“POETRE”, kolana poetike në shqip dhe italisht prezantohet në Shqipëri
Kolana poetike në shqip dhe italisht POETRE është bërë pjesë e një turi prezantues në Shqipëri.
Tre potetët italianë Andrea Garbin, Valeria Raimondi, Beppe Costa, Jack Hirschman (SHBA), Rosana Crispim (Brazil) dhe Viorel Boldis (Rumani) janë autorë të një projekti të përbashkët që promovon sinergjinë e multikulturalizmit, veçanërisht në artin e fjalës.
Bashkë me ta edhe Stefania Battistella e Valbona Jakova që ka realizuar përkthimin në shqip, sjellin për lexuesit shqiptarë dhe ndërkombëtarë kolanën POETRE I DHE POETRE II.
Turi poetik vijoi në qytetin e Tropojës dhe në Universitetin e Durrësit. Më herët POETRE u ndal në Tiranë (23 prill), Teatrin e Sarandës (25 prill) dhe në Shkodër-Lezhë (26 prill). Në tubimin poetik në Bibliotekën Publike Lezhë, poeti i ri Hekuran Koka referoi mbi fenomenin e multikulturalizmit, i cili në thelb është kultura e sotme e shoqërive moderne. Duke sjellë në kohë gjykimin e Marsel Proust se “të udhëtosh nuk do të thotë të shohësh toka të reja, por të shohësh me sy të rinj”, Koka tha se ky projekt poetik autorësh nga vende dhe kultura të ndryshme, ofron një optikë të re për lexuesin, për ta njohur botën dhe marrëdhënien me ekzistencën, nga këndvështrimi unik i secilit, brenda një përjetimi ndjesor që i rrek të gjithë. Gjatë aktiviteteve të organizuara në kuadër të këtij turi poetik, poezia shijohet në dimensionin e saj, i cili nuk njeh kufij.