Albspirit

Media/News/Publishing

Nga beduinët tek xhihadi/ 100 vjet shtete fantazmë

Nga beduinët tek xhihadi/ 100 vjet shtete fantazmë

Në vitin 1915, Sykes dhe Picot skicuan zonat e influencës të fuqive britanike dhe franceze në Lindjen e Mesme. Sajesa gjeografike që në një shekull kanë shkaktuar një seri konfliktesh në lojën e madhe të Azisë së Vogël, mes etnive, feve dhe zbulimit të “arit të zi”

“Do të më pëlqente të hiqja një vijë nga e-ja e Akresit (në Jordaninë e sotme), deri tek k-ja e fundit e Kirkukut”, kryeqyteti historik i kurdëve në Irak, ku peshmergët kanë rimarrë tashmë kontrollin: kështu thoshte Mark Sykes, diplomati britanik, në 16 dhjetor të 1915-ës, në Downing Street, duke folur me kolegun francez François Georges Picot. Në atë batutë përmblidhet filozofia e sistemimit të mbetjeve të perandorisë otomane, pas fundit të Luftës së Parë Botërore: kufij që respektonin më shumë meridianët dhe paralelët, se sa etnitë dhe fetë; kutiza rëre që përkthehen në fuçi nafte; dhe aspak vëmendje për fjalën e dhënë, aq më pak për aspiratat për pavarësi të popujve arabë. Pavarësisht kontributit – shpesh herë vendimtar – që ata kishin dhënë gjatë konfliktit.
Janë aty shumë prej rrënjëve të tensioneve dhe dhunës së ditëve të sotme në rajon. Perëndimi, në fund të fundit, nuk i rezervoi botës arabe miopinë e tij kolonialiste: edhe kufijtë afrikanë ishin skicuar, në Tetëqindën, me kritere të ngjashëm, duke ndarë popuj vëllezër dhe duke bashkuar armiq të betuar. Me pasojën paradoksale që turbullirat dhe barbaritë, kontribuojnë sot për të ngritur një barrierë mosbesimi dhe moskuptimi, teksa një gazetar si Domenico Quirico, ekspert i Lindjes së Mesme, por që e ka përjetuar vetë ashpërsinë e konfliktit, shkruan: “Perëndimi nuk do të shohë që na kanë shpallur luftë… Islami i moderuar nuk ekziston”.
Vijat imagjinare dhe sferat e influencës
Gjithçka fillon aty, nga ajo frazë në Downing Street. Sykes dhe Picot negociuan prej nëntorit 1915 deri në mars 1916: në 16 maj, u firmos marrëveshja që mban emrin e tyre, Sykes-Picot. Marrëveshja e Azisë së Vogël është një marrëveshje e fshehtë mes qeverive të Mbretërisë së Badhkuar dhe Francës, në mungesë të Rusisë, e cila përcaktonte sferat respektive të influencës në Lindjen e Mesme, pasi ishte mposhtur Perandoria Otomane, në fundin e Luftës së Parë Botërore.
Mbretërisë së Bashkuar iu rezervua kontrolli i Jordanisë aktuale, Irakut dhe një zone të vogël përreth Haifas. Francës iu dha kontrolli i Juglindjes së Turqisë, pjesës jugore të Irakut, Sirisë dhe Libanit. Zona që më vonë do të njihej si Palestina do të duhej të kalonte nën administrim ndërkombëtar, duke përfshirë perandorinë ruse dhe fuqi të tjera.
Marrëveshja u mbajt e fshehtë nga krerët arabë që luftonin kundër Perandorisë Otomane, duke shpresuar në pavarësinë, por edhe nga oficerët e aleatëve që koordinonin operacionet. Natyrisht, nuk dinte asgjë Thomas Edward Lawrence, domethënë Lawrenci i Arabisë dhe miku i tij Faysal, biri i sherifit të Mekës. Dhe po ta kishin ditur, ndoshta kinemaja nuk do të kish patur asnjëherë mundësinë të rrëfente faqe mes epikës dhe historisë, si për shembull marrja e Aqabas në vitin 1916.
Një paladin për studimet dhe kulturën e nacionalizmit arab, Lawrence, një 007 në shërbim të shërbimeve të fshehtë të Madhërisë së Saj, duhej të vinte në shërbim të kauzës së aleatëve, kryengritjen arabe kundër perandorisë otomane mes Higiazit, rajonit të Mekës dhe Medinës, dhe Transjordanisë. Babait të Faysalit, al-Husain ibn Ali iu propozua pavarësia e kombit arab, por pa saktësuar asnjëherë dimensionet gjeografikë. Por Londra dhe Parisi kishin rënë dakord tashmë të vinin në zbatim të ashquajturën politikë me “dy binarë”: t’u bënin premtime arabëve, por ndërkohë të ndanin në letër tokat e otomanëve.
Grindjet territoriale
Lawrence dhe Faysal e kuptuan pasi ishte arritur fitorja dhe lufta kish marrë fund. Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, Faysali udhëhoqi delegacionin arab, që u përpoq të kërkojë përmbushjen e premtimeve të marra dhe arriti të paktën të sigurojë që disa prej vendeve arabë të udhëhiqeshin nga dinastia hashemite, domethënë e tija.
Në atë konferencë po hidheshin bazat për konflikte të tjerë që kanë shpërthyer një shekull më vonë. Në 3 janar 1919, Faysali dhe presidenti i Organizatës Sioniste Botërore, Chaim Weizmann firmosën një marrëveshje – që më pas u refuzua – sipas të cilës Deklarata Balfour duhej të përbënte një bazë diskutimi për të ardhmen e zonës në fund të dominimit britanik. Në vitet që pasuan, fazat u ngushtuan. Në mars 1920, Faysali u shpall Mbret i mbretërisë arabe të Sirisë, Siria e Madhe, nga kongresi kombëtar sirian. Në prill, Konferenca e Sanremos i dha Francës mandatin mbi Sirinë dhe shpërtheu lufta franko-siriane. Një vit më vonë, në mars 1921, në Konferencën e Kairos britanikët e shpallën Faysalin mbret të Irakut, nën protektoratin e tyre.
Aseti i zonës mes dy luftërave më në fund u përcaktua. Për ta prishur, por jo ndryshuar, pati trazira fetare dhe antikoloniale, mes të cilave në gjysmën e parë të viteve njëzetë, i ashtuquajturi Revolucioni i Madh Sirian. Në vitin 1932, Iraku fitoi pavarësinë e plotë, që nisi me Masakrën e Cibeles, një sulm ndaj të krishterëve.
Mes luftërave dhe pavarësisë, grushteve dhe rrethimeve
Në pasluftën e dytë, aspiratat për pavarësi u realizuan tërësisht. Por lindja e Izraelit krijoi në të gjithë zonën tensione të rinj. E pavarur që nga viti 1946, Siria njohu një periudhë paqëndrueshmëria me grushte shteti – plot 13 – dhe eksperiencën jetëshkurtër të Republikës së Pavarur Arabe, me Egjiptin.
Që nga viti 1963, vendi është qeverisur nga partia Bath, me frymëzim socialist dhe panarab; dhe nga viti 1970, ka një president nga familja al-Assad. Që nga Lufta Gjashtë-Ditore e 1967-ës, Izraeli ka pushtuar Kodrat Golan. Trazira që shpërtheu në vitin 2011 ka shkaktuar pothuajse 200 mijë viktima, ka rrënuar qytete të tërë, ia ka dorëzuar një pjesë të Sirisë ekstremizmit integralist, por nuk e ka përmbysur regjimin.
Më shumë tronditje kanë shkaktuar punët në Irak, ku monarkia u përmbys për herë të parë në vitin 1941, me nxitjen e Gjermanisë, rivendosur prej aleatëve dhe më pas sërsh, këtë herë përfundimisht, e përmbysur në 1958 me grushtin e shtetit të Oficerëve të Lirë. Për një dekadë pati disa grushte shteti, deri kur në vitin 1968, një puç i pestë solli për 25 vite në pushtet Partinë Bathe dhe Sadam Huseinin, duke vendosur diktaturën e pakicës sunite mbi shumicën shiite.
Laiku Sadam e trembi perëndimin kur shtetëzoi naftën – Iraku është prodhuesi i tretë më i madh në botë – por bëri lojën e Amerikës në vitet 1980, kur i shpalli luftë Iranit integralist: pothuajse nëntë vite konflikt, ndoshta një milion e gjysmë të vrarë, por as fitimtarë e as të mundur.
Në vitin 1991, pushtimi dhe aneksimi i Kuvaitit shkaktoi Luftën e Gjirit: Iraku mundet, por Sadami mbetet në pushtet. Në vitin 2003, pushtimi amerikan, i justifikuar me pretekste falsë, përmbys regjimin dhe rrëzon statujat e diktatorit, transformon vendin në një republikë parlamentare, por nuk i zbut tensionet mes shiitëve, sunitëve dhe kurdëve. Që sot kanë rishpërthyer nën shtytjen xhihadiste. /Il Fatto Quotidiano/

Please follow and like us: