Albspirit

Media/News/Publishing

Leja e lindjes në SHBA

Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm i zhvilluar në botë që nuk ofron pushime të paguara lindjeje për nënat e reja, të dy kandidatët aktualë demokratë për president  mbështesin një standard kombëtar për 12 javë pushim të paguar. Ky megjithatë nuk është një propozim i ri. Presidenti Barack Obama bëri thirrje për të në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit në vitin 2015, por propozimi u kritikua shpejtë nga disa republikanë në Kongres. Megjithatë, ka pasur pakpërparim në nivel shtetëror. Nju Jorku është një nga tre shtetet që nuk është duke pritur për një ligj federal të pushimit të paguar pas lindjes.

Në Shtetet e Bashkuara nuk është e pazakontë për një nënë të re të lerë punën pas lindjes. Sam është vetëm nëntë muajsh dhe nënë e tij Lora nuk ishte gati të kthehej në punë:

“Pata vetëm gjashtë javë me të dhe kjo nuk është kohë e mjaftueshme. Na duhej të gjenim dikë të kujdesej për të dhe kjo është një kosto e madhe. Unë nuk do të kisha aq të ardhura sa të mbuloja faturat e çerdhes.”

Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë larg miratimit të një ligji federal për pushim të paguar pas lindjes, disa shtete e kanë zgjidhur këtë çështje. Një ligj i ri në Nju Jork ju siguron nënave të reja 12 javë pushim të paguar. Nju Xhersi mbulon 67 për qind të pages për gjashtë javë. Kalifornia mbulon 55 për qind të gjashtë javëve leje. Rod Ajlënd mbulon katër javë.

“Nëse jeton në këto katër shtete, je e mbuluar dhe të takon leje lindjeje, por në se jeton në pjesë të tjera të Amerikës varet vetëm nga punëdhënësi në se të ofron vullnetarisht këto përfitime për arsye se nuk ka ndonjë program kombëtar që të ofrojë një gjë të tillë”, – thotë Sarah Jane Glynn me Qendrën për Përparimin Amerikan.

Kandidatët presidencialë demokratë Hillary Clinton dhe Bernie Sanders favorizojnë një program kombëtar që do të lejonte nënat e reja të merrnin 12 javë jete lindje të paguar. Ky është një përparim mbi Aktin e vitit 1993 për Leje Mjekësore dhe Familjare – që siguron mbrojtjen e vendit të punës për leje të papaguar për punonjësit qeveritarë ose për ata të kompanive të sektorit privat me 50 ose më shumë punonjës. Por kritikët thonë se ky ligj mbulon 60 për qind të nënave të reja pasi vetëm 60 për qind e punonjësve kualifikohen dhe shumë nëna të reja nuk e përballojnë dot të marrin leje të papaguar:

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë kuptuar ende faktin se shumica e grave sot punojnë. Ligjet tona të punës… shumica e tyre janë hartuar shumë kohë më parë kur familjet kishin tjetër strukturë. Sot shumica e grave punojnë, shumica janë nëna, bile shumica janë nëna që kanë fëmijë të vegjël”, thotë Sarah Jane Glynn.

Megjithatë, disa kompani japin jo vetëm leje lindje për nënat e reja por edhe për baballarët e rinj.

Joe është shumë i gëzuar që ka gjashtë javë leje të paguar:

“Është në dorën e punëdhënësit të të paguaj ose jo, por për punonjësit më të mirë ata e bëjnë këtë. Është mirë për punonjësin që do të thotë është mirë për kompaninë”.

Kundërshtarët e ligjit për leje familjare me pagesë thonë se është keq për biznesin pasi kushton shumë.

Por përkrahësit e kësaj ideje thonë se kostoja e lejes së paguar të lindjes është shumë e ulët në krahasim me përfitimet për familjet.

“Të jesh në shtëpi me fëmijët është ndoshta puna më e vështirë. Prindi duhet të paguhet aq sa kur punon”, – thotë një banor.

Please follow and like us: