Albspirit

Media/News/Publishing

Pentagoni: Turqia, vendi i vetëm me ndikim në Siri

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, lavdëroi përpjekjet e Turqisë në luftën kundër organizatës terroriste, DAESH, duke u shprehur se ata (turqit) bëjnë gjithnjë më shumë dhe se është i kënaqur nga përpjekjet e tyre.

 

Pentagoni: Turqia, vendi i vetëm me ndikim në Siri nga familja NATO-Perëndim

I shoqëruar nga Gjenerali Joseph Dunford, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sekretari Carter mori pjesë në seancën e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura lidhur me operacionet kundër DAESH-it dhe strategjinë e SHBA-ve në Lindjen e Mesme. Kreu i Pentagonit iu përgjigj pyetjeve të senatorëve amerikanë gjatë seancës, ku foli me lëvdata rreth përpjekjeve të Turqisë në luftën kundër organizatës terroriste, DAESH. “Turqia është vendi i vetëm, më i rëndësishmi, i familjes NATO-Perëndim, që mund të ketë ndikim mbi situatën në Siri”, tha ai. Ndërsa Gjenerali Dunford theksoi se Turqia luan një rol protagonist, jashtëzakonisht të rëndësishëm, në parandalimin e pjesëmarrjes së luftëtarëve të huaj në radhë e DAESH-it. “Turqit ofrojnë një ndihmë madhore në këtë pikë. Përpjekjet e tyre përgjatë vijës kufitare kanë reduktuar me të vërtetë shumë vajtje-ardhjet e luftëtarëve të huaj ndërmjet Turqisë dhe Sirisë”, nënvizoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA-ve. Sakaq, Ashton Carter bëri sqarime edhe në lidhje me vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të dërguar 250 trupa shtesë në Siri. “Trupat shtesë, përfshi edhe disa njësi të forcave speciale, do të kontribuojnë në përzgjedhjen dhe trajnimin e forcave lokale, që do të luftojnë kundër DAESH-it në terren”, pohoi ai. Carter bëri me dije se kontingjenti i ri, që do të shkojë në Siri, do të çojë në 300 numrin e përgjithshëm të ushtarëve amerikanë në këtë vend. “Qëllimi përfundimtar dhe arsyeja përse Presidenti (Barack Obama) na autorizoi që të rrisim praninë tonë ushtarake në Siri është padyshim rimarrja e kontrollit të qytetit Raka, në veri të Eufratit, nga terroristët e DAESH-it”, u shpreh ai. Shefi i Pentagonit njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të shkojë në Shtutgart të Gjermanisë, ku do të takohet me disa homologë nga vendet anëtare të koalicionit ndërkombëtar për të diskutuar rreth intensifikimit të përpjekjeve në luftën kundër organizatës terroriste, DAESH.

Please follow and like us: