Albspirit

Media/News/Publishing

Maks Velo: Dashnorja franceze në kohën e komunizmit, i dhashë kryqin e rrallë dhe s’ma ktheu më

Kërkimet në Arkivin e Shtetit të zbulojnë të reja përditë. Kemi gjetur së fundmi këtë dokument, në të cilin lexohet deklarata e piktorit Edison Gjergo, gjithashtu i burgosur, për arkitektin dhe piktorin Maks Velo.

Ndër të tjera, përveç njohjes e bisedave të tyre me “ndikim të huaj”, në fund të deklaratës së tij, Gjergo pohon se Velo i kishte shprehur planin për t’u martuar me një franceze, me të cilën shoqërohej asokohe, kur ishte 30-vjeçar. Megjithëse ata ishin miq të ngushtë e askush nuk dyshon në deklaratën e Gjergos, kemi pyetur vetë Velon për këtë marrëdhënie të rrallë për kohën.

Kush ishte francezja, me të cilën ju shihnin duke darkuar në hotel “Dajti” apo duke shëtitur nga Liqeni?

Quhej Odile Daniel dhe jam njohur me të në vitet ’64­’65, në bibliotekë. Ajo kishte studiuar gjuhën shqipe në një universitet të Parisit dhe si studente të dalluar e kishin dërguar për punë kërkimore në Tiranë. E kisha parë dy­tri herë në bibliotekë, deri sa u afrova dhe i fola. Asaj iu bë qejfi ngaqë ishte vetëm gjatë gjithë kohës.

Krijuat menjëherë marrëdhënie?

Jo, jo që në fillim. Odile vente e vinte në Francë dhe duhet të ketë qenë në herën e dytë ose të tretë që ka ardhur, që nisëm të dilnim si partnerë dhe unë këtë gjë nuk e bëja fshehtas. Dua të them, darkonim në hotel “Dajti”, në vende që e dija shumë mirë se ishin të survejuara apo dilnim shëtitje në bulevard ose nga Parku.

U bëtë aq të afërt sa planifikuat martesë?

Të afërt ishim, por unë isha i vetëdijshëm se martesë nuk mund të kishte mes nesh. Unë shijoja marrëdhënien dhe kaq. Mirëpo, në një nga ikjet në Francë, ajo pati komunikuar me Ambasadën tonë në Paris për planin e martesës.

Plan që e kishit bërë bashkë, apo Odile e kishte ngritur në mendjen e saj?

E kishim folur edhe bashkë dhe ç’është e vërteta unë nuk i thosha jo, megjithëse e dija që nuk mund të bëhej. Nuk doja ta ndikoja marrëdhënien me çështje politike, prandaj e lija ashtu, gjysmë me përgjigje, gjysmë pa…

Si vijoi historia pas vajtjes në Ambasadë?

Ambasada njoftoi Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Tiranë dhe ata më thirrën menjëherë për të më thënë se kjo që po kërkohej ishte e pamundur. Sigurisht që nuk më gjeti të papërgatitur kjo gjë, e dija.

A ndikoi kjo pengesë në vazhdimësinë e marrëdhënies?

Odile pati pakënaqësitë e saj, por ne vijuam të rrinim bashkë sa herë ajo vinte në Tiranë. Madje, pas refuzimit të kërkesës për t’u martuar, një herë kemi rastisur përballë me Enver Hoxhën, në një nga shëtitjet tona nga Liqeni. Ai përballë, gjithashtu duke shëtitur, por nuk bëri asnjë reagim, as më pas. Siç thashë më lart, Sigurimi e kishte të qartë që unë nuk po bëja asgjë fshehtas.

Sa kohë zgjati kështu kjo histori?

Zgjati vite të tëra, deri sa unë u martova. Aty lidhja u shkëput për t’u rivendosur, pasi dola nga burgu, në vitin ’91.

Në ’91 u lidh aty ku ishte këputur apo nuk ishte më e mundur kjo gjë?

U përpoqëm që të krijonim një marrëdhënie, d.m.th, ta zinim aty ku e kishim lënë, por ishte e pamundur. Shumë gjëra kishin ndodhur, ishin disa faktorë pengues, që nuk na lejonin të kishim të njëjtën gjë, si dikur.

Ndërkaq, ajo kishte pasur një fëmijë andej… E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me ju… ishin shumë vite!

Jo, nuk po them që ishte kjo arsyeja. Mua më kishin ndodhur kaq shumë gjëra, më kishin vjedhur e prishur kushedi sa punë. Disa nga punët që shpëtova, i ruajti pikërisht Odile dhe m’i ktheu kur u takuam.

Bashkë me pikturat i kisha besuar edhe një kryq që e pata blerë te Pazari i Rrugës së Çifutëve, siç quhej, në Vlorë. Ishte nga ato gjërat e çmuara që ata që e kishin, kishin frikë ta mbanin, ndërsa të tjerët, kishin frikë ta blinin. E kam marrë për 600 lekë të vjetër.

Siç thanë që atëherë, por siç mësova edhe më vonë, duhet të ishte i shek. X; sapo dola i kërkova kryqin, por nuk ma kthente. “Nuk më lejojnë ta nxjerr nga banka ku e kam në ruajtje”, thoshte, apo gjëra të tjera të kota, por u bë e qartë që kryqi ishte vlerësuar tepër andej, dhe ndoshta e kishte shitur.

Ishte kjo si një zhgënjim më shumë që po më vinte tani që isha i lirë. Unë nuk i kam harruar as librat, revistat apo bojërat që më sillte në një kohë kur ishte e pamundur, por pastaj u ndjeva keq. Bashkë me këtë kishte episode të tjera plot që tregonin se nuk ishim më ata të dikurshmit dhe s’kishte se si të ishim, kishte kaluar shumë kohë.

Këto ishin takimet e fundit? Ju udhëtoni shpesh drejt Parisit, asnjë kontakt i mëvonshëm?

Jo! Ka provuar të vihet në kontakt, por jo. Nuk jemi takuar më.

Please follow and like us: