Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare përtej posterave dhe shtatoreve

Kadare përtej posterave dhe shtatoreve
Suzana Tahiri
Moderatorja dhe gazetarja e njohur Rudina Xhunga ka publikuar sot në “Dritare…”, por edhe në gazetën “Mapo”një opinionin e saj të titulluar “Mësimi i madh i Ismail Kadaresë”, duke marrë shkas nga një vizitë që ka bërë në fundjavë shkrimtari ynë në Pogradec te dy krijues të shquar, Poradeci dhe Kuteli.
Natyrisht se ky veprim bart një gjest njerëzor, fisnik dhe të admirueshëm që ka gjithsesi edhe një mesazh të nënkuptuar: lule për dy personalitete të mëdha, që mund të jenë edhe pika referimi për shqiptarët se sa kopukët e politikës që ikin dhe vijnë apo antivlera të tjera që lëshohen si murtajë në kohët e sotme.
Por më shumë se gjesti, ne na vijnë ndër mend tekstet brilante të Kadaresë, të cilat janë një model më vete se si mund të vlerësohet një poet dhe prozator jo si gjithë të tjerët.
Mendimet e tjera të mëposhtme të Xhungës, që kanë një dashuri për Kadarenë, pra posterat me foton e tij, qindra çmimet apo statujat në gjallje kushtuar tij, nuk i sjellin asgjë autorit, përkundër i japin një vel populizmi që s’është as në natyrën e vet, por as në korpusin e veprave letrare që tashmë konsiderohet pasuri botërore.
Përkundër posterave, shtatoreve, dekorimeve shtetare ‘nderi i qytetit’, ‘nder i kombit’, ‘lartësi e qarkut’, vëmendja intelektuale lypset të investohet më shumë kur ai, si Lasgushi dhe Kuteli, përbalten nga një turmë mediokrish këtej e andej kufirit, kur qeverisje të majta apo të djathta imponojnë dhunshëm autorë periferikë, apo kur të ashquajturat shkolla kulturore rreken të kreshpërohen si maja, por që në të vërtetë janë ngritur mbi mullarë plehu.
Nuk është turp të pranohet se letërsia shqipe, ashtu si edhe ajo franceze, gjermane apo amerikane, kineze, indiane, etj., mbi 99 për qind të saj e ka të konsumit të përditshëm, të bërë lehtësisht, pra mediocre ashtu siç mund të pohohet se mbi 100 e ca nobelistë janë ku e ku vite drite larg me Homer, Dante, Shekspir, Servantes dhe Kadare.

Please follow and like us: