Albspirit

Media/News/Publishing

Pikturat e Rilindjes italiane në Muzeun Kombëtar të Kinës

Në fund të marsit Muzeu Kombëtar i Kinës “strehoi” në ambjentet e tij 73 vepra të njohura në pikturë të Rilindjes italiane, si pjesë e ekspozitës me tirull “Gloria di luce e colore, 4 secoli di Pittura e Venezia” (Lavdi e dritës dhe ngjyrave, 4 shekuj pikturë në Venecia)

Ekspozita përmban vepra të piktorëve të famshëm italianë si Titian dhe Giovanni Bellini dhe do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në fund të janarit të vitit 2017.

Gjatë kësaj ekspozite disamujore do të organizohen shkëmbime kulturore mes artistëve kinezë dhe atyre italianë, ka thënë për mediat zëvendësdrejtori i Muzeut, Chen Lüsheng.

Kjo është ekspozita e tretë e hapur në Kinë në kuadër të marrëveshjes pesëvjeçare të bashkëpunimit midis dy vendeve. Para kësaj ekspozite, artdashësit pekinas por dhe të ardhur nga qytete të tjera të vendit patën rastin të vizitonin ekspozitën me temë “Kryevepra të pikturës së Firences dhe portagonistët e saj në periudhën 2012-2013, ndërsa në 2014-2015 u hap ekspozita “Stili barok i pikturës romane të shekullit të 17-të”.

Kuratorët e ekspozitës i kanë ndarë këto kryevepra të artistëve italianë të Rilindjes në 4 seksione sipas kronologjisë, duke mbuluar shkollën veneciane të pikturës që i përket shekujve 15-17-të dhe ato të mëvonshme.

Ndër autorët më të njohur të pikturës italiane të shekullit të 15-të janë Andrea Mantegna si dhe kryevepra e tij San Giorgio.

Në seksionin e shekullit të 16-të paraqitet periudha e begatë e artit që përcolli shkolla veneciane dhe ndikimi i saj i madh në artin europian. Kryeveprat e 3 mjeshtrave të shkollës veneciane, Titian, Tintoretto dhe Paolo Veronese janë përfshirë në këtë seksion.

Gjatë shekullit të 17-të qyteti i Venecias pësoi një rënie të zhvillimit politik dhe ekonomik dhe ishte kjo koha kur shkolla veneciuane e artit u nda në dy pjesë, e ndikuar nga Peter Rubens dhe Anthony van Dyck, të cilët shquhen për kontrastin e fuqishëm të dritëhijes, i reflektuar më pas dhe në artistët venecianë.

Në konferencën për shtyp me rastin e hapjes së ekspozitës, drejtori i përgjithshëm i muzeve të Italisë, Ugo Soragni, tha se në këtë ekspozitë janë përfshirë mjeshtrat e pikturës italiane dhe kryeveprat e tyre , përfshirë Bellini, Titian si dhe artistë me një stil vendës të spikatur si Canaletto.

Qyteti në ujë Venecia ka qenë gjatë Rilindjes një burim begatie jo vetëm ekonomike por dhe kulturore. Qyteti gjatë asaj periudhe konsiderohej si një parajsë për piktorët dhe muzikantët. Përgjatë Rrugës së Mëndafshit, Venecia dhe arti i saj u bë e njohur dhe në pjesën lindore të botës.

Muzeu Kombëtar i Kinës me 7.64 milion vizitorë në vit është i dyti më i vizituari në botë, pas Luvrit, në Paris. Bazuar në tërheqjen e vizitorëve nga ekspozitat e mëparëshme në këtë muze të artit Italian, kuratori i Muzeut Chen parashikon se kjo ekspozitë e cila do të jetë e hapuir për publikun deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm do të tërhesë më shumë se 400 mijë vizitorë.

Në vitin 2020 shënohet 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe italisë dhe pritet që kjo periudhë të jetë mjaft e pasur në shkëmbimet kulturore midis dy vendeve, me qytetërime të lashta por dhe kulturë të pasur bashkëkohore.(Eda Merepeza)

Please follow and like us: