numri i hebrenjve është më i ulët, rreth 70 mijë të tillë.

Kjo situatë në Marsejë duket se përfaqëson trendin kombëtar. Kudo në Francë numri i myslimanëve po rritet. Pavarësisht se ligji francez nuk lejon që shtetasit të pyeten për përkatësinë e tyre fetare, ka shifra të përafërta që tregojnë se numri i myslimanëve shkon nga 5% deri në 12% të së gjithë popullsisë.

Ndërkohë që pavarësisht se numri i hebrenjve ka qenë i madh dhe në rritje pas Luftës së Dytë Botërore në vend, në këto vitet e fundit vihet re një tendencë e tyre për t’u larguar nga Franca.

Dhe kjo sepse sjelljet antisemite ndaj tyre u rritën, ndërkohë që siguria e shumë hebrenjve francezë u vu në dyshim.

Agjencia izraelite që inkurajon emigrimin në Izrael, i tha “Washington Post” se vitin e kaluar, numri i personave që lanë Francën për Izraelin pati një rritje dramatike. Në vitin 2013, ai ishte 3400, ndërkohë që në 2014 shkoi në 7000. Të tilla shifra e bëjnë Francën si një nga vendet kontribuuese më të mëdha për të rritur emigracionin drejt Izraelit.

Marseja, për një kohë të gjatë, ka qenë një qendër e rëndësishme për hebrenjtë e Francës.

Drejtori i shoqatës Mbikëqyrja Hebreje Qendrore, tha se pas disa sulmeve antisemite, shumë hebrenj kanë vendosur që të largohen nga lagjet në qendër dhe veri të Marsejës. Ata kanë blerë shtëpi në lagjet në jug të qytetit. Aty qëndrojnë familjet e shtresës së mesme dhe aktualisht jetojnë rreth 80% e hebrenjve marsejezë.

Gjithsesi, Ammar theksoi se nuk duhet marrë parasysh numri i hebrenjve në qytet, krahasuar me atë mysliman. Ai tregoi se numri i objekteve të kultit për popullin e tij është rritur. Në tri dekadat e fundit, nga 32 sinagoga, numri i tyre ka shkuar në 58.

Edhe pse sinagogat janë mbyllur në të kaluarën në Marsejë. Kjo është hera e parë që një e tillë kthehet në xhami. Në të kaluarën, një sinagogë tjetër u kthye në një kishe të sektit Coptic. Në vitin 2001, besimtarëve myslimanë të qytetit iu premtua një xhami e madhe, e cila do të kushtonte rreth 25 milionë dollarë, por projekti është shtyrë për shkak të problemeve të ndryshme.

Për më tepër që kundërshtia është shtuar edhe nga opozita e ekstremit të djathtë, që është fuqizuar së tepërmi në muajt e fundit. Statistikat tregojnë se Franca po kthehet në një vend të vështirë për hebrenjtë, të cilët gjithnjë e më shumë po zgjedhin të transferohen në Britani, apo Izrael, që të kenë një jetë më të sigurt.

Please follow and like us: