Albspirit

Media/News/Publishing

Katër brilante të Ismail Kadaresë!

Katër brilante të Ismail Kadaresë!

 

Duke marrë shkas nga çmimi më i fundit për shkrimtarin shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, pra çmimin “Jerusalem 2015”, po sjellim për herë të parë të përmbledhura katër evenimentet e mëdha që janë njëherësh edhe ngjarje të spikatura të botës shqiptare

 

1996, Ati i Shenjtë dhe Kadare, në të njëjtën akademi në Francë!

Akademia e Shkencave Moralo-Politike, pjesë përbërëse e Institutit të Francës, atë që shpesh emërtohet shkurt Akademia Franceze, çdo vit shpall ngjarjet kryesore që u ndodhin anëtarëve të saj. Këtë herë ngjarja më sensacionale ishte zgjedhja e njerit prej anëtarëve-shok të huaj të saj (membres associes Ãtrangers), Kardinalit Joseph Ratzinger.

Kjo akademi prestigjioze ka gjithsej 12 anëtarë-shok të huaj. Njëri ndër ta është Kardinali Joseph Ratzinger, zgjedhur më 1992. Një tjetër anëtar është shkrimtari ynë Ismail Kadare, i zgjedhur në vitin 1996. Instituti i Francës është themeluar më 22 gusht 1795 nga Napoleon Bonaparti. Pas disa modifikimeve të bëra më pas nga mbretëria dhe republika, në gjendjen e sotme ai i ka të përcaktuara në mënyre rigoroze rregullat e tij, numrin e anëtarëve, numrin e anëtarëve-shok të huaj dhe numrin e anëtarëve korrespondentë, për secilën nga të pesë akademitë që e përbëjnë këtë institucion. Çdo anëtar i ri mund të hyjë vetëm në qoftë se një anëtar i vjetër e lë vendin bosh me vdekjen e tij.

Akademia e Shkencave Moralo-Politike ka 50 anëtarë, 12 anëtarë-shok të huaj. Anëtari-shok i parë i huaj ka qenë presidenti i famshëm amerikan Thomas Jefferson. Qysh nga zgjedhja e tij më 1801 e gjer në vitin 2002, lista e anëtarëve të huaj përfshiu 122 emra, shumica personalitete të shquar botërisht në fushën e filozofisë, të letrave e sidomos të emancipimit moralo-politik të njerëzimit. Woodrow Wilson, Thomas Masaryk, Rudyard Kipling, Wiston Churchill, Franklin Roosvelt, Konrad Adenawer, Sir Karl Popper, Andrei Saharov, Jorge Louis Borges, janë disa nga emrat e mëdhenj të kësaj akademie.

Në vitet e fundit anëtarët-shok të huaj kanë qenë mbreti Huan Karlos i Spanjës, që u zgjodh në vendin e mbetur bosh prej Jorge Louis Borgesit më 1988, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Perez de Kuelar më 1989, Vaslav Havel më 1992, kardinali Joseph Ratzinger, ish Papa i Romës, që zuri vendin e Andrei Saharovit, në të njëjtin vit princi Charl i Anglisë më 1992 dhe më 1996 shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, që zuri vendin e Sir Karl Popperit. Siç shihet, vendet e përfaqësuara në më të shquarën akademi të botës janë tepër të pakta.

Aktualisht nga gjithë ish-perandoria komuniste vetëm dy vende, Çekia dhe Shqipëria kanë përfaqësues në këtë akademi. Asnjë nga vendet e tjera të Ballkanit nuk ka përfaqësues dhe vetë Papa Bonifaci XVI përfaqëson më shumë Vatikanin dhe Gjermaninë se sa Italinë. Vendi ynë, Shqipëria, në kohën që çdo vend kërkon të shpalosë vlerat e veta kulturore evropiane, ka të drejtë të ndihet krenare për këtë zgjedhje të çmuar.

(Paris 1996)

***

Kadare: Kështjella e Makbethit, streha që ndezi letërsinë time

Falemnderit, po, falemnderit ngrohtësisht për këtë nderim të lartë që marr sot dhe për fjalët miqësore që po dëgjoj. Nëse do duhej ta filloja këtë fjalim me një himn letërsisë, duke treguar besimin tim tek ajo, më saktë, duke shprehur idenë se është letërsia ajo që më ka bërë njeri të lirë, rreziku do të ishte i madh, mos një deklaratë e tillë do të dukej pak e thjeshtë dhe banale nga goja e një shkrimtari që sapo ka bërë dy mijë kilometra për të ardhur tek ju.

Në të vërtetë, distanca ndërmjet Tiranës, kryeqytetit të vendit tim, dhe Edinburgut, kryeqytetit të Skocisë, është pikërisht kaq. Ajo nuk pengon jo vetëm për të insistuar në këtë deklaratë, por do të shtoja, edhe pse kjo mund të dukej e çuditshme, që në raportet ndërmjet letërsisë, lirisë dhe atij që po ju flet, Skocia ka luajtur një rol nxitës. Lejomëni të përsëris këtu në formë të përmbledhur atë çfarë kam shkruar 40 vjet më parë në një nga rrëfimet e mia të para, “Kronikë në gur”, që Z. Carey me të drejtë e citoi para pak minutash, me mprehtësi.

Jam lindur dhe rritur në një qytet të thjeshtë mesjetar të Shqipërisë, në qendër të të cilit ngrihej një kështjellë me një dukje madhështore aq sa dhe kërcënuese. Në të gjitha regjimet, përfshi dhe atë komunist, ajo fshihte një burg. Dhe siç mund të shihej nga të gjitha lagjet e qytetit, kjo kështjellë që ngrihej mbi kullën-burg u rrezatonte forcë dhe kërcënim katër pikave të horizontit. Që fëmijë qeshë rritur në hijen e saj. Por, në moshën 11-12-vjeçare, në kohën e leximeve të para serioze, papritur një tjetër kështjellë pushtoi trurin dhe imagjinatën time. Një kështjellë skoceze e ngritur pikërisht këtu, jo larg Edinburgut: kështjella e Makbethit.

Magjepsja ime pas saj ishte e tillë që kështjella e largët skoceze e zbehu atë të vërtetën e qytetit tim. U zmbrapsën burgu i saj, rojet dhe kërcënimi i saj. Ngjau kështu diçka e pazakonte: një adoleshent shqiptar, në fund të këtij vendi të shtypur nga zgjedha komuniste, u gjend i joshur falë Shekspirit, nga mjegullirat e një Skocie përtej imagjinatës. Duke iu shfaqur një bote tjetër, ajo e letërsisë, ky adoleshent i kishte besuar tashmë jo vetëm imagjinatën e tij, por edhe vetëdijen e tij morale kësaj bote tjetër. Ligjet e saj u bënë për të ligje të para, mbi gjithë të tjerët. Udhëheqësit e saj Homeri, Shekspiri, Dante, Kafka – u bënë padronët e saj të vërtetë.

Iu dhashë kësaj magjepsjeje siç i jepesh një feje. A nuk na kanë pyetur kaq herë, ne shkrimtarëve të ish-perandorisë komuniste: “Si e shpjegoni që ju paskeshi mundur të bëni letërsi të mirëfilltë në këtë vend dhe në atë periudhë ku kjo dukej e paarritshme”? Për këtë pyetje, përgjigjja ime në përgjithësi është kjo: “Ne kemi besuar tek letërsia. Dhe ajo, në këmbim të besnikërisë dhe të besës sonë, na dhuroi bekimin dhe mbrojtjen e saj”. Të besosh tek letërsia, do të thotë të besosh në një realitet të epërm; të besosh tek letërsia do të thotë që regjimi i tmerrshëm të cilit iu nënshtrua vendi im ishte më i dobët se madhështia e pikëlluar e letërsisë.

Të besosh tek ky art, kjo do të thotë që të jesh i bindur se ai regjim të cilit ju nënshtruat, se policia që ju përgjonte, se udhëheqësit e lartë, funksionarët, gjithë ngrehina e tiranisë nuk është veçse një makth kalimtar, në krahasim me Urdhrin suprem për të cilin ju ishit bërë dishepull. Për t’i rënë shkurt, lejomëni të rikujtoj këtu një episod nga “Komedia Hyjnore”. Kur, duke udhëtuar në Ferr, Dante Aligieri i trembet idesë se një stuhi e tmerrshme po afrohet, mësuesi i tij Virgjili i thotë: “Mos kini frikë, është stuhi e vdekur”! Këto fjalë e sqarojnë mirë atë që thashë pak më parë. Nëse ti ia del mbanë ta bësh vetveten që të shohë motin e ashpër të diktaturës si një “stuhi të vdekur”, atëhere do të keni në dorë çelësin e enigmës. Dhe vetëm letërsia mund t’ia japë shkrimtarit atë çelës.

Nuk është e lehtë, për atë që shkruan, të ndihet i gjallë në mes të një regjimi të vdekur. Nën regjimet totalitare, letërsia dhe artet e tjera janë përballur me një provë mizore që s’është parë kurrë në historinë e botës. Në të gjitha kohërat njihen ndëshkimet e shkrimtarëve, censurat, dënimet, internimet, dëbimet. Por ajo për të cilën po flas nuk e përmban ndalimin e qarkullimit të veprave më të famshme, të atyre që i quajmë “katedrale” të krijimit artistik. Jo, ai u përpoq të mohojë përgjithmonë madje edhe mundësinë për të ngritur monumente të tilla.

E thënë ndryshe, ai u mundua të shkatërrojë edhe lëndën me të cilën ndërtohen këto katedrale. Ai është shtrënguar të krijojë një racë të re shkrimtarësh që me duart dhe zellin e tyre, u punësuan për të shkatërruar letërsinë. Në një farë mënyre, stalinizmi ia doli mbanë. Radhët e shkrimtarëve që do të dezertonin Tempullin do të argumentonin ditë pas dite, megjithëse të tjerët, besnikët do të shihnin ditë pas dite se si radhët e tyre pakësoheshin. Ne s’ishim veçse një pakicë në një shkretëtirë pa kufij dhe pa shpresë e cila quhej Realizëm Socialist.

Ne ngushëllonim njeri-tjetrin, ndërsa përpiqeshim të bënim letërsi sikur ai regjim të mos ekzistonte. Ia kemi dalë aty-këtu. Disa herë, jo. Ideja se ne do mundnim të përgatisnim ndonjë copëz ushqimi shpirtëror për popullin tonë të burgosur, na ka mbushur me gëzim. Lejomëni të insistoj: po, ky ushqim shpirtëror modest ka qenë një lloj racioni mbijetese për popullin tonë në atë vend-burg.

Dhe papritur, një ditë, duke kapërcyer natën e diktaturës, kjo bukë burgu për çudi arriti deri tek duart tuaja. Në qytetet tuaja të lira: në Paris, Londër, Nju Jork, Madrid, Vjenë, Romë, ju keni marrë në duart tuaja këtë bukë burgu dhe e keni parë me kuriozitet. Më pas e keni shijuar, e keni vlerësuar, e keni respektuar se kjo bukë ishte po aq e ngrënshme për ju, njerëzit e lirë të një bote të lirë.

Një shkrimtar shqiptar nuk mund të priste vlerësim më lavdërues. Për të, ishte një mrekulli si ato që rrëfehen në shkrimet e shenjta. Shqipëria e vogël e harruar, e ndarë nga bota, thuajse e fshehur, kishte dhënë pra një shenjë se ishte ende gjallë? Ajo kishte bërë të ditur se, megjithëse diktatura e pat mbajtur këmbë e duar lidhur, ajo ende nuk e kishte skllavëruar shpirtin e saj.

Është pikërisht kjo shenjë adresuar nëpërmjet letërsisë dhe e kapur në mënyrë kaq fisnike prej jush, miqtë e mi të shtrenjtë, që bëri të mundur të papërfytyrueshmen. Është kjo shenjë që bëri të mundur këtë çmim që ju më jepni sot. Është ajo që bëri të mundur ardhjen time deri tek ju, deri në tokat e Skocisë. Dhe është përsëri ajo, më në fund, që bëri të mundur vizitën që do të bëj, nesër, për herë të parë, e strukur në imagjinatën time, një strehë e cila më shumë se çdo ngrehinë tjetër, ndezi pasionin tim për letërsine: kështjella e Makbethit.

(Fjala e Ismail Kadaresë me rastin e marrjes së çmimit “Man Booker International”).

****

Kadare: Letërsia lufton që ta bëjë jetën më të bukur!

Është një kënaqësi e veçantë të jem i pranishëm në këtë sallë dhe të marr fjalën këtu. Kënaqësia është e dyfishtë ngaqë e gjithë kjo ndodh për shkak të letërsisë, universit që unë i përkas. Ka patur dhe vazhdon të ketë dy mendime krejtësisht të kundërta për letërsinë. Njëri, i vjetër, pakëz naiv, që besonte se letërsia, ashtu si gjithë artet, mund të bënte mrekullira për botën; mendimi tjetër, modern, rrjedhimisht aspak naiv, se letërsia dhe arti nuk i shërbejnë askujt, veç vetvetes.

Në të dy këto mendime, e vërteta dhe jo e vërteta janë të përziera. Megjithatë, si njeri i artit unë kam prirjen të besoj te mrekullia. Ka një model për këtë paradigmë: miti i Orfeut. Është quajtur me të drejtë miti më i misterioz i njerëzimit. Thelbi i tij ka të bëjë me mundësitë e artit. Orfeu arriti që me artin e tij të bëjë gjëra të pabesueshme dhe, ndonëse nuk arriti dot të kapërcente murin e vdekjes, më pranë se kushdo iu afrua së pamundurës. E përmenda mitin e famshëm për të ardhur te një mrekulli shumë herë më e rëndomtë në dukje, por e së njëjtës natyrë.

Njëzet vite më parë, në vendin tim komunist në qoftë se dikush do t’i thoshte dikujt se ka gjasë që një ditë, një shkrimtar shqiptar do të marrë një çmim në Spanjë, për më tepër të dorëzuar nga princi trashëgimtar, ky dikush do të shpallej aty për aty i çmendur, do të prangosej e do të çohej në çmendinë. Dhe kjo do të ishte e keqja më e vogël. Sipas një versioni të dytë, ky dikush do të përfundonte në hetuesi dhe pastaj në torturë si një komplotist i rrezikshëm.

Ndoshta mund t’ju duket pak i dramatizuar ky parashikim, por unë do t’jua shpjegoj. Shqipëria, vendi im, dhe Spanja juaj, përveç një miqësie të shkurtër në shekullin XV, nuk kanë patur kurrë asnjë lidhje. Ndërprerja e plotë u bë në shekullin e kaluar, kur vendi im komunist, i shquar për prerje marrëdhëniesh, (ky ka qenë, si të thuash, specialiteti i tij), preu çdo lidhje me Spanjën. Por si çdo gjë në botë, ashtu edhe mrekullia e letërsisë e ka një traditë.

Në kohën e ngrirë për të cilën fola më lart, atëherë kur midis vendit tim dhe Spanjës nuk shkonte as vinte askush, një kalorës i vetmuar, duke shpërfillur ligjet e botës e kapërcente sa herë të donte kufirin e pakapërcyeshëm. Besoj se e merrni me mend se për kë e kam fjalën: Don Kishotin.

Ishte i vetmi që regjimi komunist, – ai që gjënë më të lehtë në botë kishte ndalimin, – nuk e ndaloi dot. Don Kishoti, qoftë si libër, qoftë si personazh i jetës, ishte aq i njohur në Shqipëri, sikur ta kishte pjellë ajo vetë. Dikush mund të gjente një shpjegim për këtë paradoks: Don Kishoti ishte i marrë, dhe jo më pak i marrë ishte shteti shqiptar, ndaj ishte e logjikshme që dy të çmendurit të merreshin vesh.

Duke kërkuar ndjesë për krahasimin e lajthitjes së fisme të Kishotit me lajthitjen e keqe të shtetit tim, më lejoni t’ju them se nuk ka qenë kështu dhe se krahasimi lidhet me tjetër gjë. E bëra këtë hyrje të gjatë për të ardhur te tema kryesore e fjalimit tim të shkurtër: pavarësia e letërsisë.

Don Kishoti e kapërcente kufirin shqiptar sepse ishte, veç të tjerash, i pavarur. Kur një shkrimtar shqiptar, për veprën e shkruar kryesisht në një truall dhe kohë komuniste, vjen të marrë çmim nga një mbretëri Perëndimore, kjo ndodh se letërsia për nga natyra është e pavarur.

Tema është e vjetër. Ka qenë dhe mbetet, ndoshta, shqetësimi numër një i këtij arti. Në ndryshim nga pavarësia e shteteve, pavarësia e letërsisë është globale. Ndaj dhe mbrojtja e saj e tillë është, globale. Kjo nuk e bën më të lehtë. Përkundrazi. Pavarësia e letërsisë dhe arteve është një proces në zhvillim.

Mendja jonë është vështirë të kapi përmasat e vërteta të saj. Të mësuar me pavarësinë që lidhet kryesisht me shtetet, kombet, e gjer me individin njerëzor, nuk e kemi lehtë të shkojmë më larg. Të shkosh më larg do të thotë të kuptosh se mosvarja e artit nuk është një çështje luksi, një dëshirë për ta përkryer artin. Ajo është një kushtëzim objektiv pra, e detyrueshme. Përndryshe ky univers paralel nuk do të qëndronte në këmbë. Ai prej kohësh do të binte. Përftimi, siç thashë, është i vjetër. Prej kohësh është e njohur shprehja “republika e letrave”.

Tundimi për ta parë letërsinë si botë shpirtërore, natyrisht, por me atribute lëndore gjithashtu: hapësirë, kohë, lëvizje, është i njohur, por kjo nuk mjafton. Ne e pranojmë si botë paralele referenciale, por, kur vjen puna te vizioni i plotë i saj, mendja jonë e ngushtë, konformiste e ka të vështirë ta pranojë paralelizmin, pra pavarësinë e vërtetë. Themi e pavarur dhe aty për aty instinkti ynë i vjetër na çon tek e kundërta. Ne nuk i shmangemi dot mendimit se arti, ndonëse mund të mos varet nga shtetet, doktrinat, moda, varet megjithatë nga diçka.

Dhe mendja na shkon te bota jonë reale, thënë ndryshe, vetë jeta jonë. Mendimi se letërsia varet nga jeta është gati i zyrtarizuar planetarisht. Unë do të bëja pyetjen që në vetvete ngjan heretike: a është e vërtetë kjo? Përgjigja tani për tani s’mund të jetë veç e dyzuar: nuk përjashtohet që arti të ketë lidhje me jetën, por vetëm pjesërisht.

Më lejoni në pjesën përmbyllëse të fjalës sime ta shpjegoj fare shkurt këtë gjysmë herezi. Në qoftë se e pranojmë botën e letërsisë dhe arteve si botë paralele, referenciale, kemi pranuar se ajo është një botë rivale. Si rrjedhojë e kësaj, meqenëse rivaliteti çon zakonisht në konflikt, duam apo s’duam do të pranojmë se midis këtyre dy botëve, jetës dhe artit, do të ketë konflikt. Dhe konflikt ka. Herë të shpallur, herë të pashpallur. Në këtë përballje bota reale ka armët e saj kundër artit: censurën, doktrinat, burgjet.

Arti gjithashtu ka mjetet e tij, fortesat, veglat, së fundi, armët e tij, shumica të fshehta. Bota reale qëllon të jetë e pamëshirshme, mizore. Arti gjithashtu nuk është një engjëll dhe mund të jetë i pamëshirshëm, mizor. Një poet romantik gjerman i përfytyronte tercinat e Dante Aligherit herë si heshta kërcënuese e herë si vegla torture për ndërgjegjet e rënduara nga krimi.

Por, lufta midis dy botëve është më e ndërlikuar se ç’duket. I njëjti poet gjerman ka ngulur këmbë se disa e kanë bezdisur me armiqësinë e tyre e të tjerët me dashurinë e tyre. Sado paradoksale të duket, të shumtë janë ata që padashur e luftojnë artin, pikërisht atëherë kur kujtojnë se e duan.

Siç shihet, pavarësia e letërsisë dhe artit bëhet përherë e më e vështirë. Megjithatë ne shkrimtarët jemi të bindur se arti nuk do të ngrejë kurrë flamurin e kapitullimit. Meqenëse përmenda këtë fjalë të trishtueshme, besoj se duhet t’i kthehem prapë vizionit të dy botëve që rrijë ballë për ballë në pritje të fitores: botës reale dhe asaj të artit.

Ka shumë dallime midis tyre, por ka një dallim kolosal që qëndron mbi gjithë të tjerat. Dallimi është ky: ndërsa në konfliktin e saj me artin bota reale qëllon që acarohet aq fort saqë turret ta shkatërrojë artin, në asnjë rast, e përsëris, në asnjë rast letërsia dhe arti nuk e sulmojnë jetën reale, për ta dëmtuar, por përkundrazi, luftojnë që ta bëjnë më të bukur, më të jetueshme. Ky është dallimi absolut midis tyre. Dhe në këtë rast një dallim i tillë nuk është gjë tjetër veçse konfirmimi më sublim i pavarësisë së vërtetë të artit.

(Fjala e Ismail Kadaresë me rastin e marrjes së çmimit “Princi i Asturias”).

***

Kadare: Popujt duke mbrojtur të tjerët, mbrojnë vetveten!

Është bërë pothuajse zakon që shkrimtari ose artisti, kur merr një çmim prestigjioz, në fillim të fjalës së rastit, në qoftë se të tillë do të ketë, të thotë diçka për çastin e parë kur e mori vesh lajmin. Mendoj se nuk ka ndonjë arsye të veçantë për këtë. Thjesht është gjithmonë më e lehtë të fillosh në këtë mënyrë një fjalim. Dhe kështu ndodh që fituesi, duke nisur nga befasimi përfundon te modestia, shpesh e panevojshme. Kam përshtypjen se shkrimtari mund të befasohet ngaqë merr një çmim, po aq sa ç’mund të befasohet tjetri që nuk e merr.

Megjithatë, pa kërkuar të tregohem origjinal, po e pohoj sinqerisht se, kur më lajmëruan për çmimin “Jerusalem”, ndjesia e parë pas kënaqësisë, ka qenë ajo e surprizës. Befasimi lidhej me motivin e lirisë, që e kushtëzonte, si temë kryesore, këtë çmim. E dinin vallë zotërinjtë e jurisë që shkrimtari i laureuar, më saktë, vepra e tij, kishte një problem me lirinë?

Më duhet të pranoj se pyetja tingëllonte më shumë se naive. Unë isha shkrimtar, pra një murg i letërsisë, ndaj ishte e natyrshme të kisha një lidhje pozitive, harmonioze me lirinë. Problemi ishte thjesht i natyrës së rrokshme, bazike: po merrja një çmim të madh për lirinë në letërsi, në kohën që gjysma e veprës sime nuk ishte shkruar në liri, por në robëri (non liberté).

Pas rënies së komunizmit, për ne shkrimtarët që kishim jetuar në kohën e tij e tani po kalonim në një kohë tjetër, pyetjet dramatike tingëllonin shpesh naive, dhe e kundërta, naivet, ktheheshin në dramatike. E tillë do të ishte, për shembull, pyetja se si do të quhej letërsia e kohës së totalitarizmit?

Do të quhej ashtu siç ishte bërë zakon: letërsi e realizmit socialist, apo do të gjendej një tjetër emërtim? Dhe kryesorja: si do të vlerësohej ajo? Si diçka që kishte rënë bashkë me diktaturën? Si diçka e panevojshme, njëfarë nënletërsie, që do të kujtohej vetëm si kureshti?

Rrjedhimisht, pyetje të ngjashme do të shtroheshin për ne, shkrimtarët që kishim bërë letërsi në atë kohë të gabuar. Gjatë kohës së regjimit totalitar nuk besoj se ka pasur ndonjë shkrimtar që nuk ka bërë, qoftë dhe një herë të vetme, hamendësimin se si do të shkruante në qoftë se do të jetonte në liri? Hamendjet ishin të larmishme. Nga ata që ishin të sigurt se po të ishin të lirë do të shkruanin perla, gjer te shumica, e cila, duke mos shkuar gjer te perlat, mendonte se, sido që të vinte puna, diçka më të mirë do të bënin.

Ne nuk besonim se komunizmi do të binte në gjalljen tonë. Dhe ja, mrekullia ndodhi. Komunizmi ra. Dhe ne u gjendëm në kohën tjetër. Një specie e veçantë shkrimtarësh, e huaj, e frikshme, ndoshta e panevojshme. Tërheqja nga skena ishte mendimi i parë që vjen në kësi rastesh.

Kur një diktaturë bie, të shumtë janë ata që, duke bërë të habiturin, turren të shpjegojnë se si erdhi puna që kjo diktaturë e frikshme u vendos. Dhe kush ishin fajtorët për këtë. Shkrimtarët shqiptarë u gjendën nën një stuhi qortimesh të llojit: më mirë të kishit heshtur se të shkruanit. Ose, të kishit rënë në burg. Për të mos thënë më të keqen: më mirë të kishit vdekur.

Më kot ngriheshin zërat për të sqaruar se një diktaturë nuk e sjellin dhe as nuk e rrëzojnë romanet dhe vjershat. Se të bësh letërsi nuk është mëkat. Se nuk është mëkat në asnjë vend. Dhe në asnjë kohë, sado e mbrapshtë të jetë ajo.

Bota perëndimore, e cila herë pas here ndiqte zhvillimet në Shqipëri, sidomos pas shkëputjes së saj groteske nga kampi socialist, kishte dhënë qartësisht shenjat se letërsia dhe artet shqiptare, ndonëse të rralla e të pakta, ishin i vetmi prodhim pak a shumë normal dhe pozitiv që jepte ky vend.

Megjithatë, vlerësimi i asaj që quhej “botë e lirë” nuk luajti rolin që duhej në Shqipëri. Mendimi se letërsia shqipe e kohës së komunizmit duhej fshirë nga historia, zotëronte. Paralelisht me të zotëronte shpresa se tani, falë lirisë, do të krijohej vetvetiu një letërsi e paparë ndonjëherë. Për çudi, vetë shkrimtarët u përfshinë nga ky iluzion, nga kjo pritje e mrekullisë.

Por mrekullia vononte. Gjersa një ditë ndodhi zbulimi i madh. Mrekullia po ndodhte në sytë tanë, por ne ishim të paaftë ta kapnim. Mrekullia ishte vetë fakti që mrekullia e pritur nuk po ndodhte. Që letërsia vazhdonte t’iu bindej ligjeve të saj. Që ajo ishte shpërfillëse ndaj kohës. Që robëria nuk kishte fuqi ta prishte. Madje vetë liria, gjëja më sublime në botë, ishte e aftë të përmirësonte gjithçka, me përjashtim të letërsisë. Shkurt, letërsia ishte e pavarur. Ajo mund të gjykohej vetëm sipas ligjeve të saj.

Sipas këtyre ligjeve, përgjegjësinë për fatin e letërsisë e mbajnë shkrimtarët vetë. Ata nuk mund të justifikohen se bënë letërsi të keqe, ngaqë koha ishte e keqe. Ata nuk kanë alibi. Në këtë pikë diskursi ngjitet vetvetiu në një nivel më të lartë.

S’them ndonjë gjë të re po të kujtoj se kjo mospërputhje e ligjeve të shoqërisë njerëzore me ligjet e artit e ka zanafillën e saj qysh në fillimet e antikitetit, më saktë, të teatrit antik grek. Sipas një përfytyrimi disi të thjeshtuar, viti i njeriut antik ndahej në tri periudha:

E para, koha e veprimtarisë jetësore, ndërtuese.

E dyta, koha e luftës.

E treta, stina teatrale. Thënë shkurt, njerëzit, pasi ndërtonin e pastaj shkatërronin sa mundnin, ndienin nevojën të shkonin në teatër, për të parë atë që luhej në skenë.

Pyetja se çfarë kërkonin të shikonin spektatorët në teatër lidhej me thelbin e artit dhe arsyen e të qenit të tij. Për të gjetur përgjigjen, së pari duhet të kemi parasysh se qytetet antike ishin tepër të vogla, kurse teatrot tepër të mëdhenj.

Rrjedhimisht, spektatorët përbënin një pjesë të madhe të popullsisë. Ata ishin njëherësh qytetarë, ushtarë, zyrtarë, zgjedhës, opinion publik. Ata i njihnin pamjet e jetës, ashtu siç njihnin ato të luftës. Por në skenë ata kërkonin diçka tjetër: pjesën e padukshme të botës, atë që ndodhte jo në sheshet e zhurmshme, por në thellësi të shpirtit njerëzor.

S’është e rastit që tragjedia fitoi qysh në krye vendin e zgjedhur, duke u kthyer në kurorë të artit antik. Ishte ajo e para që zbuloi atë që ngjante e pazbulueshme: shqyrtimin, vrasjen e ndërgjegjes. Qytetërimi niste pikërisht aty.

Shqyrtimi i ndërgjegjes mbetet sot po aq dramatik dhe aktual sikurse në teatrin grek, dy mijë e pesëqind vite më parë. Nga krimet e nazizmit e të komunizmit, ai vjen gjer te hapja e dosjeve të fshehta, ato që janë kthyer në ankth në vendet që ende s’e kanë bërë këtë, duke përfshirë këtu, për fat të keq, edhe vendin tim, Shqipërinë.

S’është e rastit që kur shkojmë në Yad Vashem, këtu në Jerusalem, ne përpiqemi të kapim përmasat e një tmerri që gjuha njerëzore, duke pranuar kufizimet e saj, e ka përcaktuar si “të papërfytyrueshëm”.

Letërsia, siç u tha, ka nisur si një kërkim i madh ndjese për një krim të madh të kohës: shfarosjen e një populli. Si e tillë, qysh në rreshtat e parë të saj, ajo ka kërkuar ndalimin e këtij tmerri.

Për fat të keq, kjo ende s’po ndodh. Thirrjet për shfarosje popujsh, që ju i njihni më frikshëm se kushdo, ende vazhdojnë. Megjithatë ne duhet të shpresojmë. Ndonëse jetojmë në një botë të ashpër, s’mund të themi se, midis mjegullës së saj, nuk kemi vënë re raste mirëkuptimi të madh.

I tillë është pakti i popujve që, ndonëse e kanë aq lehtë të grinden për tokat, naftën, apo për një ishull të humbur, nuk grinden kurrë për vlerat shpirtërore, letërsinë dhe artet. Në ndryshim nga gjithçka tjetër, çdo popull i krijon këto vlera për veten e njëherësh për të tjerët.

Asnjë shtet, sado i fortë të jetë, nuk ngre ushtrinë a flotën, se po i marrin Shekspirin a Moxartin. Dhe kjo histori ka nisur që nga Roma e Virgjilit, për të ardhur gjer te Rusia e sotme, që kacafytet për ca kufij në Ukrainë, pa u bërë merak se qyshkur ia kanë marrë e vazhdojnë t’ia marrin Tolstoin.

Ky zakon befasues dëshmon se njerëzimi, sa ç’është i aftë për keqkuptime, po aq e ka të mundur mirëkuptimin. Më lejoni të zgjatem me një shembull nga Gadishulli Ballkanik, të cilit i përkas. Ky rajon i Europës është shquar gjithmonë për grindje dhe acarim. Shqiptarët, ashtu si të tjerët, janë gjendur në qendër të një rivaliteti dhe mosmarrëveshjeje për gjithçka. Ndërkaq, ka kohë që në Ballkan është shfaqur një rivalitet i ri, që lidhet me hebrenjtë. Më saktë, me mbrojtjen e hebrenjve gjatë luftës. Prej shumë kohësh shqiptarët ngulin këmbë se është vërtetuar që në mbarim të luftës, ndërsa në gjithë Europën hebrenjtë ishin rralluar krejt, si pasojë e gjenocidit, në Shqipëri përkundrazi, ishin shtuar dukshëm. Arsyeja ishte e thjeshtë: hebrenjtë, që nga dita e parë e luftës gjer në të fundit ishin të mbrojtur në Shqipëri.

Popuj të tjerë në Ballkan dëshmojnë gjithashtu mbrojtjen e hebrenjve prej tyre. Është krejtësisht e huaj për mua ideja që, duke përfituar nga prania në këtë sallë, të bëhem pjesë e këtij të ashtuquajturi rivalitet. Dëshiroj vetëm të them me përgjegjësi të plotë morale, se mëtimi (pretendimi) i kahershëm shqiptar është krejtësisht i drejtë. Por kjo s’do të thotë aspak se kam rezervën më të vogël për mëtimin e të tjerëve. Jo vetëm kaq. Duke njohur natyrën e vështirë të popujve ballkanas, brezat më të rinj, që hyjnë në jetë në gadishull, ëndërrojnë natyrshëm të sjellin një frymë të re, të ndryshme dhe pajtuese.

Në këtë kah (sens), sa herë që bie fjala për të krahasuar aktet e popujve tanë, mungesat dhe meritat, vetvetiu krijohet një atmosferë e rënduar, ku xhelozia dhe rivaliteti sundojnë mbi gjithçka. Do të ishte një gjë e rrallë që mbrojtja e hebrenjve, për të cilën u fol më lart, të bëhej shkas për një vizion të ri, afrues e pozitiv. Bota ka nevojë për këtë vizion. Popujt kanë gjithmonë nevojë të mbrohen. Duke mbrojtur të tjerët, ata mbrojnë veten. Do të doja që me një urim të tillë ta mbyllja këtë diskurs për lirinë, këtu në Jerusalem.

(Fjala e Ismail Kadaresë me rastin e marrjes së çmimit “Jerusalem”).

 

Please follow and like us: