Hetohet përfshirja e politikanëve në “Letrat e Panamasë”
Autoritetet kompetente në Kosovë thonë të kenë filluar analizën apo verifikimin e rasteve të dyshuara të përfshirjes eventuale të njerëzve nga Kosova në të ashtuquajturat “Letra të Panamasë”, të cilat zbuluan se dhjetëra figura globale kanë fshehur shuma të mëdha parash jashtë vendeve të tyre.
Drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare në Kosovë, Dardan Nuhiu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se po analizojnë të gjitha rastet e përfshirjes së mundshme të njerëzve nga Kosova në kompani jashtë vendit (offshore), apo ndryshe të quajtura shtetet e parajsës fiskale.
Kështu, Nuhiu nuk e ka mohuar dhe as pohuar përfshirjen eventuale të njerëzve nga Kosova në skandalin me përmasa botërore, të njohur si “Letrat e Panamasë” dhe se janë vetëm në fazën e analizimit.
“Ne i monitorojmë dhe i analizojmë të gjitha rastet, jo vetëm ato të Panamasë, pasi që sipas studimeve të fundit, llogaritet se 15 për qind e shteteve në mbarë botën llogariten si parajsa fiskale dhe nuk është vetëm Panamaja që mund të ketë implikime, por kanë edhe shtetet tjera që ne i monitorojmë 24 orë”, ka thënë Nuhiu.
Nëse analizat që i bëjnë institucionet e inteligjencës financiare tregojnë indikacione se njerëz nga Kosova mund të jenë përfshirë në skandale të tilla, Nuhiu ka thënë se atëherë rastet e dyshuara do të dërgohen në Policinë e Kosovës apo në Prokurori, për hetime të mëtutjeshme.
“Ne analizojmë çdo rast, pa marrë parasysh a është fytyrë publike, individ apo biznes. Të gjithë ata që kanë bashkëpunim, apo kontakt me shtetet e parajsës fiskale, për ne është i dyshimtë dhe e hapim si rast më pas e dërgojmë tek autoritetet kompetente”, ka shtuar Nuhiu.
Ndërkohë, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Panamasë, ka pasur transaksione bankare.
Besnik Kada nga Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë në BQK, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë nëpërmjet postës elektronike, ka treguar se transaksionet bankare me shtetin e Panamasë janë në vlera të vogla.
Sipas tij, pjesa më e madhe janë pagesa për import të mallit, për pagat e shërbyesve civilë dhe shërbime tjera qeveritare.
“Lidhur me temën tuaj, sa i përket vlerës së transaksioneve bankare me shtetin e Panamasë, kemi të bëjmë me vlera të vogla. Konkretisht në vitin 2014 vlera e të gjitha transaksioneve hyrëse dhe dalëse është 254,325 euro, ndërsa në vitin 2015 është 240,623 euro”, ka theksuar Kada.
Ndërkaq, analistët në Prishtinë kishin përmendur një përfshirje të mundshme të njerëzve nga Kosova në skandalin botërore të ashtuquajtur “Letrat e Panamasë”. Ata kishin thënë se nuk do të habiteshin aspak nëse në këtë skandal global, do të përfshiheshin zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, përfshirja e mundshme e njerëzve nga Kosova në këtë skandal global financiar, do të ishte një fatkeqësi e madhe për vendin.
Në këto raste, kërkohen transaksione të mëdha buxhetore, që për fuqinë ekonomike të Kosovës, do të ishte një vlerë e madhe, ka thënë Demi.
“Duke parë që edhe vende shumë më të varfra sesa Kosova, dhe politikanë që nuk janë menduar fare që kanë fshehur pasurinë e tyre, dolën se ata kanë bashkëpunuar me firmën në Panama dhe kanë pasur fonde të fshehura në këto banka, atëherë është e mundur që edhe individë nga Kosova të jenë përfshirë në këtë skandal”, ka thënë Demi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, në vazhdimësi, nga ekspertët e fushës së ekonomisë në Kosovë, ishte konsideruar se është shndërruar në terren të përshtatshëm për shpëlarje parash.
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2015, mbi 1.5 milionë euro është vlera e konfiskimit të parave, për veprat penale që lidhen me krim të organizuar, pastrim të parave dhe vepra të tjera penale.