Patriotët e politikës shmangin takimin me Janullatos
Politikës nuk i mungon solidariteti dhe protagonizmi kur bëhet fjalë për festa fetare, madje duke i njohur vetes atrubutin e ruajtjes dhe promovimit të tolerancës mes besimeve. Në funksion të këtij protagonizmi, kryeministri mori me vete në Paris katër klerikë për t’i treguar botës që është politika ajo që udhëheq kohezionin mes feve në Shqipëri.
Mirëpo jo gjithmonë deklarimet dhe aktet politike lexohen siç kërkon politika. Në ditën e Pashkës, presidenti i vendit, Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama kanë shmangur vizitën në selinë e Kryepeshkopatës dhe takimin me kryepeshkopin Janullatos, duke ngritur stafet dhe udhëtuar drejt Korçës, nga Mitropolia e së cilës do të përcjellin urimet e rastit. Këtë axhendë e ka ndjekur edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, që përcolli urimin në facebook. Ata rrjeshtohen në këtë mënyrë ndër ata që evitojnë të shtrëngojnë duart me Primatin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i zgjedhur në mënyrë legale dhe i pakontestuar nga besimtarët ortodoksë, përveç Nikolla Markut.
Ndoshta është çështje emocionesh sepse liderët tanë duke qenë afër popullit janë edhe më të ndikueshëm ndaj idesë se kundër Shqipërisë ekziston një konspiracion i madh që fshihet nën mantelin e Kryepeshkopit. Duke qenë njëri i besimit musliman dhe tjetri i ritit katolik, mund që punët e ortodoksisë t’i shohin me një sy tjetër, nisur dhe nga fakti që njërit i ka rënë shorti për të bërë presidentin dhe tjetrit për të bërë kryeministrin, dy detyra që lipset të justifikohen me patriotizmin e deklaratave dhe dekoratave. Sa për garniturë në selinë e kryepeshkopatës do shkojnë të dërguarit e mëkëmbësve të kombit, tip kryebashkiaku Veliaj apo ministri Klosi.