Zbulohet pasuria e zyrtarëve shqiptarë të dyshuar për korrupsion, 40 milionë euro
Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj raportoi në Komisionin e Ligjeve se gjatë vitit 2015 janë kallëzuar 84 zyrtarë për fshehje pasurie, ndërsa shprehu pakënaqësi se “nuk ka ende përgjigje për një pjesë të kallëzimeve nga Prokuroria”.
Ganaj tha se 47 kallëzime përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë, mes të cilëve renditen deputetë dhe ish-deputetë, gjyqtarë dhe prokurorë si dhe drejtorë të niveleve të larta.
“Ata kanë së bashku rreth 40 milionë euro pasuri të pambuluara me burime të ligjshme financiare dhe të pajustifikuara me dokumentacion ligjor,” tha kreu i ILDKPKI para Komisionit të Ligjeve.
Ai hodhi dyshime se një pjesë e këtyre parave e ka burimin tek veprat penale të korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Mes të kallëzuarve të ILDKPKI janë edhe 10 gjyqtarë dhe prokurorë. Për një pjesë prej tyre, Prokuroria i ka mbyllur hetimet pa gjetur prova që i implikojnë këta zyrtarë në deklarime të rreme apo fshehje pasurie.
Pavarësisht rritjes së numrit të kallëzimeve për veprat penale që lidhen me pasurinë, bashkëpunimi i dobët mes Inspektoriatit të Lartë dhe Prokurorisë duket se ka vazhduar edhe gjatë vitit 2015.
I pyetur nga deputetët e Komisionit të Ligjeve për punën e Prokurorisë, Ganaj u përgjigj se “për një pjesë të kallëzimeve nuk kemi ende një përgjigje nga Prokuroria”. Në raportin vjetor theksohet se nuk dihet ecuria e 21 kallëzimeve penale të dorëzuara në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend, ILDKPKI raporton se përveç kallëzimeve penale, ka rritur edhe numrin e masave administrative me gjobë ndaj zyrtarëve të të gjitha niveleve. Gjatë vitit 2015, Inspektoriati ka ndëshkuar me gjobë 550 subjekte të ligjit.
Në një investigim të mëparshëm, BIRN raportoi se ILDKPKI kishte kallëzuar 158 zyrtarë gjatë dy viteve të fundit për vepra penale që lidhen me deklarime të rreme, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe pastrim parash. Gati gjysma ose 70 kallëzime janë hedhur poshtë nga Prokuroria, për 55 raste të tjera ky instituticion nuk disponon informacion, ndërsa vetëm 33 dosje janë çuar për gjykim gjatë dy viteve të fundit.